Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Ejani me ne në Iran".

Me siguri e kujtoni se në disa edicione të kaluara, filluam një udhëtim në provincën Azerbajxhani Lindor në veriperëndim të Iranit dhe u njohëm me qytetin Tabriz, qendrën e kësaj province. Në këtë edicion do të njihemi me vendet e tjera turistike dhe historike të këtij qyteti.

Muzetë janë qendrat më të rëndësishme për prezantimin e veprave dhe monumenteve të mbetura nga e kaluara dhe në botën e sotme luajnë rolin kryesor në jetën kulturore të njerëzimit. Provinca Azerbajxhani Lindor ndoshta mund të  quhet edhe si "vitrinë e muzeve" pasi në këtë provincë ndodhen 14 muze historik, kulturor, natyror dhe shumë muze të tjerë privat. Qyteti i Tabrizit pesë herë ka qenë kryeqytet gjatë sundimit të dinastive të ndryshme mbretërore, prandaj ka shumë monumente, vepra dhe objekte historike dhe muze të pasur që secili prej tyre paraqet një pjesë të historisë së këtij rajoni të Iranit. Muzeu i Azerbajxhanit i cili është një prej muzeve më të mëdhenj të Iranit, ndodhet në qendër të qytetit Tabriz dhe në afërsi të Xhamisë së Kaltër.

Muzeu i Azerbajxhanit është themeluar në vitin 1962 dhe me një sipërfaqe 3000 m2 infrastrukturë, është ndërtuar në tre kate. Ky Muze përbëhet nga pre sektorë: sektori i parahistorisë, sektori i periudhës historike dhe sektori i periudhës pas islame. Muzeu i Azerbajxhanit përmban në vete objekte historike të vjetra deri në 5000 vjet para erës së re dhe u shndërrua në një simbol të gjallë të historisë, kulturës dhe të artit të Iranit në rajonin veriperëndimor të këtij vendi të lashtë.

Objekti më i vjetër historik në këtë muze, është një kompleks i vogël i enëve dhe veglave të tjera të punuara prej baltë që i përket periudhës 5000 vjet para erës së re. Objekte të tjera të dalluara të periudhës parahistorike janë edhe disa gurë mbi të cilët janë pikturuar kafshë, lule dhe bimë dhe i përkasin mijëvjeçarit të tretë para erës së re. Në sektorin e objekteve të lashta të muzeut, gjithashtu ruhen edhe mbetjet e trupave të një burri dhe të një gruaje që i përkasin mijëvjeçarit të parë para erës së re. Këto skelete janë zbuluar gjatë gjurmimeve shkencore në vitin 1999 në ambientin e Xhamisë së Kaltër.

Një prej sektorëve të ri të Muzeut të Azerbajxhanit, është edhe sektori i petroglifëve ose mbishkrimeve dhe pikturave mbi gurë. Në këtë sektor ruhen disa pllaka guri të varreve që i përkasin periudhave të ndryshme. Gjithashtu skulpturat e gdhendura në gurë dhe disa modele të mbishkrimeve mbi gurë, ruhen në këtë sektor të muzeut. Në një pjesë të Muzeut të Azerbajxhanit ruhet gjithashtu, një koleksion i monedhave të metalta të periudhave të ndryshme që në llojin e vet janë të pashembullta. Përkrahë shumë objekteve historike, një pjesë e këtij muzeu është ndarë për artet bashkëkohore. Në këtë sektor ndodhen skulptura të mëdha me temë "Njeriu në Epokën Aktuale" që janë vepra të artistit të njohur nga qyteti i Tabrizit, Ahad Husejni. Nga pikëpamja e këtij skulptori iranian, njeriu i epokës aktuale përballet me probleme të ndryshme si lufta, varfëria dhe padrejtësia.   

Vlen të theksohet se aktualisht mbi 11000 objekte historike dhe kulturore të regjistruara, ruhen në Muzeun e Azerbajxhanit që për shkak të mungesës së ambientit të mjaftueshëm, vetëm 2300 prej tyre janë vendosur në ekspozim për vizitorët.

Sidoqoftë, Muzeu i Azerbajxhanit është si një thesar i çmuar i cili për çdo vit vizitohet nga mijëra turistë iranianë dhe të huaj.

Duke kaluar nëpër lagjet e vjetra të qytetit Tabriz, vërejmë disa shtëpi që në komponim me njëra-tjetrën, kanë krijuar një strukturë shumë të bukur dhe tërheqëse për vizitorët. Duke zgjedhur qytetin e Tabrizit si një prej qyteteve kulturore-historike të Iranit, Drejtoria për Ndërtimin Urban të Tabrizit ka marrë shumë masa për të prezantuar shtëpitë e vjetra të Tabrizit dhe duke meremetuar këto objekte, disa prej tyre kanë gjetur funksione të reja. Si për shembull mund të përmendet shtëpia "Sherbetogli" e cila u shndërrua në akademi të arkitekturës në kuadër të Universitetit Sahand. Mirëpo në këtë mes objekti "Khane Mashrute" (Shtëpia e Kushtetutës), ka një rëndësi të veçantë. Ky objekt i vjetër me arkitekturë të periudhës së dinastisë Ghaxharre, ndodhet në këndin perëndimor të tregut të Tabrizit që sot është shndërruar në "Muzeun Kushtetues të Tabrizit".

