Në këtë edicion do të flasim rreth ndalimit të torturimit në të drejtat islame të njeriut.

Dëgjues të nderuar jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Të drejtat islame të njeriut". Në edicionin e kaluar shqyrtuam disa nga të drejtat e të akuzuarit në pikëpamjen e Islamit. Në këtë edicion do të flasim rreth ndalimit të torturës dhe keqtrajtimit të të akuzuarit. Ndalimi i torturës është një prej normave më të rëndësishme të pranueshme dhe të zyrtarizuara në Bashkësinë Ndërkombëtare. Me shfaqjen dhe formimin e sistemit modern të të drejtave të njeriut, kjo normë është theksuar në dokumentet e hartuara dhe janë paraparë mekanizma për të mbrojtur individët përball torturimit si një veprim kundër njerëzimit.

Torturimi dhe keqtrajtimi janë prej veprimeve të cilat e lëndojnë edhe trupin e njeriut dhe shkaktojnë dëme dhe vuajtje edhe në aspektin shpirtëror të tij. Vuajtjet dhe dhimbjet e mëdha të këtij veprimi çnjerëzor janë aq shumë saqë asnjë ndërgjegje e shëndosh njerëzore nuk mund të durojë paraqitjen e tyre dhe për këtë arsye në të gjitha dokumentet e të drejtave të njeriut dhe ligjet e brendshme të vendeve, ky veprim është ndaluar në mënyrë të prerë. Deklarata Botërore e të Drejtave të Njeriut në nenin 5 të saj në mënyrë të qartë thekson ndalimin e torturës duke thënë: "Askush nuk duhet të torturohet ose të keqtrajtohet ose të dënohet në mënyrë çnjerëzore ose të bëhet objekt i veprimeve që ulin pozitën njerëzore të tij". Neni 7 i Konventës së të Drejtave Qytetare dhe Politike thekson në ndalimin e këtij veprimi dhe kërkon nga vendet e zotuara që të largohen nga ky veprim në kuadër të përgjegjësisë ndërkombëtare, ndërsa thotë: "Asnjë person nuk mund të torturohet ose të dënohet me sjellje dhe ndëshkime të dhunshme dhe çnjerëzore. Sidomos nënshtrimi i një personi në testet mjekësore dhe shkencore pa pëlqimin e tij të lirë, është rreptësishtë i ndaluar". Natyrisht se dokumentet e lartpërmendura njihen si dokumente të përgjithshme të të drejtave të njeriut dhe përveç ndalimit të torturës, mbulojnë edhe të drejtat dhe obligimet e tjera në kuadër të të drejtave të njeriut, mirëpo dy dokumente botërore në mënyrë të veçantë kanë folur për ndalimin e torturës. Njëri është deklarata e vitit 1975 e Asamblesë së Përgjithshme të OKB në lidhje me "mbështetjen ndaj viktimave të torturave dhe sjelljeve të tjera ose dënimeve të pamëshirshme dhe çnjerëzore" dhe dokumenti tjetër është konventa me titull "Ndalimi i torturës dhe veprimeve të tjera ose dënimeve të pamëshirshme, çnjerëzore dhe poshtëruese" e cila është miratuar më 10 dhjetor 1984. Në konventën e fundit në mënyrë të veçantë vendet nënshkruese janë zotuar për marrjen e masave të duhura për ndalimin e këtij fenomeni çnjerëzor. Gjithashtu, OKB në një rezolutë të miratuar në vitin 1987, ka dënuar kryerjen e çfarëdo lloj torture, keqtrajtimi ose veprimi jo njerëzor në të gjithë rruzullin tokësor dhe në tekstin e një rezolute po më këtë emër, ka kërkuar që të gjitha vendet e botës të nënshkruajnë konventën për ndalimin e torturimit (UNCAT) dhe për dënimin e autorëve të torturës (sidomos torturave shtetërore) në të gjithë botën.

