Me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin tonë të përjavshëm ku do të flasim mbi zhvillimet më të rëndësishme të javës së kaluar në Europë.

Javën e kaluar, presidenti në ikje i SHBA zhvilloi turneun e fundit të tij në Europë. Obama ka detyrën e vështirë të sigurojë aleatët nervozë se Presidenca “Trump” nuk do të jetë aq e keqe sa druhen ata. Obama nxiti Europën që të mbrojë marrëveshjen bërthamore me Iranin dhe paktin e Parisit për klimën, dy tema të sulmuara nga Trump. Udhëtimi i tij i lamtumirës në Europë  ishte i trishtuar, pasi fuqia e Obamës po venitet. Obama, president historik, tashmë është thuajse histori. Ndërsa Trumpi është i vendosur të zhbëjë pjesën më të madhe të punës së tij. Presidenti në ikje i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama dhe liderët e vendeve të BE-së kanë riafirmuar zotimin e tyre për unitetin e NATO-s dhe për sanksionet kundër Rusisë për rolin e saj në krizën ukrainase. Të mbledhur në Berlin, liderët e Perëndimit kanë kritikuar gjithashtu Rusinë për sulmet ajrore në Siri dhe kanë shprehur shqetësimin e tyre për gjendjen humanitare në vend. Ky ishte samiti i parë i liderëve qëkur Donald Trump fitoi zgjedhjet presidenciale amerikane, i cili e ka kritikuar disa herë NATO-n dhe ka shprehur shpresën për marrëdhënie më të ngrohta me Moskën. Në kryeqytetin gjerman, presidenti Obama, është takuar me kancelaren gjermane Merkel, kryeministren britanike Theresa May, presidentin francez Francois Hollande, kryeministrin italian Renzi dhe atë spanjoll, Rajoy.  Një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë thuhet se, krerët e shteteve kishin vlerësuar njëzëri rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit përmes institucioneve, përfshirë Aleancën e Atlantikut të Veriut. “Ata ranë dakord sa i takon nevojës për të çuar përpara axhendën ndërkombëtare, në veçanti për të rikthyer stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut”, thuhet në deklaratë. Barack Obama i kërkoi pasaardhësit të tij, Donald Trump që t’i qëndrojë përballë Rusisë në mbrojtje të vlerave dhe normave ndërkombëtare. Duke folur nga Berlini, ai tha se shpresonte që presidenti i zgjedhur nuk do të zbatonte thjesht realpolitikën me Rusinë, por edhe t’i kundërvihet asaj kur shkel vlerat dhe normat ndërkombëtare. Ai paralajmëroi gjithashtu edhe atë që njihet si lufta moderne kibernetike, duke thënë se është e qartë se Rusia është e përfshirë drejtpërdrejtë në sulmet kibernetike në Shtetet e Bashkuara.

 

Barack Obama dhe Vladimir Putin, nuk e kanë fshehur armiqësinë mes tyre. Në një takim të zhvilluar javën e kaluar në Peru ku mbahej një samit ekonomik, Obama dhe Putin kanë shkëmbyer një shtrëngim duarsh shumë të ftohtë. Shtëpia e Bardhë tha se ata kanë zhvilluar edhe një takim, që ka zgjatur vetëm 4 minuta. Marrëdhëniet mes Obamas dhe Putin janë acaruar sidomos pas ndërhyrjeve në Siri dhe rusët tani shpresojnë që me zgjedhjen e Trump, situata mes SHBA-së dhe Rusisë të qetësohet. Nga ana tjetër, presidenti rus, Vladimir Putin konfirmoi gjatë mbledhjes së vendeve të Azi-Paqësorit (APEC), në Peru, se kërkon të normalizojë marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Rusisë. “Donald Trump ka konfirmuar qëllimet e tij për të normalizuar marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Rusisë, edhe unë kërkoj të njëjtën gjë”, ka deklaruar Vladimir Putin. Putin ka bërë gjithashtu edhe një bilanc të marrëdhënieve me presidentin Barack Obama ku thekson se “ishte e vështirë të punonin bashkë. Por kemi respektuar njëri-tjetrin dhe pozicionet tona”.

 

