Me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin tonë të përjavshëm kushtuar zhvillimeve më të rëndësishme të javës së kaluar në Iran.

Javën e kaluar, i gjithë Irani islamik ishte i zhytur në zi me rastin e Ashurasë, përvjetorit të martirizimit të Imam Huseinit (as). Në ditën e Ashurasë, u zhvilluan tubime masive dhe ceremoni të ndryshme zije ku morën pjesë miliona besimtarë muslimanë iranianë. Gjithashtu u organizuan edhe shfaqje teatrale të quajtura Tazie, në të cilat improvizohen ngjarjet e dhimbshme të Qerbelasë. Vlen të theksojmë se Tazie është regjistruar nga UNESCO si pjesë e trashëgimisë kulturore botërore. Presidenti i Republikës Islamike të Iranit në ditën e Ashuras huseinite mori pjesë në ceremoninë e zimbajtjes në xhaminë Abdulazim në qytetin Rej në jug të Teheranit. Hasan Ruhani, presidenti i Iranit, mori pjesë në ceremoninë e zimbajtjes në mesin e grupeve zimbajtësve në xhaminë e Abdulazim në qytetin Rej në jug të Teheranit. Presidenti iranian në këtë ceremoni shoqërohej edhe me disa funksionarë të tjerë të shtetit të Iranit. Me rastin e ditës së Ashuras një numër i madh i qytetarëve iranianë morën pjesë në ceremonitë e zimbajtjes në Teheran dhe në të gjithë qytetet e tjera të Republikës Islamike të Iranit. E mërkura e javës së kaluar, ishte dita e dhjetë e muajit Muharram viti 1348 hixhri kameri që përkoi me 12 tetor 2016,  dhe kjo ditë u shënua si dita e Ashuras huseinite. Dita e dhjetë e muajit Muharram është përvjetori i martirizimit të Imam Huseinit (a.s.) që ka ndodhur më 10 Muharram të vitit 61 hixhri kameri në fushën e Qerbelasë.

 

Në etapën e fundit të turneut të tij në disa vende të Azisë juglindore, pas vizitave të Vitnam dhe Malajzi, Presidenti i RII zhvilloi një vizitë edhe në Tajlandë. Dr. Hasa Ruhani, duke marrë pjesë në ceremoninë e zhvilluar në kryeqytetin e Tajlandës Bangkok me rastin e Ashurasë husejniane, deklaroi se Imam Huseini (as) nuk i përket vetëm Islamit dhe shiitëve, por ka gjetur vend në të gjitha zemrat e njerëzve liridashës të botës. Dr. Hasan Ruhani duke folur në këtë ceremoni theksoi: Arsyeja se pse Imam Huseini (as) dhe kryengritja e Qerbelasë kanë mbetur të përjetshme, është se ky Imam i ndritur nuk u sakrifikua për aspiratat e një grupi të veçantë, por për aspiratat dhe vlerat e të gjithë njerëzimit. Presidenti iranian duke theksuar se dita e Ashuras është pushim zyrtar në të gjithë gadishullin indian dhe duke përmendur thënien e famshme të Gandit “Lideri im për çlirimin e kësaj toke ishte Huseini”, shtoi: Miliarda njerëz në mbarë botën respektojnë Imam Huseinin, sepse ai zgjodhi rrugën e moralit, paqes, dinjitetit dhe të vlerave të larta njerëzore.

 

Ministri i kulturës dhe edukimit islamik të Iranit dhe ministri i kulturës dhe arsimit të Indonezisë kanë theksuar për zgjerimin e bashkëpunimeve kulturore, artistike dhe arsimore mes të dy vendeve. Ali Xhanati, ministri i kulturës dhe edukimit islamik të Iranit i cili po qëndron në Bali të Malajzisë për të marrë pjesë në samitin e ministrave të Asamblesë Botërore të Kulturës, javën e kaluar zhvilloi një takim me Muhaxher Efendi, ministrin e kulturës dhe të arsimit të Indonezisë. Ai në këtë takim deklaroi: "Duke marrë parasysh pozitën e veçantë të Indonezisë dhe të Iranit në botën islame, bashkëpunimet mes të dy vendeve mund të ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve të botës islame. Organizimi i aktiviteteve të përbashkëta kulturore dhe javës kulturore ndihmojnë gjithashtu në afrimin e marrëdhënieve të të dy popujve dhe të qeverive të Iranit dhe të Indonezisë". Nga ana e tij Muhaxher Efendi në këtë takim deklaroi se vendi i tij është i gatshëm për të zgjeruar bashkëpunimet me Republikën Islamike të Iranit në bazë të miqësisë, unitetit dhe dashurisë.

