Me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin tonë të përjavshëm kushtuar zhvillimeve më të rëndësishme të javës së kaluar në kontinentin europian.

Javën e kaluar, SHBA akuzoi Rusinë për kryerjen e sulmeve kibernetike ndaj institucioneve shtetërore amerikane, por këto akuza u hodhën poshtë nga Rusia. Ministri i jashtëm rus reagoi ashpër ndaj akuzave të Uashingtonit, i cili pretendoi se Rusia ka kryer sulme kibernetike ndaj institucioneve amerikane. Sergei Lavrov tha se të tilla akuza bëhen në kuadër të një fushate histerike, propagandistike në zgjedhjet presidenciale në SHBA. Qeveria amerikane ka akuzuar edhe formalisht Rusinë, mbi atë që e konsideron si një fushatë sulmesh kibernetike kundër organizatave të Partisë Demokratike. Sipas zyrtarëve amerikanë, kjo gjë është bërë me qëllim që “të ndërhyhet në zgjedhjet presidenciale të Amerikës”. Sulmet e fundit kibernetike, përfshi ato ndaj “e-mail”-eve janë “në përputhje me metodat dhe motivimin e përpjekjeve të drejtuara nga Rusia”, bëri të ditur Departamenti i Sigurisë Kombëtare. Zyrtarët amerikanë thonë se gjatë muajve të fundit, sulme kibernetike që besoheshin të ishin kryer nën orkestrimin e “hacker”-ave të mbështetur nga qeveria ruse, kanë pasur objektiv ndërprerjen e zgjedhjeve, ku kandidatja demokrate Hillary Clinton u përballën me kandidatin republikan Donald Trump. Disa shtete kanë kapur tentativa “skanimi dhe kontrolli” të bëra ndaj sistemeve të tyre “të lidhura me zgjedhjet”, shton më tej “DHS”. Një numër “e-mail”-esh shqetësuese kanë ardhur vetëm gjatë fushatës presidenciale të këtij viti. “Afrimi i infrastrukturës ushtarake të NATO-s pranë kufijve tanë, vendosja e armatimeve të rënda nga SHBA dhe gjithashtu sanksionet janë një manifestim që do ta quaja armiqësor”, tha më tej shefi i diplomacisë ruse.  Më herët gjatë muajit, Uashingtoni pezulloi negociatat me Moskën për rivendosjen e armëpushimit në Siri, duke fajësuar palën ruse për rolin e saj ushtarak në sulmet në qytetin e Alepos.  Si reagim, Rusia anuloi programet e bashkëpunimit në fushën bërthamore dhe energjetike me Shtetet e Bashkuara. Kohët e fundit, Amerika i ka shtuar akuzat ndaj Rusisë, Kinës dhe Koresë së Veriut, për të ashtuquajturat sulme kibernetike  me motive armiqësore. Rusët e dinë mirë se amerikanët janë përgjegjës për pjesën më të madhe të sulmeve kibernetike në nivel ndërkombëtar dhe tash po përpiqen të krijojnë një rrjet interneti me nivel tepër të lartë sigurie, për të shmangur sulmet kibernetike të perëndimit e në veçanti të SHBA. Ndryshe nga pretendimet e funksionarëve të Uashingtonit që akuzojnë të tjerët për sulme kibernetike, Amerika shfrytëzon hapësirën kibernetike për sulme ndaj interesave të vendeve të tjera. Megjithatë, nuk duhet harruar se sulmet kibernetike janë një thikë me dy presa dhe të tilla sulme mund të shfrytëzohen edhe nga armiqtë e Amerikës.

Javën e kaluar, Rusia u përball me vendet perëndimore edhe në KS të OKB. Asnjë nga dy projektrezolutat për situatën në Siri, të cilat u paraqitën në Këshillin e Sigurimit, nuk u miratuan.

 

