Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e parë të programit të ri “Prapaskena e luftërave në 50 vitet e fundit”. Në këtë program do të analizojmë faktorët e shpërthimit të luftërave në 50 vitet e fundit. Në edicionin e parë të këtij programi do të flasim rreth natyrës së luftërave.

Lufta është një prej dukurive më të rëndësishme njerëzore dhe siç duket, lufta e ka shoqëruar njeriun vazhdimit që nga koha e vendosjes së tij në këtë botë. Nuk mund të kujtohet asnjë periudhë historike në të cilën nuk ka pasur dhunë dhe gjakderdhje si pasojë e luftës dhe konfliktit. “Lufta” është një term që me dëgjimin e tij, vështrimin e skenave dhe kujtimi i gjurmëve të saj, për secilin njeri ka domethënie të veçantë. Për disa njerëz ky term shkakton frikë dhe tmerr, për një grup tjetër ajo është bazë e shpresës, ndërsa për një grup tjetër të njerëzve, ky termë ka domethënien e shkatërrimit dhe zhdukjes. Përgjatë shekujve me radhë njeriu ka menduar rreth kësaj se çfarë është lufta? Pse krijohet lufta? Cilët janë shkaqet dhe motivet e saj? Çfarë janë gjurmët e saj mbi çështjet politike dhe sociale? Si mund të hiqet lufta nga jeta shoqërore e njeriut dhe çfarë duhet të bëjmë që lufta të shfrytëzohet në rrugën e drejtë? Me zhvillimin e teknologjisë dhe progresin e shoqërive, është ndryshuar edhe lufta, mjetet, cilësia dhe sasia e saj. Për çdo ditë shtohet numri i armëve shkatërruese kundër njerëzore dhe përveç shkatërrimit, me përdorimin e tyre, një pjesë më e gjerë e ambientit po kërcënohet nga shkatërrimi. Ajo çfarë mbetet, është vetën tregimi i hidhur i luftës. Me progresin dhe zhvillimin e shoqërive, në çdo vend, institucione dhe organe të caktuara kanë marrë përgjegjësinë e organizimit dhe kryerjes së luftës. Lufta për çdo vit po shkakton dëme shumë të mëdha për njerëzimin si dhe për mjetet materiale të shoqërisë njerëzore. Dëmet psikologjike dhe shpirtërore të njeriut si pasojë e luftës mbesin për një periudhë të gjatë. Shumë sëmundje të pashërueshme, të metat fizike, stresi, shqetësimi, dhimbja dhe vuajtjet janë pasoja dhe rezultate të luftës. Deri më tani shumë ekspertë të çështjeve politike dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare, sociologë dhe ekonomistë kanë bërë përpjekje për të hulumtuar dhe identifikuar shkaqet dhe faktorët e luftërave si dhe për gjetjen e rrugëve për parandalimi e shpërthimit të luftërave. Mirëpo dukuria e luftës përsëri ka vazhduar procesin e përkryerjes së saj. Një prej shkaqeve kryesore të kësaj çështje janë ambiciet e pakufishme të fuqive botërore të cilat gjithnjë për të ruajtur superioritetin e tyre dhe për të imponuar politikat e interesave të tyre hegjemonistë, me mjete dhe metoda të ndryshme mundohet që ta prishin ekuilibrin në botë. Këto shtete për krijimin e luftërave përdorin lloj-lloj intriga politike, ekonomike dhe propagandistike në mënyrë që të shesin mjetet dhe pajisjet e tyre ushtarake. Është interesant fakti se përsëri këto shtete paraqiten në arenën ndërkombëtare dhe ndërmjetësojnë për vendosjen e armëpushimit mes dy palëve duke i ftuar ato në vetëpërmbajtje.  