Tortura në bazë të nenit 1 të konventës për ndalimin e torturimit të OKB (1984), përkufizohet në këtë mënyrë: "Çdo veprim që nëpërmjet tij dhe qëllimisht shkaktohen vuajtje dhe dhimbje të mëdha trupore dhe shpirtërore te individi dhe që kryhet me qëllime të caktuara si marrja e informacioneve ose pohimeve nga ai ose nga një person i tretë, ose që bëhet me qëllim ndëshkimin e tij ose të një personi të tretë për kryerjen e një veprimi ose që dyshohet se e ka kryer atë veprim, ose që kryhet me qëllim të frikësimit dhe detyrimit të atij ose të një personi tjetër për kryerjen e një veprimi, ose që kryhent në bazë të arsyeve raciste të çfarëdo lloji, sidomos atëherë kur vuajtje dhe dhimbje të tilla shkaktohen nga një autoritet ose nga një person që ka funksion zyrtar ose që shkaktohen me nxitjen, pëlqimin ose pranimin e tij. Të gjitha këto veprime janë tortura". Torturimi nuk përfshinë vetëm dhimbjen ose vuajtjen që buron vetëm nga urdhrat ligjore ose nga natyra e këtyre urdhrave ose nga një pjesë e tyre. Prandaj, sipas këtij neni, shkaktimi i çfarëdo lloji të dhimbjes dhe vuajtjes të qëllimtë në aspektin fizik ose psikologjik, është e ndaluar dhe këtu bëjnë përjashtim vetëm rastet në kuadër të dënimeve ligjore. Me fjalë të tjera, edhe pse dënimet shoqërohen me lloje të ndryshme të dhimbjeve fizike dhe psikologjike, mirëpo ato nuk janë të ndaluar në aspektin se krimineli nuk duhet të mbetet pa u dënuar dhe merita e tij për marrjen e këtij dënimi nuk e ndalon këtë lloj të dhimbjeve. Kjo çështje është me rëndësi që veprimet e ndëshkimeve ligjore të cilat në vete përmbajnë shkaktimin e dhimbjeve dhe vuajtjeve fizike dhe psikologjike, janë të lejuara vetëm ndaj personave të cilëve u është vërtetuar krimi i tyre, por shkaktimi i dhimbjeve dhe vuajtjeve për persona të tjerë është i ndaluar.

Në mësimet islame, njeriu është një qenie të cilin Zoti i madhëruar e ka krijuar në formën më të mirë dhe në të e ka vendosur shpirtin e tij (surja Sad, 72) dhe pas krijimit të tij, e ka lavdëruar veten. (Surja Mumin, 14). Për shkak të kësaj pozite të lartë dhe të merituar dhe pa marrë parasysh çfarëdo lloj kushte të tjera si besimin, islamin dhe të tjera, Zoti i ka dhënë njeriut dinjitet dhe nder. Nderi dhe dinjiteti i njeriut në disa raste është konsideruar edhe më i lartë se sa nderi dhe dinjitetet më të rëndësishme hyjnore. Në fetë qiellore dhe sidomos në fenë e pastër islame dhe në mënyrë të veçantë në Librin Qiellor të myslimanëve dhe në jetën dhe veprën e Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. dhe të imamëve ma'sum (a.s.), janë paraqitur baza dhe themele të çmuara të dinjitetit dhe fisnikërisë së njeriut. Në vështrimin e Kur'anit të shenjtë, njeriu për shkak se është njeri, posedon fisnikëri dhe dinjitet dhe Zoti ka vendosur fisnikërinë dhe dinjitetin në të gjithë njerëzit, përveç atyre të cilët me sjelljet e tyre kanë njollosur dinjitetin dhe fisnikërinë njerëzore. Duke marrë parasysh se Islami ka njohur zyrtarisht dinjitetin njerëzor, në ligjet dhe dispozitat juridike islame i është kushtuar një vëmendje e madhe nevojave dhe pasojave të dinjitetit të njeriut dhe në dispozitat islame nuk ekziston asnjë normë ose ligj që nuk është në harmoni me dinjitetin e njeriut. Nevoja e dinjitetit të njeriut nga pikëpamja e Kur'anit është në të drejtën për të jetuar, në të drejtën e lirisë, në të drejtën e devotshmërisë fetare dhe në të drejtën e gëzimit në mënyrë të drejtë dhe të barabartë të privilegjeve shoqërore. Prandaj askush nuk ka të drejtë që të kërcënojë ose të dëmtojë dinjitetin e njeriut dhe pasojat e tij.  

