Me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin tonë të përjavshëm kushtuar zhvillimeve të javës së kaluar në SHBA.

Në ditët e fundit të garës elektorale në SHBA, kandidatët për president të SHBA-së, Hillary Clinton dhe Donald Trump, kanë bërë fushatë në një numër të shteteve fushëbetejë, kur shpalosën platformat e tyre përfundimtare për të fituar vota në zgjedhjet e 8 Nëntorit. Kishte një zhvillim dramatik në fund të ditës së 5 nëntorit, kur Trump u largua me shpejtësi nga skena nga zyrtarët e sigurisë pas një frikësimi të rremë me armë gjatë një tubimi në shtetin Nevada. Shërbimi Sekret më vonë ka publikuar një kumtesë në të cilën thuhet se dikush nga turma ka bërtitur “armë” por asnjë armë nuk u gjet në vendngjarje. Trump ka patur udhëtime të vështira në shtetet e Iowa, Minnesota, Michigan, Pennsylvania, Virginia, Florida, North Carolina dhe New Hampshire. Trump do të zhvillojë fushatë në territorin që tradicionalisht i takon Demokratëve, gjatë ditës së dielë, me shenjën se nuk po heq dorë nga tërheqja e njerëzve jashtë Partisë Republikane. Sondazhet e fundit, të ABC/Washington Post, të publikuara në mëngjesin e së dielës, i japin Hillary Clintonit përparësi prej 5 për qind të pikëve 48 me 43. Por mesatarja e sondazheve ka qenë e ngushtë. Ndërsa sondazhet sugjerojnë se kandidati republikan Donald Trump po i rrit mbështetjet, Hillary Clinton po e përqendron fushatën e saj në shtetet qe konsiderohen të sigurta për demokratet. Në fakt, tashmë të dyja palët po përpiqen më shumë të bindin përkrahësit e tyre të votojnë se sa të ndikojnë tek të pavendosurit. Të dy kandidatët zhvilluan tubime elektorale në Ohajo dhe Pensilvani, dy shtete që mund të rezultojnë vendimtare në 8 nëntor. Manjati i pasurive të paluajtshme u tha mbështetësve në Nju Hempshire se rivalja e tij kërkon të rrisë me 550 përqind numrin e refugjatëve të lejuar në SHBA. Sipas sondazheve, Trump kryeson në Ohajo, ndërsa rivalja e tij prin me një diferencë të lehtë në Pensilvani. Deri më tani, 37 milionë njerëz e kanë thënë fjalën e tyre përmes votimit të hershëm. Autoritetet amerikane paralajmëruan për sulme të mundshme terroriste një ditë përpara zgjedhjeve, ku shënjestra të mundshme mund të jene Nju Jorku, Teksasi dhe Virxhinia. Gjithsesi një zëdhënës tha se nuk kishin specifika për kërcënimin dhe se situata po vlerësohej me kujdes. Zyrtarë federalë paralajmëruan autoritetet e Nju Jorkut për sulme të mundshme të organizatës terroriste “al-Qaeda” para ditës së zgjedhjeve, duke vënë në gjendje gatishmërie forcat lokale të sigurisë. Departamenti i Policisë së Nju Jorkut dhe autoriteti portual i Nju Xhersit thanë se kishin marrë informacione. Zyrtarë të forcave të rendit të qytetit të Nju Jorkut thanë se niveli i lartë i patrullimeve vazhdon në shumë zona të ndjeshme, por ata nuk pranuan që të japin detaje për paralajmërimin e marrë. Sipas mediave amerikane, policia e Nju Jorkut tha se nuk kishin specifikime për kërcënimin dhe se situata po vlerësohet me kujdes. Agjencia e lajmeve “Reuters”, bazuar në burimet e saj brenda qeverisë amerikane bën me dije se, Shtetet e Bashkuara kishin të dhëna për një sulm të mundshëm të “al Qaeda”-s ditën e hënë dhe për këtë lajmëroi forcat lokale, zonat e të cilave prekeshin nga informacioni i grumbulluar. Megjithëse kërcënimi nuk është cilësuar i nivelit të lartë, autoritetet vendosën të marrin masa dhe të jenë në gjendje gatishmërie. Veç Nju Jorkut, mësohet se paralajmërime i janë dërguar forcave lokale në Teksas dhe Virxhinia. FBI nuk iu përgjigj pyetjeve të medieve për këtë çështje, por siguroi se agjencitë e antiterrorit dhe sigurisë së brendshme janë vigjilente për të mbrojtur vendin në çdo situatë.