Të vërtetat dëshmojnë këtë realitet të hidhur se aktualisht vet këto shtete të cilat po pretendojnë për vendosjen e paqes, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, për luftën kundër terrorizmit dhe luftën kundër armëve kimike, janë shkelësit më të mëdhenj të këtyre rasteve në botë, ndërsa pretendimet në këtë drejtim janë vetëm pretekste që bëhet nga këto shtete me qëllim që t’i realizojnë interesat e tyre. Një analizë e politikës dhe e veprimeve kundër njerëzimit të këtyre shteteve gjatë 50 viteve të fundit e dëshmon më së mirë këtë çështje. Në këtë mes roli i Amerikës në luftërat e 50 viteve të fundit në rajone të ndryshme të botës është më i dalluar. Në gjysmën e dytë të shekullit 20, SHBA në dhjetëra raste në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pushtuar ushtarakisht shtete të ndryshme të botës ose i ka kërcënuar shtetet e tjera për ndërhyrje ushtarake. Duke analizuar procesin e ndërhyrjeve të SHBA në punët e brendshme të shteteve të botës gjatë gjysmë shekulli të kaluar, njëkohësisht me udhëheqjen e 16 presidentëve nga Partia e Demokratëve dhe Partia Republikane, mund të vërehet shumë qartë roli i Amerikës në shumë prej luftërave që kanë ndodhur në botë. Ndërhyrjet e hapura nëpërmjet zbarkimit të forcave ushtarake, kërcënimeve ushtarake ose organizimi i grusht shteteve ushtarake për rrëzimin e qeverive të cilat nuk pranojnë politikat e njëanshme dhe hegjemoniste të Amerikës, si dhe zëvendësimi i tyre nga qeveri të cilat realizojnë interesat kapitaliste, janë disa prej metodave të cilat i ka përdor Amerika gjatë gjysmë shekulli të kaluar për të çuar përpara interesat e saj. Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, Amerika në kuadër të planit për rindërtim hyri në Evropë dhe duke depërtuar në sistemin ekonomik dhe industrial të shteteve të dëmtuara nga lufta, krijoi rrethanat e përshtatshme për ndërhyrje me të gjera në të ardhmen e atyre shteteve. Në atë kohë, industritë e Amerikës arritën të ndikojnë mbi industritë e ngjashme të shteteve të tjera si dhe t’i bëjnë konkurrencë atyre edhe në tregjet e brendshme. Ky superioritet ekonomik krijoi edhe superioritet politik, kulturor dhe ushtarak për Amerikën, prandaj gjatë kësaj periudhe u vendosen themelet e ndërhyrjeve politike të Amerikës në shtetet e tjera të botës. Me krijimin e OKB pas Luftës së Dytë Botërore, Amerika duke fituar të drejtën e përdorimit të vetos në këtë organizatë, stabilizoi edhe më shumë superioritetin e vet për ndërhyrje të hapur në punët e brendshme të shteteve të tjera. I vetmi kërcënues serioz i interesave të Amerikës gjatë kësaj periudhe konsiderohej BRSS dhe që nga ajo kohë filloi periudha e luftës së ftohtë mes këtyre dy superfuqive, ndërsa bota u nda në dy pole, blloku i lindjes dhe blloku i perëndimit. Gjatë kësaj kohe Amerika me nënshkrimin e Paktit Veri-Atlantik (NATO), e stabilizoi praninë e saj ushtarake në Amerikën Veriore dhe në Evropën Perëndimore, ndërsa me ndërhyrjen për vendosjen e policisë ndërkombëtare në Gadishullin Korean, vendosi praninë e saj ushtarake edhe në këtë rajon që krizat e krijuara më vonë mes dy Koreve, kanë qenë rezultat e i pranisë ushtarake të SHBA në Gadishullin Korean. Gjithashtu që nga viti 1947 dhe që nga pushtimi i Palestinës, praktikisht qendra e depërtimit të sionizmit u transferua në Amerikë, ndërsa Amerika duke mbështetur regjimin uzurpues sionist, vendosi praninë e saj ushtarake edhe në Lindjen e Mesme. Pas shpërbërjes së BRSS në vitet 1990-ta, u zgjeruan rrethanat e ndërhyrjes së Amerikës në rajone të ndryshme të botës.

