• Speciale për zgjedhjet

Zgjedhjet për mandatin e dhjetë të Parlamentit Islamik dhe zgjedhjet për mandatin e pestë të Këshillit të Ekspertëve të Iranit do të zhvillohen më 26 shkurt 2016.

Një prej karakteristikave të demokracisë në sistemin e Republikës Islamike të Iranit është referimi sistematik në votën e popullit për të zgjedhur funksionarët e shtetit duke përshirë presidentin, përfaqësuesit e Këshillit të Ekspertëve të Udhëheqjes, deputetët e Parlamentit Islamik dhe këshillat bashkiak. Përgjatë 37 viteve të kaluara të Revolucionit Islamik, janë organizuar me sukses mbi 30 palë zgjedhje në Iran. Qytetarët në mënyrë të lirë kanë marrë pjesë në procesin e zgjedhjeve dhe kanë hedhur votën e tyre në kutitë e votimit dhe kanë deklaruar mendimin e tyre në lidhje me qeverisjen e shoqërisë duke vërtetuar kështu sistemin shtetëror demokratik të Republikës Islamike të Iranit. 

Një prej zgjedhjeve të rëndësishme të cilat do të organizohen në ditët e ardhshme në Iran, janë zgjedhjet e dhjeta parlamentare dhe zgjedhjet e pesta për Këshillin e Ekspertëve të Udhëheqjes të cilat zhvillohen më 26 shkurt 2016. Përveç rëndësisë qenësore të Parlamentit dhe nevojën për zgjedhjen e personave të merituar për deputet të popullit në Parlament, periudha kohore aktuale ka ndjeshmëri të veçantë dhe në këtë mënyrë është bërë shkak që këto zgjedhje të kenë rëndësi shumë më të madhe. Këto zgjedhjeje janë zgjedhjet e para pas zgjedhjeve të dhjeta presidenciale të Republikës Islamike të Iranit dhe pjesëmarrja e gjerë e qytetarëve në këto zgjedhje mund të dërgojë një mesazh të rëndësishëm për armiqtë si dhe t’i japë një përgjigjeje të fortë propagandave negative të tyre kundër sistemit të Republikës Islamike të Iranit. Mandati i dhjetë i Parlamentit në vazhdim të veprimtarisë dhe programeve të miratuara gjatë mandatit të nëntë ku përfshihen planet ekonomike si dhe obligimet e qeverisë pas zbatimit të marrëveshjes bërthamore, duhet të luajë një rol me përgjegjësi më të madhe në kuadër të planeve të kaluara dhe gjithashtu në hartimin e programeve të ardhshme. Realizimi i qëllimeve të sistemit të Republikës Islamike të Iranit dhe prioritetet parësore të shoqërisë, sidomos në fushën ekonomike dhe të punësimit, janë çështjeje që theksohen nga qeveria, prandaj edhe Parlamenti duhet të krijojë rrethanat e nevojshme për të çuar përpara këto qëllime. Republika Islamike e Iranit deri më tani me sukses dhe krenari ka tejkaluar sprova të ndryshme, mirëpo ende nuk kanë përfunduar armiqësitë e arrogancës botërore kundrejt Iranit. Armiqësitë e arrogancës botërore kundër Iranit janë një prej faktorëve që kanë shumëfishuar rëndësinë e zgjedhjeve për Parlamentin e Iranit nga çdo aspekt, si nga niveli i pjesëmarrje së qytetarëve, ashtu edhe nga aspekti i rezultateve të këtyre zgjedhjeve. Çështja kryesore në zgjedhjeje është pjesëmarrja sa më e gjerë e qytetarëve, mirëpo përkrah kësaj pjesëmarrje janë paraparë edhe disa kritere dhe standarde për të zgjedhur personat më të merituar. Pesha e kësaj përgjegjësie në fillim të procesit është mbi Ministrinë e Brendshme si përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve dhe në fazën tjetër, do të thotë në shqyrtimin e plotësimit të kushteve nga ana e kandidatëve që paraqiten për deputetë të ardhshëm të Parlamentit, është mbi anëtarët e Këshillit të Rojave të Kushtetutës së Republikës Islamike të Iranit. Prandaj ky proces gjithashtu ka rëndësi të madhe. Zgjedhjet në bazë të ligjit kanë disa procese dhe faza. Shqyrtimi i kushteve që duhet të plotësohen nga personat që paraqesin kandidaturën për deputet të Parlamentit është një prej këtyre proceseve që kryhet nga Këshilli i Rojave të Kushtetutës.