Ministria e jashtme e RII, rrënjët e krizës në rajonin e LM i konsideron rezultat i përkrahjes së grupeve terroriste dhe ekstremiste nga disa vende të fuqishme rajonale dhe ndërkombëtare. MPJI duke reaguar ndaj një deklarate të ministrave të jashtëm të Këshillit për Bashkëpunim të Gjirit Persik dhe Turqisë në Riad, ka thënë se gjendja e brishtë në Siri, Jemen, Bahrejn, Irak dhe Libi, edhe përkundër pretendimeve të këtij Këshilli, është si rezultat i ndërhyrjeve të shumicës së vendeve që u tubuan në Riad, të cilat u munduan të korrigjojnë politikat e tyre duke akuzuar të tjerët, sidomos Iranin. Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të Këshillit për Bashkëpunim të Gjirit Persik të enjten (13 tetor), në një deklaratë të tyre, kanë akuzuar Iranin për ndërhyrje në punët e brendshme të vendeve arabe. Ministria e jashtme e RII i është përgjigjur deklaratës së takimit të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit Persik dhe Turqisë, duke thënë: RII ka qenë iniciatorja e cila ka propozuar planin për një Lindje të Mesme pa armë të shkatërrimit në masë dhe nëse vendet e këtij këshilli janë të sinqertë në deklaratat e tyre, Irani është i gatshëm për bashkëpunim. Në deklaratën e ministrisë së jashtme të Iranit thuhet se ato vende të cilat kanë ndërhyrë në punët e brendshme të vendeve të tjera dhe kanë krijuar pasiguri, luftë dhe terroristë dhe kanë shkelur sovranitetin e fqinjëve të tyre, nuk janë në gjendje dhe në atë pozitë që të këshillojnë të tjerët që të mos ndërhyjnë në çështjet e rajonit. Siç thuhet në reagimin e Ministrisë së jashtme të Iranit, reagimi i njëanshëm i këtyre vendeve ndaj operacionit për çlirimin e plotë të qytetit Alepo nga prania e terroristëve, vjen në kohën kur grupet terroriste të mbështetur prej këtyre vendeve kanë krijuar një tragjedi humane në Alepo dhe në shumë qytete të tjera të Sirisë. Përpjekja për të ndërprerë krimet dhe gjenocidin në Alepo, është diçka që kërkon përkushtimin e menjëhershëm të Bashkësisë Ndërkombëtare, thuhet në deklaratën e ministrisë së jashtme të Iranit. Ministria e jashtme e Iranit ka dënuar edhe qëndrimet e vendeve pjesëmarrëse në takimin e Riadit mbi pretendimet e tyre territoriale rreth tre ishujve iranianë që janë pjesë e pandarë e territorit të Iranit dhe theksoi se këta ishuj janë pjesë e pandarë e territorit të RII.

