Disfata e ISIS në Mosul ishte pika fillestare për përfundimin e shtetit të vetëquajtur të ISIS në Irak dhe Siri. Ky shtet apo kalifat i vetëquajtur u krijua me mbështetjen e një grupi të vendeve perëndimore për të mbuluar katastrofat e tyre në sulmet e vitit 2003 në Irak dhe ndoshta për të menaxhuar zhvillimet në Lindjen e Mesme.

Pas suksesit të ushtrisë dhe forcave popullore në Irak dhe Siri dhe pas çlirimit të shumë qyteteve dhe fshatrave të pushtuara nga ISIS, nisi numërimi anasjelltas i fundit të ISIS në këto dy vende. Nga eksperienca ushtarake, zinxhiri i humbjeve të këtij grupi terrorist-takfirist po përfundon me shpejtësi. Humbjet e njëpasnjëshme të ISIS-it nga Mosuli në lartësitë kufitare midis Libanit dhe Sirisë, të cilat u pastruan tërësisht nga terroristët, kanë përshpejtuar rënien e këtij grupi terrorist-takfirist. Gazeta libaneze Al-Nahar kohët e fundit njoftoi për arritjen e trupave siriane në Deirul Zur, të cilën e konsideroi si një fitore e rëndësishme për Bashar al-Assad në luftën kundër ISIS dhe një goditje tjetër të fortë ndaj këtij grupi terrorist. Deirul Zur është një qytet në bregun e lumit Eufrat dhe qendra e nxjerrjes së naftës siriane. ISIS, duke zotëruar këto burime, kishte arritur të posedonte një burim të vlefshëm të ardhurash nga shitja e produkteve të naftës nga ky rajon. Analisti i gazetës al-Nahar tha se fitoret e ushtrisë siriane janë një zhvillim i ri strategjik dhe beson se ky transformim do të jetë ndalesa përfundimtare e terrorizmit në të tërë Sirinë. Gazeta al-Banaa e Libanit gjithashtu iu referua një aspekti tjetër të efekteve të humbjes së ISIS në rajon, duke thënë: "Para thyerjes së bllokadës së ISIS në Deirul Zur, ne kemi vënë re një ndryshim në pozicionet e disa vendeve evropiane kundrejt Sirisë, ku në vërejtjet e tyre nuk është folur që presidenti al-Assad të largohej nga pushteti. Ndërkohë, udhëheqësit e regjimit sionist dhe analistët dhe mediat e këtij regjimi që kanë shpresuar në rrëzimin e Asadit, tani po flasin për fitoren e Asadit dhe të ushtrisë siriane dhe aleatëve të saj. Gazeta Al- Banaa ka shtuar: Kjo ngjarje, e cila përshkruhet nga Presidenti i Rusisë dhe Ministri i Jashtëm iranian si një fitore e rëndësishme, do të ketë pasoja të mëdha për mbështetësit e grupeve terroriste. Pas fitores së ushtrisë siriane në çlirimin e qytetit Deirul Zur Vladimir Putin në një mesazh urimi për Bashar al-Assad, vlerësoi thyerjen e rrethimit të qytetit Deir-Al-Zur të cilën e cilësoi një fitore strategjike dhe të shkëlqyeshme dhe vuri në dukje se kjo ngjarje është një hap i rëndësishëm në çlirimin e plotë të Sirisë nga terroristët.

 

Pas këtyre sukseseve, qeveritë evropiane dhe në veçanti Britania dhe Franca, njoftuan se tërheqja e Bashar al-Assad nuk është një parakusht për procesin e vazhdueshëm të paqes në Siri. Ministri i Jashtëm francez Jean-Yves Le Drian gjatë një vizite në Bagdad, për të treguar se qeveria franceze më nuk është një shtet menaxhues i krizave në Siri, tha:

"Franca nuk ka parakushte për braktisjen ose jo të pushtetit nga presidenti sirian Bashar al-Assad dhe Parisi mbështet vendimin e vetë sirianëve në këtë fushë". Ndërsa ministri i jashtëm britanik Boris Johnson në një deklaratë të tij ka thënë: "Si parakusht, ne thamë se Assadi duhet të largohet nga pushteti, por tani themi se tërheqja e tij nga pushteti duhet të zhvillohet brenda kuadrit të një procesi tranzicioni politik".

Megjithatë, autoritetet franceze më vonë njoftuan se Bashar al-Assad nuk ka vend në procesin e paqes. Por kjo kontradiktë duket se është shenjë e pranimit të dështimit të politikave të tyre në Siri dhe Irak, gjatë gjashtë viteve të fundit. Ata nuk e imagjinonin një situatë të tillë në Siri. Perëndimorët mendonin se do të përmbysnin Asadin në më pak se tre muaj dhe do të krijonin një qeveri arbitrare të lidhur me Perëndimin dhe regjimin sionist në Damask dhe do të eliminonin boshtin e rezistencës. Duke përshkruar shkurtimisht se si nisi kriza në Siri dhe se cili ishte roli i qeverive evropiane dhe amerikane në këtë krizë, domethënia e fitores së ushtrisë siriane dhe forcave popullore në mposhtjen e ISIS-it dhe e çlirimit të territoreve të okupuara nga ky grupi terrorist-takfirist, mund të kuptohen edhe më mirë.