Regjistrimi i kandidatëve për përfaqësues të Këshillit të Ekspertëve të Udhëheqjes dhe për deputetë të Parlamentit Islamik dhe pastaj shqyrtimi i kushteve të nevojshme për konfirmim ose refuzim të kandidatëve dhe pastaj organizimi dhe vërtetimi i korrektësisë së zgjedhjeve, janë bërë shkak që të shumëfishohet rëndësia e institucionit të Këshillit të Rojave të Kushtetutës në Republikën Islamike të Iranit. Këshilli i Rojave të Kushtetutës nga ky aspekt është një prej institucioneve kryesore në sistemin e Republikës Islamike të Iranit. Nenet 91 dhe 99 i Kushtetutës në mënyrë të qartë përcaktojnë kushtet, detyrat, numrin e anëtarëve dhe përgjegjësitë e këtij institucioni dhe me këtë rast është theksuar se Këshilli i Rojave është një prej organeve më të rëndësishme të Republikës Islamike të Iranit. Ky organ ka për detyrë të përcaktojë se ligjet e Parlamentit Islamik nuk janë në kundërshtim me ligjin, sheriatin dhe interpretimin e Kushtetutës, si mbikëqyrjen e zgjedhjeve për Këshillin e Ekspertëve, të zgjedhjeve presidenciale dhe të referendumeve të tjera që mund të zhvillohen në Iran në lidhje me çështjeje të ndryshme, mbrojtjen e Kushtetutës dhe të dispozitave të Sheriatit Islam. Lideri suprem i Revolucionit Islamik të Iranit gjithashtu shumë herë ka theksuar në rëndësinë e institucionit të Këshillit të Rojave të Kushtetutës si dhe në rolin e madh të këtij organi. Ai në një fjalim të tij ka thënë: “Këshilli i Rojave të Kushtetutës në bazë të ligjit, ka për detyrë të parandalojë hyrjen e personave dhe elementëve të dyshimtë në institucionet shtetërore të Republikës Islamike të Iranit. Nëse Këshilli i Rojave nuk do ta kishte përsipër këtë përgjegjësi, me siguri se sistemi i Republikës Islamike do të përballej me shumë probleme të ndryshme”. Në këtë mes mund të ndodhin disa parregullsi të vogla, mirëpo nuk duhet që me propaganda dashakeqëse dhe me zmadhimin e gjërave, të vendoset në pikëpyetje e gjithë struktura e këtij organi të rëndësishëm si dhe detyrat e tij ligjore. Ajetullah Khamenei ka theksuar gjithashtu se mbrojtja e të drejtave të kandidatëve vullnetarë është një e drejtë e njerëzve dhe respektimi i kësaj të drejte është një prej të drejtave popullore. Prandaj nëse një kandidatë i plotëson të gjitha kushtet dhe e meriton detyrën për të cilën konkurron, ne nuk duhet ta refuzojmë atë, por duhet të krijojmë kushtet për pjesëmarrjen e tij. Prandaj, Këshilli i Rojave të Kushtetutës ka një pozitë të rëndësishme dhe të dalluar në sistemin e Republikës Islamike të Iranit. Nëse do t’i hedhim një vështrim krahasues numrit të kandidatëve të regjistruar në zgjedhjet e para deri në zgjedhjet e nënta, shifra më e vogël ka qenë 2000 kandidatë, mirëpo në zgjedhjet e dhjeta numri i kandidatëve të regjistruar ka shkuar deri në 12 mijë persona dhe ky llogaritet një rekord. Këshilli i Rojave të Kushtetutës nga gjithsej 12 mijë kandidatë të regjistruar për zgjedhjet e dhjeta të Parlamentit Islamik, ka konfirmuar 6180 kandidatë. Kjo shifër përbënë rreth gjysmën e kandidatëve që janë regjistruar si deputetë për mandatin e dhjetë të Parlamentit Islamik të Iranit.