Ministri i Jashtëm i RII mori pjesë në takimin e zhvilluar javën e kaluar në Lozanë të Zvicrës ku u diskutua mbi krizën në Siri. Në këtë takim, z. Muhamed Xhevad Zarif shprehu qëndrimin parimor të RII për zgjidhjen paqësore të krizës siriane nëpërmjet dialogut mes qeverisë dhe opozitarëve sirianë. Ministrat e jashtëm të Iranit dhe Rusisë u takuan në Lozanë të Zvicrës, ku diskutuan mbi zhvillimet më të fundit në Siri dhe mbi përpjekjet që duhen bërë për vendosjen e armëpushimit dhe dërgimin e ndihmave humanitare në këtë vend. Mohamed Xhevad Zarif dhe Sergei Lavrov, shkëmbyen pikëpamje edhe mbi takimin ndërkombëtar për Sirinë që u organizua në Lozanë të Zvicrës me pjesëmarrjen e ministrave të jashtëm të Iranit, Rusisë, SHBA, Turqisë, Arabisë Saudite, Irakut, Egjiptit dhe Katarit. Gjithashtu, ministrat e jashtëm të RII dhe të Irakut, u takuan në Lozanë të Zvicrës, ku diskutuan çështje të marrëdhënieve dypalëshe si dhe zhvillimet më të fundit në Irak dhe në rajon. Z. Mohamed Xhevad Zarif në takim me homologun e tij irakian Ibrahim Xhaferi, në kuadër të takimit ndërkombëtar për Sirinë në Lozanë të Zvicrës, shprehu edhe njëherë përkrahjen e fuqishme të Iranit për Irakun në luftën kundër terrorizmit dhe i uroi sukses qeverisë, ushtrisë dhe popullit irakian në operacionin vendimtar për çlirimin e qytetit Mosul nga pushtimi i terroristëve të ISIS.

Javën e kaluar, ministri i naftës i RII deklaroi se pas nënshkrimit të marrëveshjes bërthamore, aktualisht prodhimi i naftës në Iran ka arritur nivelin e para sanksioneve dhe tashmë Irani prodhon 4.2 milionë fuçi naftë në ditë. Bizhan Zangane, ministri i naftës i RII, u deklaroi gazetarëve në Teheran se përsa u përket kontratave të reja në naftës të Iranit, nuk ekzistojnë probleme bankare dhe po bëhen të gjitha përpjekjet për të evituar ndonjë pengesë eventuale në këtë çështje. Nga ana tjetër, kryetari i Institutit për Studime Ndërkombëtare të Energjisë në Iran deklaroi se Republika Islamike e Iranit është garantues i sigurt i gazit dhe një prej aktorëve kryesor në tregun botëror të gazit. Husein Iranmanesh theksoi: "Republika Islamike e Iranit nuk mund të hiqet nga tregu botëror i gazit, për arsye se potencialet teknike dhe teknologjike të Iranit në zhvillimin e fushave të gazit janë të qarta për të gjithë. Sfera e energjisë në përgjithësi duhet të ketë rezistencë të madhe përball ndryshime në mënyrë që të mundësohet një fushë e kërkesave të energjisë në botë me ndryshime sa më të vogla. Në tregun botëror të energjisë duhet të krijohen kushte të tilla që të krijohet një stabilitet nga aspekti financiar dhe fizik dhe kjo është një çështje e cila është inspiruar nga koncepti i ekonomisë rezistente të Iranit".

 

Ministri iranian i inteligjencës ka njoftuar për arrestimin e disa terroristëve takfiristë të huaj të cilët me vete kishin edhe 100 kg material shpërthyes. Sejed Mohamed Alavi ka thënë: Forcat e sigurisë së Ministrisë së inteligjencës në bashkëpunim me organet e tjera të sigurisë dhe me popullin e provincës Fars, kanë arritur të shkatërrojnë një komplot të grupeve terroriste takfiriste, të cilët kishin për qëllim të kryenin krime çnjerëzore për të penguar besnikërinë ndaj modelit të botës së lirë. Alavi ka shtuar: Në këto operacione një numër i elementëve terroriste të cilët ishin të huaj janë arrestuar dhe është konfiskuar mbi 100 kg lëndë eksplozive.

Dhe së fundi një lajm sportiv. Peshëngritësi iranian Siamand Rahman i peshës mbi 107 kg në lojërat paraolimpike, sipas sondazhit të komitetit ndërkombëtar të lojërave paraolimpike është zgjedhur si sportisti më i mirë në botë. Në këtë sondazh Siamand Rahmani, si sportisti më i fortë i lojërave paraolimpike Rio-2016 ka arritur të marrë 65% të votave. Ai është ndjekur nga Karlos Serano notuesi nga Kolumbia dhe Ihar Buko notues nga Bjellorusia. Rahman në Rio-2016 arriti të ngrejë 310 kg peshë dhe mori medalje ari. Ai deri tani ka arritur të thyejë 9 herë rekordin botëror në peshëngritje.

 

 

 

 

 

Oct 23, 2016 10:37 CET
Komente