Me përfundimin e operacioneve për çlirimin e Mosulit dhe me çlirimin e plotë të këtij qyteti nga pushtimi i grupit terrorist ISIS, gati ka përfunduar tërësisht jeta e këtij grupi terrorist në Irak dhe vetëm një numër i terroristëve takfirist të ISIS aktualisht ka mbetur në disa rajone të Irakut që po vepron në mënyrë jo të organizuar. Me këtë rast në këtë program do të shqyrtojmë pasojat e tre vjet pushtimi të grupit terrorist ISIS në Irak.

Prania e ISIS në Irak për këtë vend kishte pasoja të rënda, sidomos në sferat njerëzore, ekonomike dhe për identitetin e Irakut.

Pasojat njerëzore

Një prej pasojave më të rëndësishme të pranisë së grupit terrorist ISIS në Irak, është shkatërrimi i sigurisë fizike dhe psikologjike njerëzore në rajonet e ndryshme të këtij vendi. Edhe pse nuk ekzistojnë statistika të sakta për numrin e të vrarëve dhe të plagosurve që la pas prania e grupit terrorist ISIS në rajone të ndryshme të Irakut, mirëpo skenat më të hidhura njerëzore janë krijuar si pasojë e krimeve të ISIS në Irak. Një prej skenave më të hidhura ishte katastrofa që u krijua në rajonin Sanxhar në provincën Ninva të Irakut kundër komunitetit Izedi. Terroristët e ISIS të cilët më 3 gusht të vitit 2014 sulmuan qytetin Sanxhar, krijuan katastrofën më të hidhur në këtë qytet. Terroristët e ISIS vranë burrat e komunitetit Izedi, ndërsa grat dhe vajzat i morën rob dhe në stacionet jashtë këtij qyteti ata krijuan tregjet për shitjen e skllevërve të komunitetit Izedi. Pjesëtarët e komunitetit Izedi të cilët arritën të ikin nga qyteti, u strehuan në bjeshkët e qytetit Sanxhar dhe për shumë javë mbetën në kushte shumë të këqija ushqimore dhe pa ujë të pijshëm. Si pasojë e këtyre kushteve të këqija, urisë dhe etjes, humbën jetën me dhjetëra persona. Disa mijëra persona u zunë rob nga terroristët e ISIS.

Një prej krimeve çnjerëzore të ISIS në Irak, ishte ekzekutimi i qytetarëve irakianë duke i vrarë me plumb në kokë ose duke i prerë kokën dhe duke përdorur mënyra të tjera më të dhunshme në prani të familjeve të tyre. Prerja e kokës, djegia për së gjalli, vrasja me breshëria plumbash, masakrimi dhe vrasje masive, ishin metodat më të dhunshme që ka përdor grupi terrorist ISIS kundër qytetarëve të Irakut në rajone të ndryshme të këtij vendi.

Përdhosja e nderit të femrave, gjithashtu është një prej krimeve më të shpeshta të terroristëve të ISIS në Irak. Terroristët e ISIS kapën rob me qindra gra dhe vajza irakiane dhe i përdhunuan ato dhe qindra femra të tjera, sidomos femrat e krishtera i shitën si skllevër. Shpërngulja e miliona qytetarëve irakianë brenda dhe jashtë kufijve të këtij vendi, gjithashtu, konsiderohet një prej pasojave më të rënda njerëzore të pushtimit të një pjese të territoreve të Irakut nga grupi terrorist ISIS.

Një prej krimeve më të rëndësishme njerëzore që kanë kryer terroristët e ISIS në Irak, ishte shfrytëzimi i civilëve si mburojë njerëzore. Në këtë kuadër, Jan Kubish, përfaqësuesi i OKB në Irak në prill të vitit 2017, deklaroi: "Terroristët e ISIS me qëllim po sulmojnë civilët irakian dhe ata po përdorin çdo mjet të mundshëm për të vrarë civilët. Terroristët e ISIS me dhunë kanë transferuar civilët nga një vend në një vend tjetër dhe në rajonet strategjike dhe me popullsi të dendur, po përdorin ata si mburojë njerëzore. Në disa rajone, terroristët e ISIS po vendosin civilët në objekte të lidhura me lëndë eksplozive në mënyrë që t'i shfrytëzojnë këto vende për kryerjen e sulmeve terroriste kundër forcave qeveritare dhe për t'i dëbuar forcat irakiane nga pozicionet e tyre, ata po qëllojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë civilët irakianë të përdorur si mburojë njerëzore".