 

Politika e jashtme që do të ndjekë presidenti i ardhshëm i SHBA ka ngjallur interesim dhe ankth të madh në botë veçanërisht në një kohë tensionesh me Rusinë. Por çfarë do të ndryshojë me zgjedhjen e demokrates apo të mbështeturit nga republikanët në Shtëpinë e Bardhë? Në rast të fitores së demokrates Hillari Clinton, politika e jashtme amerikane do të jetë më e orientuar drejt Europës. Për Hillary Clinton aleancën me partnerët e kontinentit të vjetër është e domosdoshme. Ashtu si të gjithë presidentët amerikanë, megjithatë, ajo do të ketë në konsideratë më shumë marrëdhëniet me vendet individuale dhe me institucionet e BE-së. Raportet e Clinton me Rusinë janë të këqija. Ashtu janë edhe marrëdhëniet personale mes Hillary Cliton e Vladimir Putin. Mosbesimi reciprok është shndërruar kohët e fundit në një përplasje shumë të hidhur. Kandidatja demokrate akuzoi presidentin rus për manovra për të dëmtuar zgjedhjen e saj duke mbështetur Donald Trump. Stafi i Hillary Clinton ka akuzuar në mënyrë të qartë Moskën si përgjegjëse e “sulmit kibernetik” brenda serverit të Partisë Demokratike. Në perspektivë tensionet në Evropën Lindore mund të rriten, si në veri në veçanti në kufirin me Letoninë, si në Qendrën e Jugut, ku kriza ukrainase është ende e pazgjidhur. Duhet parë nëse, sapo të zgjidhet presidente, Clinton do të shohë ndonjë formulë bashkëjetese me Putin. Roli i Rusisë, për shembull, është i rëndësishëm për të gjetur një rrugëdalje për luftën në Siri. Përsa i përket politikës së SHBA në Lindjen e Mesme, mund të shihet një ndryshim në krahasim me strategjinë e presidentit Obama. Clinton është për një ndërhyrje vendimtare në Siri: do të kërkojë me forcë propozimin për një zonë të ndalim-fluturimit mbi vendin. Ndoshta edhe një qëndrim më të vendosur ndaj presidentit Bashar al Assad dhe aleatit të tij Putin. Duket e përjashtuar, për momentin, mundësia që Shtetet e Bashkuara të dërgojnë trupa në terren. Për pjesën tjetër është e konfirmuar, natyrisht, aleanca me Izraelin. Fushata Hillary Clinton, për më tepër, është financuar nga një grup i sipërmarrësish kryesorë filo-Netanjahu të komunitetit hebre. Edhe për këtë fakt, del në dritë një e panjohur në marrëdhëniet me Iranin. Clinton ka mbështetur marrëveshjen bërthamore, por në krahasim me Obamën, do të ketë një qëndrim më të matur ndaj Teheranit. Parashikimet e shumicës dërrmuese të qendrave kërkimore se çfarë do të ndodhë në rast të fitores së Donald Trump, janë gjithnjë me një tendencë katastrofike. E vërteta është se mund të bëhen parashikime të përcipta, sepse askush nuk e di se çfarë ka në të vërtetë në mendje Donald Trump. Trump është mësuar t’i konsiderojë të gjitha aspektet e jetës si transaksionet. Por kriza të tilla si Siria, ku kryqëzohen interesa kontradiktore të fuqive rajonale, fraksioneve lokale, grupeve terroriste, subjekteve fetare, nuk zgjidhen duke firmosur një çek. Ai nuk e konsideron NATO-n një institucion themelor siç ka qenë që nga lufta e deri më sot. Do të dojë ta lehtësojë, por jo ta braktisë. Do t’u kërkojë europianëve të paguajnë më shumë. Clinton nuk i jep të drejtë, sepse thotë se ajo çfarë bën Amerika në NATO nuk është një shpenzim, por një investim. Politika e jashtme është ndoshta e panjohura më e madhe në rastin e një presidence të Trump. Instinkti i tij është izolacionist, nuk ka luftëra të reja, me iluzionin se Amerika mund të ruajë ndikimin e saj pa qenë nevoja të jetë fizikisht e pranishme në çdo pjesë të botës. Shqetësues për perëndimorët  është edhe manifestimi disa herë i respektit dhe vlerësimit për Putin. Disa në Perëndim i frikësohen një afrimi në bazë të marrëveshjeve që favorizojnë në mënyrë të qartë një Rusi më perandorake.