Mishell Kolen, gazetar belg dhe anëtar i lëvizjes “Axis for Peace”, në një artikull të tij ka analizuar rolin e Amerikës në shumicën e luftërave që janë zhvilluar në 50 vitet e fundit. Ai shkruan: “Amerika nëpërmjet mjeteve të komunikimit grupor, shumë luftëra për të cilat kishte vendosur që t’i ndezi dhe që më vonë i ka zhvilluar ato, me gënjeshtra të ndryshme të cilat zbulohen në mënyrë graduale nga faktorë të ndryshëm, i ka quajtur “të arsyeshme dhe të ligjshme”. Mishel Kolen në vazhdim paraqet dhjetë shembuj të luftërave të cilat Amerika i ka zhvilluar me pretekste të pavërteta. Sipas tij, lufta e Vietnamit, Granadas, Panamasë, Irakut në vitin 1991, Somalisë, Bosnjës, Jugosllavisë, Afganistanit, Irakut 2003, si dhe lufta Venezuelë- Ekuador, janë prej luftërave që dëshmitë e paraqitura më vonë kanë treguar se këto luftëra janë filluar nga Amerika në bazë të gënjeshtrave mediale dhe nuk kanë pasur rezultat tjetër, përveç vrasjes së qytetarëve dhe shkatërrimit të këtyre shteteve. Nëse i hedhim një vështrim të kaluarës dhe veprimeve të Amerikës në Lindjen e Mesme në dekadën e fundit, gjithashtu dëshmohet se veprimet ushtarake që janë bërë nga Amerika me pretekst të luftës kundër terrorizmit, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe luftës kundër përdorimit të armëve kimike, jo vetëm që nuk kanë sjell asnjë rezultat, por atë kanë shkaktuar trazira, pasiguri, si dhe prapambetje për shtetet e pushtuara si dhe për të gjithë rajonin. Amerika në vitin 2001, me pretekst të sulmeve terroriste të 11 Shtatorit dhe të luftës kundër terrorizmit, sulmoi ushtarakisht Afganistanin, ndërsa në vitin 2003, me pretekst të shkatërrimit të armëve kimike dhe vrasjes në masë, sulmoi dhe pushtoi Irakun. Kjo është në kohën kur vet Amerika ka luajtur rol të rëndësishëm në formimin në fillim dhe më vonë në forcimin e terrorizmit në Afganistan dhe zgjerimin e tij në Lindjen e Mesme, dhe gjithashtu në zhvillimin e armëve kimike të Irakut duke mbështetur Sadam Huseinin në luftën imponuese kundër Iranit. Me bindje mund të thuhet se duke analizuar në mënyrë të veçantë secilën prej luftërave në 50 vitet e fundit që janë zhvilluar në botë, do të zbulohet natyra e vërtetë e shteteve hegjemoniste e sidomos e Amerikës në ndezjen e luftërave. Kështu që gjatë edicioneve të këtij programi do të analizojmë disa prej këtyre luftërave dhe do të zbulojmë prapaskenën e tyre. Në edicionin e ardhshëm do të flasim rreth luftës më të gjatë të shekullit 20, do të thotë rreth luftës së Vietnamit, luftë kjo e cila sipas Noam Çamski, sociolog amerikan, ka qenë një luftë e gjatë dhe tmerrshme të cilën Amerika e ka zhvilluar për realizimin e objektivave të saj politike dhe ka përfunduar duke paguar një çmim shumë të madh, si shkatërrimin e një pjese të madhe të Indisë dhe Kinës, gjë që ka lënë një trashëgimi e cila vështirë se mund të shlyhet ndonjë herë.


Feb 16, 2016 05:36 CET
Komente