Populli i Iranit në bazë të standardeve dhe kritereve ligjore zgjedh kandidatët e preferuar të tij nga kandidatët që janë konfirmuar nga Këshilli i Rojave. Autoritetet përkatëse gjithashtu do të krijojnë kushtet dhe rrethanat e përshtatshme për votim. Në këtë proces përveç vëzhgimit të organeve ekzekutive dhe vëzhgimit mbi procesin e zgjedhjeve në Iran, edhe deputetët e Parlamentit Islamik do ta vëzhgojnë procesin e zgjedhjeve. Këshilli i Rojave gjithashtu, si një organ mbikëqyrës i paanshëm, duhet të bëjë përputhjen e kushteve të kandidatëve me rregullat ligjore dhe zbatimin e ligjeve përkatëse, si dhe me mbikëqyrjen mbi të gjithë procesin e zgjedhjeve, duhet të garantojë një proces të lirë dhe të shëndoshë të zgjedhjeve. Mbikëqyrja mbi procesin e zgjedhjeve nga një aspekt bëhet me qëllim që të parandalohen parregullsitë dhe falsifikimet në procesin zgjedhor, ndërsa nga ana tjetër, përfshinë edhe plotësimin e kushteve të nevojshme nga kandidatët. Prandaj, në radhë të parë kandidatë duhet të kenë kushtet e caktuara për tu zgjedhur. Kjo çështjeje ka rëndësi shumë të madhe dhe në çdo zgjedhjeje që zhvillohen në vende të ndryshme të botës në këtë fushë janë paraparë standarde dhe kritere të caktuara. Prandaj edhe në sistemet mbikëqyrëse mbi procesin e zgjedhjeve në vendet e tjera të botës ekziston një organ i ngjashëm me Këshillin e Rojave, prandaj kjo nuk është e papritur ose një gjë e re. Shumica e vendeve të cilat kanë sistem demokratik të qeverisjes, kanë organe të caktuara për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit dhe proceseve të tjera vendimmarrëse. Këshilli i Kushtetutës në Francë dhe Rusi, Kuvendi Popullor dhe Senati në Angli, Gjykata e Kushtetutës në Egjipt dhe organe të tjera të ngjashme në vendet e ndryshme të botës luajnë rol të ngjashëm në këtë drejtim. Në realitet, votuesit duke besuar në faktin se çdo kandidatë plotëson kushtet e nevojshme në përputhje me Kushtetutën dhe në bazë të së drejtës qytetare, me pjesëmarrje në zgjedhje, deklarojnë mendimin e tyre. Prandaj shqyrtimi i plotësimit të kushteve nga kandidatët është një punë e vështirë dhe pikërisht kjo çështje nganjëherë bëhet shkak për krijimin e mosmarrëveshjeve dhe për shprehjen e protestave politike në lidhje me mënyrën e shqyrtimit të plotësimit të kushteve të kandidatëve. Natyrisht se shqyrtimi i ankesave në këtë drejtim gjithashtu, ka alternativen e vet ligjore dhe kjo është një e drejtë e rezervuar për të gjithë kandidatët për paraqitjen e ankesave ligjore në lidhje me rezultatin e shqyrtimit të plotësimit të kushteve të caktuara. Sidoqoftë kjo fazë e zgjedhjeve dhe përcaktimi i kandidatëve përshkohet me rrethana shumë të ndjeshme. Në standardet dhe kushtet për zgjedhjen e deputetëve, janë paraparë kushte të përgjithshme si mosha, niveli i arsimit, meritat morale, karriera, zotimi ndaj sistemit të Republikës Islamike dhe respektimi i parimeve islame. Përveç këtyre kushteve, është theksuar edhe në paanshmërinë e atyre të cilët kanë funksione shtetërore dhe qeveritare. Gjatë këtij procesi të shqyrtimit, mbështetën gjithnjë interesat e shoqërisë. Prandaj meritat e personave që në rast të zgjedhjes, mund të ndodhë të bien në kontradiktë për shkak të marrëdhënieve ekonomike me organet dhe institucionet publike dhe private, nuk konfirmohen nga organet përkatëse.

Pjesëmarrja në zgjedhje në çfarëdo kushte dhe rrethanash është e drejtë legjitime e qytetarëve në sistemin e demokracisë fetare, mirëpo nëse bëhet ndonjë parregullsi në zgjedhje, atëherë nuk do të realizohet në mënyrë korrekte kjo e drejtë legjitime dhe qytetarët pas zgjedhjeve duhet të durojnë një mandat 4 vjeçar. Për këtë arsye përcaktimi i kandidatëve të merituar është theksuar në masë të madhe nga Imam Khomeini (ra) dhe nga lideri suprem i Revolucionit Islamik të Iranit Ajetullah Khamenei. Ajetullah Khamenei në një rast në lidhje me këtë çështjeje ka theksuar: “Ashtu siç është pjesëmarrja në zgjedhje një detyrë, edhe zgjedhja e mirë dhe e vetëdijshme është një detyrë”. Natyrisht se disa mendojnë që organizimi i zgjedhjeve në çfarëdo vendi të botës ka rrënjë në traditën dhe kulturën e atij populli. Prandaj në lidhje me meritat dhe autoritetin e personave për tu zgjedhur në zgjedhje në të gjitha vendet e botës janë paraparë kushte dhe kritere të caktuara që disa mund edhe të konsiderohen kufizime për kandidatët. Në shumicën e rasteve procesi i zgjedhjeve në vendet e tjera zhvillohet në mënyrë edhe më të komplikuar se sa në Republikën Islamike të Iranit. Në realitet, dilemat që paraqitën në lidhje me formën dhe mënyrën e organizimit të zgjedhjeve, janë rezultat i mosnjohjes së mjaftueshme të ligjeve të atij vendi. Sidoqoftë dëshirë e popullit, qeverisë dhe klasës intelektuale të Iranit është organizimi i zgjedhjeve me pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve iranianë më datë 26 shkurt duke zgjedhur kandidatë të zotë dhe me aftësi të larta politike, shkencore, kulturore dhe fetare.

Feb 24, 2016 10:48 CET
Komente