Terroristët e ISIS përveç sigurisë fizike, duke krijuar frikë dhe tmerr në rajone të ndryshme të Irakut, kanë shkatërruar edhe sigurinë psikologjike të qytetarëve të këtij vendi. Shikimi i skenave të hidhura dhe çnjerëzore të prerjes së kokës, djegies, masakrimit dhe vrasjes së njerëzve me breshri plumba, është bërë shkak që të krijohet një frikë dhe tmerr i madh në mesin e civilëve irakianë dhe skena të tilla ndoshta mund të harrohen vetëm me ndryshimin e gjeneratës.

Pasojat ekonomike

Një tjetër kategori e pasojave më të rëndësishme të pushtimit të Irakut nga terroristët e grupit takfirist ISIS, përbëhet nga pasojat ekonomike. Dëmet ekonomike që ka shkaktuar grupi terrorist ISIS për Irakun janë bërë në kuadër të uzurpimit të disa pjesëve të të ardhurave naftore, shkatërrimi i infrastrukturës urbane si dhe shpenzimet e luftës me ISIS. Hejdar Ebadi, kryeministri i Irakut, në janar të vitit 2017, deklaroi: "Terroristët e grupit takfirist ISIS që nga viti 2014 e deri më tani, rreth 35 miliardë dollarë kanë shkaktuar dëme për infrastrukturën e Irakut dhe kjo sasi e madhe e dëmeve të ISIS për Irakut rezultoi me shkatërrimin e plotë dhe plaçkitjen e ekonomisë së këtij vendi". Gjithashtu, komisioni financiar i Parlamentit të Irakut në shkurt të vitit 2017 ka deklaruar: "Deri më tani, Iraku 36 miliardë dollarë ka shpenzuar për luftën kundër grupit terrorist ISIS. Lufta e Irakut kundër ISIS ka shkaktuar shpenzime të mëdha për ekonominë e këtij vendi dhe shpenzimet e kësaj lufte përbëjnë 15% të Prodhimit Bruto të Brendshëm të Irakut. Shpenzimet e përditshme të luftës kundër ISIS, janë dhjetë milionë dollarë në ditë". Padyshim se shpenzimet ekonomike që ka shkaktuar grupi terrorist takfirist ISIS për Irakun, janë shumë më të mëdha se sa këto statistika, sepse këto statistike janë publikuar para përfundimit të operacioneve për çlirimin e Mosulit. Kjo është në kohën kur operacionet e Mosulit kanë shkaktuar shpenzime më të mëdha për qeverinë e Irakut.  

Një prej sektorëve më të rëndësishme ekonomik që është dëmtuar nga prania e grupit terrorist ISIS në Irak, është sektori i bujqësisë. Iraku ashtu si shumica e vendeve arabe, është një prej vendeve importuese të lëndëve ushqimore, mirëpo pjesa më e rëndësishme e lëndëve ushqimore e këtij vendi, sigurohet brenda nga fushat bujqësore të këtij vendi. Sipas raportit të publikuar nga Ministria e Bujqësisë së Irakut, sulmi i grupit terrorist ISIS ka reduktuar prodhimet bujqësor të këtij vendi të paktën me 40%. Në lidhje me këtë çështje, Rrjeti Rajonal për Analiza të Sigurisë Ushqimore (Regional Food Security Analysis Network) në një raport analitik të publikuar me titull "Ndikimi i ISIS mbi sektorin e bujqësisë së Irakut" i cili u publikua në dhjetor të vitit 2016, ka shkruar: "27% e grurit të Irakut prodhohet në provincën e Ninva të Irakut, ndërkohë që ISIS në këtë provincë ka praninë më të madhe të tij. Sipas llogarive të bëra, ISIS ka marrë në dispozicion 40% të prodhimit të grurit dhe 40% të prodhimit të elbit të Irakut dhe vetëm reduktimi me 40% i prodhimit të elbit në Irak ka shkaktuar dëm 20 miliardë dollarë. Përveç kësaj në provincën Salahudin, 70 deri 80% e tokave bujqësore që shfrytëzoheshin për mbjelljen e grurit dhe drithërave të tjera, ose janë dëmtuar në masë të madhe ose janë shkatërruar tërësisht. Grupi takfirist ISIS ka shfrytëzuar fushat bujqësore për qëllime ushtarake. Veprimet e ISIS kanë shkaktuar dëme të mëdha afatgjate mbi sektorin e bujqësisë së Irakut.  