 

Përkrahësit e kandidatit republikan Donald Trump kërcënuan se do të shkaktojnë trazira në SHBA nëse Trump humbet në zgjedhjet presidenciale. Siç njoftoi gazeta Indipendent, një grup paramilitarësh në shtetin Georgia deklaroi se do të krijojë trazira civile nëse Hillary Clinton fiton ndaj kandidatit republikan. Chris Hill, zëdhënësi i grupit paramilitar i quajtur “Forcat e sigurisë 3%”, tha se ky grup nuk do të qëndrojë duarkryq në rast të fitores së Clinton. Nga ana e tij, Presidenti i Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka thënë se vota e amerikanëve në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ketë ndikim në fatin e botës dhe "demokracinë" e Amerikës. Barak Obama, u bëri thirrje demokratëve të të gjitha përkatësive etnike të votojnë për Hillary Clintonin si presidente, duke thënë se fati i SHBA-së dhe i botës është në rrezik. Obama tha se kundërshtari republikan i Clintonit, Donald Trump, është kërcënim për të drejtat civile, të cilat janë arritur me vështirësi. Obama i bëri këto komente në një tubim në Karolinën e Veriut. Trump tha se Obama duhet të ndalojë së bëri fushatë për Clintonin dhe të përqendrohet në udhëheqjen e vendit.

 

Javën e kaluar, presidenti amerikan Barak Obama firmosi dekretin për modernizimin e bombarduesve strategjikë amerikanë B-2 dhe për pajisjen e tyre me armë të reja bërthamore. Këta bombardues janë prodhuar në vitet 1980 dhe do të mbeten pjesë e arsenalit ushtarak amerikan të paktën deri në vitin 2050. Ky vendim i presidentit amerikan merret në kushtet e tensioneve në rritje me Rusinë. Javën e kaluar, mediat ruse kanë bërë të ditur se njësi të blinduara amerikane të përbëra nga dhjetëra trupa ushtarake janë vendosur në Evropën Lindore. Ushtria amerikane synon mbështetjen e operacioneve “Vendosmëria e Atlantikut” për zgjidhjen e krizës në Ukrainë. Sipas këtij raporti, është vendosur që njësia dhjetë e forcave ajrore amerikane të vendoset në Gjermani, njësia dhjetë e forcave të blinduara amerikane të vendoset në Poloni dhe vende tjera të Baltikut. Këto njësi do të përbehen edhe  nga 4000 trupa ushtarake amerikane. Amerika, Britania dhe Kanadaja në samitin e fundit në Bruksel kanë vendosur shtimin e pranisë së avionëve luftarake dhe të njësive të blinduara në Evropën Lindore dhe në shtetet baltike. Britania ka vendosur avionë luftarakë në Rumani. Kjo është prania më e madhe ushtarake e NATO-s në afërsi të kufijve të Rusisë që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

 

Javën e kaluar, Zyra amerikane e statistikave bëri të ditur se gjatë incidenteve me armë zjarri gjatë 48 orëve të fundit janë vrarë 58 amerikanë dhe 108 janë plagosur. Ky burim shtoi se në mesin e viktimave spikasin adoleshentë, fëmijë, madje edhe foshnja. Vetëm të shtunën e kaluar kanë ndodhur 103 incidente me armë zjarri që lanë të vdekur 39 amerikanë dhe 84 të tjerë janë plagosur. Zyra amerikane e statistikave raportoi se gjatë vitit 2016 janë raportuar rreth 50 mijë incidente me armë zjarri në SHBA dhe nga këto incidente 12 538 qytetarë amerikanë janë vrarë dhe 25 937 janë plagosur. 579 prej këtyre viktimave kanë qenë fëmijë nën moshën 11 vjeç.

 

 

Nov 08, 2016 03:03 CET
Komente