Duke marrë parasysh rolin e madh të provincës Azerbajxhani Lindor, sidomos të popullit të Tabrizit në fitoren e Revolucionit të Kushtetutës rreth 100 vite më parë, themelimi i një muzeu në të cilin do të ruheshin për kujtim veprat dhe kujtimet e mbetura nga liderët e mëdhenj të atij revolucioni, si dhe për mbledhjen e dokumenteve dhe dëshmive dhe fotografive që i përkasin ngjarjeve dhe zhvillimeve të Revolucionit Kushtetues në këtë objekt, duket se ishte një veprim shumë i domosdoshëm dhe me vend. Prandaj që nga viti 1996, të gjitha veprat, objektet, dokumentet dhe dëshmitë që i përkasin kësaj periudhe të historisë së Iranit, janë mbledhur në këtë objekt dhe në këtë mënyrë u themelua Muzeu i Revolucionit Kushtetues.

Ndërtesa e këtij muzeu është një ndër shtëpitë më të bukura historike të Tabrizit. Pronari i parë i këtij objekti ishte Haxh Mahdi Kuze Kenani. Kjo shtëpi gjatë luftimeve 11 mujore kundër forcave të regjimit despotik të asaj kohe që rezultoi me fitoren e Revolucionit të Kushtetutës, ishte selia e shtabit komandues të operacioneve të forcave liridashëse. Ky objekt me një sipërfaqe 1200 m2, në vitin 1975, u regjistrua në listën e trashëgimisë kombëtare të Iranit. Në Muzeun e Kushtetutës janë vendosur në ekspozim të gjitha veprat dhe dëshmitë e periudhës së Revolucionit të Kushtetutës. Gjërat personale të liderëve të Revolucionit të Kushtetutës, dokumente, dekrete dhe dorëshkrime të figurave eminente të atyre ngjarjeve, si dhe materialet e publikuara në shtypin e asaj kohe, ruhen në këtë muze. Në përgjithësi, duke marrë parasysh veprat e çmuara që ruhen në këtë objekt, Muzeu i Kushtetutës konsiderohet një prej thesareve të rralla dhe të pashembullta të historisë bashkëkohore të Iranit.

Miq të nderuar pasi bëmë një prezantim të muzeve të qytetit Tabriz, tani po bëjmë një shëtitje në njërin prej vendeve të njohura turistike të Tabrizit që quhet "El-Gölü" (Shah Goli).

El-Gölü është një prej vendeve më të rëndësishme turistike të Tabrizit që me zgjerimin e qytetit të Tabriz, ky vend ndodhet brenda strukturës urbane të qytetit. Ky vend turistik në realitet është një kopsht shumë i bukur që në mesin e tij ndodhet një liqen i madh. Liqeni El-Gölü me një sipërfaqe 5.5 hektarë. Ky liqen në të kaluarën për shkak të sipërfaqes së madhe të tij, quhej "Shah Goly" që do të thotë liqen i madh dhe pas fitores së Revolucionit Islamik të Iranit mori emrin El-Gölü.

El-Gölü deri para ardhjes në pushtet të dinastisë Safavite, konsiderohej burimi më i madh i ujit për ujitjen e kopshteve në pjesën lindore të qytetit Tabriz. Në periudhën e dinastisë Safavite, u ndërtuan mure prej guri rreth këtij liqeni dhe në periudhën e dinastisë Ghaxharie u ndërtuan edhe disa rrugë për qarkullim skaj këtij liqeni, si dhe u mbollën shumë pemë dhe bimë të ndryshme për zbukurimin e ambientit si një vend turistik.

Pallati El-Gölü që ndodhet në mesin e liqenit, është ndërtuar në kohën e sundimit të Sulltan Jakub Agh Kojonlu dhe u zgjerua gjatë periudhës së dinastisë Safavite. Një prej princave të familjes mbretërore Safavite me emrin Kahreman Mirza, e plotësoi edhe më tepër ndërtimin e këtij pallati dhe këtë ambient e shndërroi në një vend turistik mbretëror.

Gjatë viteve të fundit në vend të objektit të parë, është ndërtuar një objekt i ri i cili aktualisht shërben si restorant. Vlen të theksohet se me ndërtimin e një hoteli pesë yjesh pranë këtij vendi turistik, janë krijuar kushte shumë të mira për zhvillimin e turizmit në këtë pjesë të Tabrizit.

Jul 09, 2017 09:30 CET
Komente