Zgjedhja e ish-gjeneralit Rumen Radew, si president i ri i Bullgarisë, kërcënon të sjellë një destabilizim të ri në kufirin e brishtë mes Turqisë dhe Europës së tronditur nga krizat. Kjo, jo vetëm sepse ai është mik i Rusisë, por edhe sepse vendi do të jetë praktikisht pa qeveri në muajt e ardhshëm. Problemi qëndron më shumë në faktin se, me zgjedhjen e tij vjen një president pa përvojë, i orientuar nga nacionalizmi, i cili deri më tani nuk ka lënë ndonjë përshtypje të madhe politikisht. Qeveria e pakicës e kryeministrit Boiko Borisov, partia “GERB” e të cilit është pjesë e Partisë Popullore Europiane, ka dhënë dorëheqjen, sepse kandidatja e tyre Zezka Zatsheva u mund me diferencë të dukshme në zgjedhje. Borisov kishte përmendur që më parë se do të jepte dorëheqjen nëse nuk fitonte Zatsheva, e me këtë ai donte të mobilizonte votuesit, por siç u pa, këto truke nuk arritën të kompensonin dot mungesën e popullaritetit dhe ideve të kandidates së përkrahur prej tij. Presidenti në largim, Rosen Plevneliev pritet të kryesojë negociatat për formimin e një qeverie “kujdestare”, ndërsa zgjedhjet e parakohshme priten jo më vonë sesa marsi i vitit që vjen. Ekspertët paralajmëruan se zgjedhja e Rumen Radew do të nënkuptonte ndjekjen e një politike proruse. Kjo përshtypje është krijuar pasi, ish-gjenerali është kandidat i Partisë Socialiste, tradicionalisht proruse dhe sepse ai praktikisht e ka njohur aneksimin e Krimesë. Por ai nuk do të jetë presidenti i vetëm që mund të ndjekë një axhendë pro Moskës. Edhe zgjedhjet në Moldavi rezultuan gjithashtu me fitoren e një kandidati prorus, Igor Dodon, i cili fitoi në raundin e dytë. Dodon, që kërkon rivendosjen e marrëdhënieve të ngushta me Moskën, siguroi 52.37 për qind të votave, kundrejt 47.63 për qind të kandidates proeuropiane Maia Sandu.

 

Rezultati i zgjedhjeve presidenciale në Bullgari dhe Moldavi, ku triumfuan kandidatët ‘pro’ Moskës, nuk është një ogur i mirë për Perëndimin. Megjithatë, këto zhvillime të reja politike nuk duhet të jenë suprizuese as për vendimmarrësit në BE dhe as për ata të aleancës mbrojtëse të Atlantikut të Veriut. Një çerek shekulli pas rënies së Perdes së Hekurt gjithnjë e më shumë njerëz nga ish-blloku lindor janë zhgënjyer prej Perëndimit. Entuziazmi fillestar për Europën është pasuar nga zhgënjimi, që është kthyer në një tokë perfekte pjellore për tendencat populiste e nacionaliste. Çekia, Sllovakia dhe Hungaria ka disa kohë që flirtojnë me Rusinë e kanë mbajtur të hapur opsionin e afërsisë me Moskën, pa vrarë mendjen për konsensusin në Bruksel. Edhe vendet sllavo-ortodokse të Ballkanit Perëndimor pavarësisht përpjekjeve për integrim në BE nuk duan të prishen me vëllain e madh në Moskë. Putin me zgjuarsi ka ditur që t'i shfrytëzojë këto varësi ekonomike e kryesisht ato në fushën e energjetikës për qëllime politike. Suksesi është i dukshëm: zgjedhjet fitohen gjithnjë e më shumë prej politikanëve miqësore ndaj Rusisë. Përballë këtyre zhvillimeve e gjithashtu paqëndrueshmërisë së NATO-s dhe premtimeve për ndryshime vendimtare nën presidencën e Trumpit, Europa duhet të konceptoje një strategji të re. Ndonëse ka konsensus në aleancë për forcimin e krahut lindor, jo të gjitha shtetet duan të bashkëveprojnë në të njëjtën masë. Vendet e Balltikut, Polonia dhe Rumania janë të vetmet shtete në lindje të Europës, që janë të lidhura ngushtë me SHBA-në dhe përgatiten në mënyrë aktive ndaj ndonjë kërcënimi të mundshëm ushtarak prej Rusisë.

 

Ka mbetur më shumë se një javë nga dita kur italianët do të votojnë në referendumin më të debatuar për ndryshimet kushtetuese. Palët politike janë ata që tashmë po japin maksimumin me ture në qytete të ndryshme dhe me mesazhe në media për tu rekomanduar qytetarëve votën po ose jo mbi reformën, që do të ulte shpenzimet qeveritare dhe numrin e deputeteve në parlamentin dhe senatin italian. Por e diela e katër dhjetorit shihet edhe si një test i drejtpërdrejtë për kryeministrin Mateo Renzi, i cili fillimisht tha se do të dorëhiqej nëse italianët do të votonin kundër reformës kushtetuese, por më pas u tërhoq nga ky premtim, teksa aktualisht janë kundërshtarët e tij veçanërisht ata të Lëvizjes “5 Yje”, që kërkojnë largimin e tij nga skena italiane e politikës nëse fiton alternativa jo. “Një popull i pjekur voton në liri të plotë pa ndjekur polemikat e fundit”. 4 dhjetori do të jetë një shfaqje e madhe e demokracisë, deklaroi Renzi, teksa i ka kthyer përgjigje edhe ish-kryeministrit Silvio Berluskoni i cili ka shprehur votën e tij kundër referendumi dhe ka sulmuar Renzin për qëndrimin e tij në detyre pavarësisht rezultatit të referendumit. “Nuk votohet për mua, por për superim të bikameralizmit, kam respekt për Berluskonin por nuk e kuptoj pse mendon gjithmonë për mua”, u shpreh Renzi. Kryeministri italian do të mbajë  javën e ardhshme një konferencë për shtyp për të shpjeguar të gjithë procedurën e votimit.

 

 

Tags

Nov 28, 2016 08:32 CET
Komente