Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Ejani me ne në Iran".

Edicionin e sotëm do ta vazhdojmë aty ku e lamë edicionin të kaluar, do të thotë do të vazhdojmë me udhëtimin tonë në provincën Azerbajxhani Lindor në veriperëndim të Iranit, ku do të njihemi më shumë me qytetin Tabriz si qendër e kësaj province. Me këtë rast do të prezantojmë disa objekte të tjera historike të qytetit Tabriz.

Qyteti Tabriz, gjithashtu, si shumë qytete të tjera të mëdha historike të Iranit, ka shumë objekte dhe monumente të çmuara historike që disa prej tyre konsiderohen prej kryeveprave të artit të arkitekturës dhe zbukurimeve me pllaka gjipsi në Iran. Monumentet dhe objektet e bukura historike të cilat tregojnë zhvillimin e industrisë, artit dhe kulturës së vjetër të këtij vendi. Për fat të keq shumë objekte antike historike të Tabrizit janë shkatërruar gjatë kalimit të kohës ose për shkak të fenomeneve natyrore si tërmeti i përsëritshëm, përmbytjet e lumenjve, si dhe për shkak të sulmeve ushtarake të të huajve dhe në fund mund të thuhet edhe për shkak të mos përkushtimit në masë të duhur të autoriteteve përkatëse në të kaluarën për mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e këtyre veprave të mëdha historike. Në përgjithësi ato objekte historike që aktualisht akoma ndodhen në Tabriz, i përkasin periudhës së sundimit të dinastisë Ilkhani të mongolëve dhe dinastisë iraniane Safavite. Secili prej këtyre objekteve dhe veprave, në vete paraqesin artin e arkitekturës sidomos zbukurimit me pllaka gjipsi të periudhës përkatëse në të cilën janë ndërtuar. Një prej monumenteve të çmuara historike në qytetin Tabriz, padyshim se është tregu i këtij qyteti i cili me harqet dhe kupolat e tij të pashembullta, hyjnë në kategorinë e kryeveprave të arkitekturës iraniane.

Qyteti i Tabrizit për shkak se ndodhet në rrugën Lindje dhe Perëndim, që nga fillimi ishte një qendër e shkëmbimeve tregtare të vendeve evropiane dhe aziatike. Kjo është për arsye se ekzistonin shumë produkte bujqësore dhe industriale të cilat eksportoheshin në vendet më të largëta të botës. Shkëmbimet tregtare u bënë shkak që Tabrizi të ketë tregje dhe qendra të mëdha për shkëmbimin dhe shitblerjen e mallrave të ndryshëm. Tregu i Madh i Tabrizit, gjithashtu, është ndërtuar pikërisht në bazë të kësaj nevoje. Ky treg historik edhe pas shumë shekujve, akoma ka rëndësinë e tij të veçantë.  

Tregu i Tabrizit me një sipërfaqe rreth 1.000.000 m2, konsiderohet monumenti më i madh historik i Iranit nga aspekti i sipërfaqes dhe objekti më i madh i ndërtuar me qerpiç dhe me çati të mbuluar në botë, i cili ndodhet në qendër të qytetit Tabriz. Nuk ekzistojnë të dhëna të sakta se kur është krijuar për herë të parë ky treg, mirëpo disa dëshmi historike pohojnë se historiku i këtij tregu daton që nga periudha e dinastive Selxhuke dhe Sasanite. Tregu i Tabrizit për shkak të disa tërmeteve, është shkatërruar disa herë, mirëpo për shkak të rëndësisë së tij, pas çdo shkatërrimi, është rindërtuar përsëri. Objekti aktual i tregut daton që nga periudha e sundimit të dinastisë Zandije dhe në fillim të sundimit të dinastisë Ghaxhare në Iran, do të thotë rreth tre shekuj më parë.

Tregu i Tabrizit që nga fillimi i ndërtimit e deri në periudhën bashkëkohore, gjithnjë ka qenë një prej qendrave të rëndësishme tregtare të Iranit. Ky treg përveç funksioneve ekonomike dhe tregtare, ka luajtur një rol të pamohueshëm edhe në sferat e ndryshme shoqërore, fetare dhe politike.

Ky monument në vitin 1975, u regjistrua në listën e trashëgimisë kombëtare të Iranit dhe në bazë të ligjit, është i mbrojtur nga Organizata e Trashëgimisë Kulturore e Iranit. Tregu i Tabrizit në verën e vitit 2010, si tregu i parë në botë, u regjistrua në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Në këtë kompleks ndodhen mbi 160 elementë të ndryshëm të cilët e kanë shndërruar tregun në një vend të plotë dhe universal për veprimtari të ndryshme. Karvansarat e shumtë, korridoret dhe rrugët me dyqane, xhamitë, shkolla, tregjet e vogla, hamami dhe vendi i sporteve të vjetra, të gjitha ndodhen në këtë kompleks historik.

Tregu i Tabrizit, ashtu si tregjet e tjera iraniane, përfshinë pjesë dhe sektorë të ndryshëm si tregu Amir, tregu i këpucëtarëve, tregu i argjendarisë, tregu i kapelave, tregu i bakërpunuesve, korridori Mozafarije dhe pjesë të tjera.  

Në këtë edicion nuk ka mundësi të prezantojmë të gjitha sektorët, prandaj po përshkruajmë shkurtimisht tregun Amir dhe korridorin Mozafarije pasi kanë një famë dhe rëndësi të veçantë.

Tregu, karvansarai dhe korridori Amir, konsiderohet një prej tregjeve më të rëndësishme të Tabrizit. Ky treg aktualisht është një prej qendrave më kryesore për tregtinë dhe eksportin e tapetit dhe është bursa e floririt dhe argjendarisë. Ndërtuesi i këtij tregu ishte Mirza Muhamed Khan Amir Nezam Zangene dhe viti i ndërtimit të këtij tregu është 1839.  