Pasojat në fushën e identitetit

Padyshim se një prej kategorive më të rëndësishme të pasojave të pranisë së grupit terrorist ISIS në Irak, përbëhet nga pasojat në fushën e identitetit. Këto pasoja në fushën e identitetit mund të shqyrtohen nga dy aspekte: poshtërimi i identitetit njerëzor dhe lufta kundër kulturës. Sa i përket identitetit njerëzor, krimet që ka shkaktuar grupi takfirist ISIS kundër qytetarëve irakianë, janë bërë shkak për njollosjen dhe përdhosjen e dinjitetit njerëzor në këtë vend dhe nuk është i vogël numri i qytetarëve irakianë të cilët janë poshtëruar dhe përdhunuar në forma dhe mënyra të ndryshme nga terroristët e grupit takfirist ISIS. Një prej llojeve më të hidhura të poshtërimit të identitetit, është përdhunimi seksual i grave dhe vajzave në praninë e burrave të familjes. Edhe pse nuk ekzistojnë statistika të sakta në lidhje me këtë çështje, mirëpo janë publikuar shumë raporte të cilat tregojnë se një numër i madh i fëmijëve që janë lindur gjatë tre viteve të pranisë së grupit takfirist ISIS në Irak, janë fëmijë të përdhunimeve ose marrëdhënieve seksuale të terroristëve të ISIS dhe nuk kanë kartë identiteti dhe nuk dihet identiteti i tyre. Qytetarët e disa rajoneve të cilat ishin të pushtuara nga grupi takfirist terrorist ISIS, shumica janë qytetarë që kanë pësuar dhe marrë plagë të rënda dhe ndoshta kurrë nuk mund t'i harrojnë skenat e hidhura të krimit të pjesëtarëve të këtij grupi terrorist. Një pjesë e madhe e popullsisë aktuale të Irakut, kanë të ardhme të paqartë si pasojë e krimeve të grupit terrorist ISIS.

Një tjetër pasojë e rëndësishme në fushën e identitetit nga pushtimi i Irakut nga grupi terrorist ISIS, është shkatërrimi dhe zhdukja e simboleve të identitetit kombëtar të këtij vendi dhe me fjalë të tjera kjo pasojë është "gjenocid kulturor". Për shembull, objektet antike të qytetit Namrud në rrethinën e Mosulit i cili ishte një prej qyteteve shumë të rëndësishme të civilizimit Asirian dhe kishte një histori mbi 3000 vjeçare, si pasojë e krimeve të grupit terrorist ISIS janë shkatërruar tërësisht. Një pjesë e madhe e objekteve antike të Irakut është plaçkitur nga terroristët e ISIS dhe është shitur në tregun e zi të rajonit dhe të botës nëpërmjet bandave trafikante. Shembull tjetër në lidhje me këtë çështje është djegia e mijëra vëllimeve librash dhe burimesh historike nga biblioteka qendrore e qytetit Mosul, veprim ky që konsiderohet "shfarosje kulturore" dhe dekulturalizim. Në lidhje me këtë çështje, Irena Bokova, drejtore e përgjithshme e UNESCO-s, në shkurt të vitit 2015, shkatërrimin e librave dhe burimeve historike të bibliotekës qendrore të Mosulit dhe të veprave kulturore të Irakut, e quajti "dekulturalizim nga terroristët e grupit takfirist ISIS". Ajo veprime të tilla i quajti gjithashtu "shembuj shumë të rrallë dhe të paparë të shkatërrimit në fushën e trashëgimisë kulturore të njerëzimit".  

Husejn Ravjuran, ekspert i çështjeve të Lindjes së Mesme, në lidhje me këtë çështje ka thënë: "Mosuli është një prej pjesëve më të rëndësishme të Perandorisë Asiriane. Kur të shkatërrohen objektet antike, në realitet shkatërrohet një identitet kulturor. Mosuli, gjithashtu ishte një prej qendrave më të rëndësishme të dinastisë Hamdani. Kur të shkatërrohen librat dhe burimet përkatëse të asaj periudhe që shumica e tyre ishin manuskripte, në realitet është zhdukur identiteti kulturor i një qyteti. Veprimi që po kryen ISIS, në realitet është shkatërrimi i identitetit të një qyteti".

Si përfundim mund të thuhet se këto çka thamë më lartë, janë një pjesë e vogël e pasojave të cilat ka shkaktuar pushtimi i Irakut nga grupi terrorist takfirist ISIS. Shqyrtimi i saktë i pasojave të pushtimit 3 vjeçar të ISIS në Irak, ka nevojë për një studim të gjerë dhe të thellë në një periudhë më afatgjate.

Tags

Jul 13, 2017 09:14 CET
Komente