Duke marrë parasysh dinjitetin dhe fisnikërinë e njeriut, Sheriati Islam në mënyrë të prerë ka ndaluar keqtrajtimin dhe torturimin e njeriut që shkakton njollosjen dhe përdhosjen e dinjitetit të tij, prandaj e ka shpallur haram çfarëdo lloj veprimi ose sjellje që është në kundërshtim me pozitën dhe dinjitetin e njeriut. Në dekretin për ndalimin e torturimit nga pikëpamja e Islamit, nuk ekziston dallim mes njerëzve nga aspekti i fesë, gjinisë, ngjyrës, racës dhe karakteristikave të tjera. Prandaj torturimi i njeriut në përgjithësi është haram dhe rreptësishtë i ndaluar. Sipas dispozitave të Sheriatit Islam, jo vetëm torturimi dhe keqtrajtimi i njeriut është i ndaluar, por edhe torturimi i kafshëve konsiderohet haram dhe nuk lejohet pa ndonjë arsye racionale. Përveç kësaj në dekretin për ndalimin e torturimit nuk ekziston dallim as në format e torturimit fizik ose psikologjik, sepse të gjitha format e këtij veprimi janë të ndaluara. Në bazë të kësaj, keqtrajtimi dhe torturimi i të akuzuarit vetëm për shkak të akuzës, jo vetëm që konsiderohet dhunë, por edhe padrejtësi ndaj të akuzuarit. Kjo është për arsye se torturimi i tij është ndëshkim për një veprim që akoma nuk është vërtetuar shkaku i tij. Prandaj, me torturim dëmtohet dhe zhduket dinjiteti i njeriut dhe pikërisht për këtë arsye ky veprim është haram dhe nuk pranohet nga Sheriati Islam.  

Shumë transmetime tregojnë ndalimin e keqtrajtimit dhe torturimit të njerëzve që disa prej tyre me anë të ilustrimeve dhe në formë jo të drejtpërdrejtë, ndërsa disa prej tyre në formë të drejtpërdrejtë ndalojnë torturimin e njerëzve nga ana e autoriteteve shtetërore. Një prej transmetimeve të kategorisë së parë është ky që Imam Xhafer Sadik (a.s.) transmeton nga Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. i cila ka thënë: "Robi më i rebeluar ndaj Zotit është ai i cili tenton ta vrasë një person i cili nuk është vrasës dhe të godasë një person i cili nuk e ka goditur atë". Gjithashtu Imam Sadik (a.s.) ka thënë: "Nëse një person e godet me kamxhik një person tjetër, Zoti i madhëruar do ta godasë atë me kamxhikun e zjarrit". Imam Sadik (a.s.) gjithashtu transmeton nga Profeti s.a.v.s. i cili ka thënë: "Robi më i urryer pranë Zotit të madhëruar është ai i cili tenton ta godasë me pa të drejtë një mysliman nga mbrapa". Në burimet transmetuese sunite gjithashtu transmetohet se Husham bin Hakem ka thënë: "Një ditë kaloja pranë një grupi në Damask kur shikova se mbi ata persona po derdhnin vaj dhe po i mbanin ata nën rrezet e diellit. Pyeta se çfarë po bëni kështu? Më thanë: Këta janë persona të cilët për shkak të mospagimit të taksave, janë duke u ndëshkuar dhe torturuar. U thash atyre se kam dëgjuar nga Profeti s.a.v.s. i cili ka thënë: "Zoti do t'i torturojë ata persona të cilët në këtë botë kanë torturuar njerëzit". Në përgjithësi nga këto transmetime kuptohet se torturimi dhe keqtrajtimi i njeriut vetëm për shkak të akuzës, është dhunë dhe padrejtësi që si i tillë konsiderohet haram dhe i ndaluar, prandaj autori i këtij veprimi me padyshim do të ndëshkohet. Përveç transmetimeve të përmendura për ndalimin e torturimit dhe keqtrajtimit, mund të përmendim edhe fjalët e Imam Aliut (a.s.) në ligjëratën 167 të librit Nahxhul-Balagha ku shpjegon ruajtjen e nderit të myslimanëve dhe urdhëron largimin nga tortura dhe keqtrajtimi i tyre. Sipas fjalëve të Imam Aliut (a.s.), deri në kohën kur nuk ekziston një leje nga autoritetet përkatëse për keqtrajtimin e myslimanëve, një veprim i tillë në asnjë mënyrë nuk lejohet. Edhe në rast të lëshimit të një leje të tillë, atëherë duhet pasur parasysh limitët dhe kufizimit që ka caktuar Zoti në lidhje me këtë çështje.

Sep 28, 2017 11:27 CET
Komente