Korridori Mozafarije, gjithashtu, është pjesa më e rëndësishme e tregut të Tabrizit. Në periudhën e fillimit të mbretërisë së mbretit Mozafarduin Mirza Ghaxhar në vitin 1887, ka përfunduar ndërtimi i këtij objekti shumë të mirë në formë korridori të veçantë dhe ndodhet në Tregun e Tabrizit. Themeluesi dhe ndërtuesi i kësaj pjese të tregut të vjetër të Tabrizit është Haxhi Shejkh Muhamed Xhafar Kazvini, një tregtar i madh dhe bamirës i Tabrizit. Aktualisht korridori Mozafarije është shndërruar në një prej qendrave kryesore të tregtisë së tapetit në provincën Azerbajxhani Lindor dhe konsiderohet gjithashtu qendra e eksportit të tapetit të kësaj province dhe e të gjithë Iranit, prandaj ka famë botërore. Tregu Mozafarije në Tabriz është dykatësh dhe secili kat ka nga 26 dyqane për shitjen e tapetit.

Në përgjithësi mund të thuhet se tregu i Tabrizit është një prej kryeveprave interesante dhe të bukura të arkitekturës së Iranit, i cili me harqet dhe kupolat e larta dhe të zbukuruara, konsiderohet një kompleks i pashembullt. Për këtë arsye, shumica e historianëve dhe gjeografëve dhe e udhëpërshkruesve kryesisht kanë shkruar shkrime të bukura dhe interesante rreth tregut të Tabrizit dhe mallrave që shkëmbeheshin dhe rreth gjendjes së tregtarëve. Disa prej udhëpërshkruesve që kanë vizituar tregun e Tabrizit gjatë shekujve dhe periudhave të ndryshme historike mund të përmendim Mokadesi në shekullin e katërt hixhri kameri, Jakut Hamavi dhe Marko Polo në shekullin e shtatë hixhri kameri, Ibn Batuta dhe Hamdullah Musteofi në shekullin e tetë hixhri kameri. Secili prej këtyre udhëpërshkruesve ka përshkruar këtë treg dhe gjendjen e tregtarëve dhe shkëmbimin e mallrave të ndryshëm, si dhe mjeshtërinë e arkitekturës së objekteve të këtij kompleksi.  

Zhan Shardan, udhëpërshkruesi i njohur francez i cili në gjysmën e dytë të shekullit 17, ka udhëtuar dy herë në Iran dhe çdo herë ka qëndruar nga gjashtë vite në Iran, në lidhje me qytetin e Tabrizit dhe tregun e vjetër të këtij qyteti, shkruan:

"Tabrizi është një qytet i madh dhe me potenciale të mëdha dhe nga aspekti i sipërfaqes, konsiderohet qyteti i dytë më i madh i Iranit. Në Tabriz nuk kam parë pallate dhe kështjella të larta, mirëpo në këtë qytet kam parë tregjet më të bukura dhe më të madhërishme në Azi. Dyqanet janë të ndara nga njëra-tjetra dhe ndodhen në rrugicat si korridore të gjata dhe me çati të larta dhe të mbuluara, që të gjitha këto përbëjnë tregun dhe jashtëzakonisht janë të bukura dhe interesante. Ky treg përbënë zemrën e qytetit. Shtëpitë dhe banesat janë ndërtuar jashtë tregut. Harqet e bukura kanë mbuluar tregun. Turma e madhe e njerëzve dhe sasia e madhe e mallrave për tregti të grumbulluara në këtë treg, janë shumë interesante dhe krijojnë pamje të bukura dhe paraqesin madhështinë e këtij tregu".

Ibn Batuta, udhëpërshkruesi i njohur maroken, gjithashtu, tregun e Tabrizit e përshkruan të mbushur me mallra, të zhvilluar dhe një prej tregjeve më të mira të botës. Ai shkruan:

"Me hyrjen në Tabriz, arrita në një treg të madh i cili quhet "Ghazan" dhe ai ishte tregu më i mirë që kam parë në të gjitha qytetet e vendeve që kam vizituar në botë... secili zanatli dhe tregtar i një profesioni, ka vendin e caktuar në këtë treg...!"

Në periudhën e dinastisë Ghaxharre gjatë të cilës Tabrizi ishte rezidenca e trashëgimtarit të Fronit Mbretëror dhe konsiderohej kryeqyteti i dytë i vendit, tregtia në këtë qytet shënoi një zhvillim edhe më të madh. Në këtë kuadër u ndërtuan objekte dhe tregje të reja shumë bukura dhe tregtarët nga të gjitha anët e Iranit shkonin në Tabriz për shitblerjen e mallrave të ndryshëm. Që nga ajo kohë e këndej, tregu i Tabrizit tërhoqi vëmendjen e turistëve dhe të tregtarëve iranianë dhe të huaj.

Znj. Dorothy Hunt Smith në librin e saj "Kujtime nga Lindja", vizitën e saj në Tabriz në vitin 1961 e përshkruan në këtë mënyrë:

"Në treg, ekzistojnë shumë korridore me dysheme të gjera dhe vazhdimisht kryqëzohen mes vete. Çdo dyqan kishte një hapësirë të mjaftueshme dhe të lartë dhe të gjithë ishin të mbushur me mallra. Tavani i tregut ishte mbuluar me harqe të ndërtuara me qerpiç dhe në distanca të caktuara ekzistonin vrima prej qelqi të cilat ndriçonin hapësirën e brendshme në masë të mjaftueshme edhe në kohën kur qielli ishte me re. Derisa mund të shikonte syri kishte dyqane të ndryshme...".

Jul 02, 2017 09:20 CET
Komente