 

ISIS ka lindur nga pasiguria dhe lufta që SHBA filloi në vitin 2003 me pushtimin e Irakut. Qeveria amerikane pas largimit të një pjese të madhe të forcave të saj nga Iraku, shpresonte të administronte gjendjen në këtë vend duke krijuar grupin terrorist ISIS dhe në këtë mënyrë të realizonte objektivat e saj në Irak. Në të vërtetë, duke krijuar një atmosferë të pasigurt në Irak dhe duke zgjeruar dominimin e grupeve terroriste në shumë qytete dhe fshatra irakiane, në Bagdad do të ekzistonte një qeveri e braktisur, e cila të gjithë përpjekjet e saj ekonomike do t’i investonte për të ruajtur sigurinë dhe për t'u përballur me pasigurinë. Një qeveri që mbetet e varur nga ndihmat amerikane për të garantuar sigurinë e saj.

Lëvizjet popullore në vendet e Afrikës së veriut, krijuan një mundësi të re për Amerikën për realizimin e projektit të Lindjes së Mesme të Madhe, projekt që nisi të zbatohej me pushtimin e Irakut në vitin 2003. Amerika dhe aleatët e saj, sidomos ato të NATO-s u munduan të administronin revolucionet arave kundër pushtetarëve despotikë dhe t’i përdornin këto revolucione në kuadër të realizimit të qëllimeve dhe politikave të tyre në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut. Në Egjipt, me rrëzimin e qeverisë Morsi të mbështetur nga lëvizja Vëllazëria Myslimane, revolucioni i të rinjve egjiptianë mbeti shterpë. Libia pas rrëzimit të Gadafit u nda në disa pjesë dhe ky vend u kthye në një qendër për aktivitetet e grupeve terroriste-takfiriste.

Mirëpo në Siri gjendja ndryshonte nga vendet e tjera arabe të prekura nga kriza. Siria ndryshonte me Tunizinë, Egjiptin dhe Libinë pasi asnjë prej këtyre vendeve nuk kishte rëndësinë strategjike që kishte Siria në rajon. Pozita strategjike e Sirisë, u bë shkak që me ndërhyrjen e faktorëve rajonalë dhe jo rajonalë, kriza në këtë vend të përhapej gjithnjë e më shumë. Qeveritë evropiane mendonin se duke mbështetur opozitarët e qeverisë legjitime të Sirisë dhe duke mbledhur kundërshtarët e jashtëm të Bashar al-Assad, do të mund të rrëzonin presidentin sirian Brenda 3 muajve. Mirëpo, kjo nuk ndodhi. Siria ndodhej në boshtin e rezistencës islame dhe mbështetës të fuqishëm si Republika Islamike e Iranit dhe Hezbullahu i Libanit. Nga ana tjetër edhe Rusia ka interesa të shumta në Siri të cilat viheshin në rrezik nga kriza e krijuar nga vendet perëndimore dhe aleatët e tyre rajonalë. Baza ushtarake detare Tartus në Latakia është baza e fundit e Rusisë në detin Mesdhe. Një bashkësi faktorësh politikë, gjeografik dhe të sigurisë u bënë shkak për zgjerimin e mosmarrëveshjeve në nivel kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar lidhur me krizën në Siri. Në këtë mes BE dhe në krye të saj Britania dhe Franca u renditën në radhët e koalicionit kundërshtar të Bashar Asad dhe qëllimi i tyre ishte rrëzimi i presidentit sirian. Mirëpo qëllimi kryesor i tyre si mbledhja  dhe organizimi i kundërshtarëve të qeverisë legjitime të Bashar Asad dhe dhënia e ndihmës me mjete financiare dhe ushtarake për ata, si dhe vendosja e sanksioneve të ashpra për rrëzimin e qeverisë siriane, nuk u realizua. Rezultati i kësaj veprimtarie të tyre, ishte zgjerimi i grupeve terroriste-takfiriste në Siri. Mirëpo grupet terroriste të drejtuara nga perëndimi nuk arritën të qëndronin në Siri dhe në Irak dhe ata u kthyen në faktor kërcënimi të ri për vetë qeveritë perëndimore.

Sulmet e ISIS në Evropë

Evropianët mendonin se me një luftë shkatërrimtare dhe duke forcuar grupet terroriste-takfiriste do të arrinin qëllimet e tyre në Siri dhe më gjerë në rajonin e Lindjes së Mesme. Mirëpo me përshkallëzimin e krizës në Siri, u shtuan edhe kërcënimet terroriste në Evropë. Kjo i detyroi perëndimorët të krijojnë koalicionin anti-ISIS. Ngjarjet terroriste të viteve të fundit treguan se kërcënimi i grupeve terroriste-takfiriste u është kthyer vetë qeverive perëndimore. Si rezultat këto qeveri nuk kishin rrugë tjetër veçse të rishikonin politikat e tyre në rajon. E vetmja forcë e cila deri tani ka arritur tu bëjë ballë grupeve terroriste-takfiriste në Irak dhe në Siri është forca e rezistencës e përbërë nga forcat popullore, ushtria e Sirisë dhe e Irakut, Hezbullahu i Libanit dhe mbështetja e Iranit për boshtin e rezistencës. Kjo nuk do të thotë se periudhës së krijimit të krizave nga qeveritë evropiane dhe amerikan në rajon, i ka ardhur fundi. Për momentin situata politike dhe ushtarake në Siri, Irak dhe Liban është në favor të boshtit të rezistencës dhe Amerika, qeveritë evropianë dhe aleatët e tyre rajonalë nuk mund të shpërfillin rolin e rezistencës në zhvillimet politike, ushtarake dhe zhvillimet e së ardhmes së rajonit.

 

Sep 28, 2017 11:20 CET
Komente