Teksti i propozuar nga Franca dhe Spanja u rrëzua për shkak të vetos së Rusisë, ndërsa proprozimi i vetë rusëve nuk arriti të marrë 9 votat minimale.  Amabsadori i Rusis ënë OKB Vitali Churkin dekalroi se Britania duhet të heqë dorë nga zakonet kolonialiste të ndërhyrjes në çështjet e brendshme të shteteve sovrane. Kina abstenoi dhe ambasadori i saj në Këshillin e Sigurimit tha se nuk kishte zgjedhje tjetër. Rezultati ishte 11 në favor dhe dy abstenime. Ndërsa drafti i paraqitur nga Rusia u bënte thirrje të gjitha palëve t’u japin fund armiqësive, në mënyrë që të shtohen përpjekjet për të luftuar terrorizmin dhe të përkrahet i dërguari special i Këshillit të Sigurimit në Siri. Versioni rus mori vetëm 4 vota pro, 9 kundër dhe 2 abstenime. Të dy votimet  u organizuan në një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit, në përpjekjen e radhës për t’u dhënë fund bombardimeve në Alepo, ku që prej muajit korrik nuk mbërrijnë ndihmat humanitare. Nga ana tjetër, Moska deklaroi se do të ndryshojnë qëndrimet e saj ndaj Uashingtonit. Ministri i jashtëm rus bëri të ditur për ndryshime rrënjësore në marrëdhëniet e Rusisë me SHBA dhe deklaroi se Uashingtoni po ndërmerr hapa armiqësorë që rrezikojnë sigurinë e Rusisë. Sergei Lavrov në një intervistë me kanalin Russia Today, tha se SHBA po ndërmarrin hapa armiqësor në dëm të interesave të Rusisë dhe që rrezikojnë sigurinë kombëtare të Rusisë. Ai tha se lajmet mbi mundësinë e bombardimit të aeroporteve ushtarake të Sirisë nga SHBA, janë një lojë e rrezikshme. Ministri i jashtëm rus në vazhdim shtoi: “Sjellja e Uashingtonit që nuk sulmon Frontin Al Nusra është e habitshme. Qëndrimet armiqësore ndaj rusëve janë bërë bazë e politikave të Uashingtonit ndaj Moskës. Moska për një periudhë ka ruajtur durimin strategjik kundrejt Uashingtonit, por tashmë ky durim ka marrë fund dhe të gjithë duhet të presin ndryshime rrënjësore në marrëdhëniet Rusi-SHBA.”

 

Javën e kaluar, u tensionuan edhe marrëdhënies mes Rusisë dhe Britanisë së Madhe. Deputeti i parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, i ka bërë thirrje qeverisë për të zbatuar zonën e ndalim-flurimit mbi Sirinë dhe t’u lejohet avionëve britanike të sulmojnë avionët luftarakë rusë. Andrew Mitchell, ish-sekretar i zhvillimit ndërkombëtar të Mbretërisë së Bashkuar,  ka thënë se nëse me rrëzimin e avionëve rusë do të përfundonte konflikti në Siri, atëherë Britania dhe aleatët e saj duhet të përqendrohen në këtë çështje. "Ajo që ne jemi duke thënë është shumë e qartë. Askush nuk dëshiron të shohë një përleshje me armë me Rusinë, askush nuk dëshiron të xhirojë poshtë një avioni rus", tha Mitchell. Ai ka shtuar se sulmi ndaj avionëve rusë nuk do të përbënte “deklaratë lufte kundër Rusisë” dhe më tepër do të ishte një fakt se Britania do të qëndrojë kundër ‘krimeve të luftës’ të kryera nga Moska. Tensioni u rrit më shumë pasi ministri i Jashtëm britanik Boris Johnson kërcënoi sërish Rusinë dhe e akuzoi Moskën për krime lufte në Siri. Ministria ruse e mbrojtjes ka dhënë përgjigje të ashpër, duke i  konsideruar deklaratat e zyrtarit britanik si "histeri rusofobe". Johnson para deputetëve të Dhomës së Komunave tha se forcat ajrore ruse ishin përgjegjëse për sulmin e shtatorit ndaj konvojit humanitar të OKB që bartte ndihma për civilët në Alepo, duke cituar imazhet satelitore si burim të këtyre deklaratave. Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes ruse, Igor Konashenkov, hodhi poshtë këto pretendime si të pabaza, duke theksuar se "nuk ka pasur asnjë avion rus në zonën pranë konvojit humanitar." "Histeria rusofobe e disa anëtarëve të establishmentit britanik nuk është më mbresëlënëse", vuri në dukje Konashenkov. Edhe zëdhënësja e Ministrisë së jashtme ruse Maria Zakharova ka kundërshtuar deklarimin e Johnson, duke e konsideruar prononcimin e tij si të turpshëm. Ajo ka thënë: "Siç duket Johnson ka filluar të lëvizë nga fjalët në vepra dhe ka lëshuar armën me të cilën e kërcënon Rusinë-"turpin". "Deri tani të gjithë ne ndjehemi të turpëruar në emër të tij, ka thënë Zakharova". Zyrtarët rusë kanë thënë se Londra duhet të ndalë retorikën e saj rusofobe, përndryshe do të marrë përgjigjen e merituar.

 

Vendet e Europës Lindore kanë vazhduar të kundërshtojnë pranimin e kuotave të refugjatëve të përcaktuara nga BE. Presidenti i Sllovakisë deklaroi se ndarja proporcionale e emigrantëve është një rrugëzgjidhje e tmerrshme. Andrej Kiska, presidenti i Sllovakisë, deklaroi se ndarja proporcionale e Bashkimit Evropian për strehimin e emigrantëve në vendet anëtare të këtij Unioni, është një rrugëzgjidhje e tmerrshme dhe joefikase. Andrej Kiska në një konferencë për shtyp të përbashkët me Klaus Iohannis, presidentin e Rumanisë të mbajtur në Bukuresht, tha: "Vendet e zhvilluara e kanë detyrë morale që të ndihmojnë emigrantët, prandaj duhet të tregojnë përgjegjësi dhe solidaritet më të madh për zgjidhjen e krizës së emigrantëve". Ndërkohë presidenti i Rumanisë Klaus Iohannis në konferencë për shtyp theksoi: "Evropa për zgjidhjen e krizës së emigrantëve duhet të eliminojë rrënjët e kësaj krize dhe për këtë çështje duhet të vendoset paqja dhe siguria në Siri. Për fat të keq kriza e refugjatëve dhe metoda e përballjes me këtë krizë ka shkaktuar mosmarrëveshje dhe ndarje në Evropë dhe pavarësisht të gjitha përpjekjeve akoma nuk është gjetur ndonjë rrugëzgjidhje e përshtatshme". Ky qëndrim u kundërshtua ashpër nga Italia. Kryeministri italian Mateo Renzi deklaroi se të gjitha vendet që refuzojnë kuotat e emigrantëve duhet të marrin më pak fonde nga Bashkimi Europian. Ai ka shprehur zemërim për të gjitha vendet që nuk ndihmojnë në lehtësimin e barrës së rëndë të krizës së klandestinëve. Italia ka strehuar më shumë se 160 mijë azilkërkues, të cilët kanë mbërritur nga Afrika e Veriut në tre vitet e fundit nëpërmjet Mesdheut. Pesha më e madhe e kësaj krize mbahet nga Italia dhe Greqia, teksa zhvendosja e emigrantëve sipas marrëveshjes së Brukselit është bërë pak ose aspak. Polonia, Hungaria dhe shtetet e tjera ish-komuniste deklarojnë se emigrantët, veçanërisht ata që vijnë nga kulturat myslimane të Lindjes së Mesme do të shkatërrojnë shoqëritë e tyre homogjene. Qeveritë gjithashtu kundërshtojnë paguajnë gjobën përkatëse si ndëshkim ndaj refuzimit të kuotave. Në maj, Komisioni Evropian propozoi një gjobë prej 250.000 euro për person për vendet të  cilat nuk pranuan të marrin refugjatë.

Spikeri

Skocia duket e vendosur të shkëputet prej Mbretërisë së Bashkuar, pavarësisht dështimit të një referendumi mbi këtë çështje, përpara se të mbahej një tjetër referendum, më i rëndësishëm ky, për largimin e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian. Konsultat mbi planin për ndërmarrjen e një referendumi të dytë për pavarësi do të zhvillohen javën e ardhshme. Kështu konfirmoi kryeministrja e Skocisë, Nicola Sturgeon, gjatë një konference të partisë së saj të mbajtur në Glasgow, duke shënuar kështu hapin e parë drejt një votimi të dytë. Sturgeon tha se Skocia gëzon të drejtën për të ndjekur një tjetër rrugë, nëse nuk do të lejohet të mbrojë interesat e saj “brenda Mbretërisë së Bashkuar”. Referendumi i parë për pavarësinë e Skocisë, që u zhvillua më 18 shtator të vitit 2014, pati si rezultat refuzimin me 55 për qind të pjesëmarrësve të shkëputjes nga Britania e Madhe. Sturgeon u tha delegatëve partiakë se Skocia do të ushtronte të drejtën e saj për të gjetur diçka më të mirë, nëse përballë do t’i hapej një perspektivë paqëndrueshmërie në të ardhmen, si pjesë e monarkisë. “Jam e bindur se Skocia do të ketë aftësinë për të rikonsideruar çështjen e pavarësisë dhe për ta bërë këtë gjë përpara se Mbretëria e Bashkuar të largohet nga BE-ja, nëse kjo do të jetë e nevojshme për të mbrojtur interesat e vendit tonë. Kështu që, unë mund t’iu konfirmoj sot se drafti për një referendum të dytë pavarësie do të publikohet për konsulta të mëtejshme gjatë javës së ardhshme”, tha kryetarja e partisë në pushtet “SNP”. Më 24 qershor, një ditë pasi Britania votoi pro “Brexit”-it, Sturgeon tha se një referendum i dytë për pavarësinë e Skocisë është “shumë i mundshëm” të mbahet. Ata që votuan në Skoci në referendumin e qershorit mbështetën me 62 për qind qëndrimin në BE, ndërsa e gjithë Mbretëria e Bashkuar mbështeti largimin prej bllokut me 52 për qind. Gjithsesi, Sekretari skocez David Mundell i bëri thirrje kryeministres Sturgeon “të angazhojë qeverinë e saj për të punuar në mënyrë konstruktive me qeverinë britanike, për të shqyrtuar të gjitha mundësitë që do të ofrohen, duke mos e kthyer Skocinë mbrapa në kohë, në debatet kushtetuese përçarëse të së kaluarës”. “Bisedimet e vazhdueshme për një tjetër referendum pavarësie po krijojnë paqartësi dhe po shkatërrojnë ekonominë skoceze, në një kohë kur rritja jonë ekonomike po mbetet prapa ekonomisë britanike si një e tërë”, deklaroi ai.

 

Oct 23, 2016 10:35 CET
Komente