Në këtë edicion do të flasim rreth robërimit femrave nga grupi takfirist ISIS përkundër mësimeve të Islamit.

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar, jemi pranë jush me edicionin e radhës të programit “Kritikë ndaj bazave ideologjike dhe qasjes pragmatike të lëvizjeve takfiriste”.

Kritikë ndaj bazave ideologjike dhe qasjes pragmatike të lëvizjeve takfiriste

Në edicionin e kaluar shqyrtuam shkatërrimin e veprave dhe objekteve antike, objekteve fetare dhe shkatërrimin e varrezave nga grupet takfiriste dhe terroristr si kontradiktë e qartë me mësimet islame duke u mbështetur në ajetet e Kur’anit të shenjtë dhe sunetit të Profetit Muhamed s.a.v.s.. Në këtë edicion do të flasim rreth robërimit të femrave si një veprim tjetër kriminal i grupit takfirist ISIS dhe i grupeve që kanë ide të njëjta. Megjithë theksimet e shumta të Islamit në lidhje me sjelljen me respekt ndaj femrave dhe për mbrojtjen e të drejtave të tyre, ISIS në emër të fesë ka kryer dhe kryen veprime çnjerëzore dhe të egra kundër femrave, gjë që konsiderohet shkelje flagrante e të drejtave të njeriut. ISIS në një artikull të publikuar në gazetën zyrtare të këtij grupi me emrin “Dabek” me titull “Ringjallja e skllavërisë para ditës së Kiametit”, robërimin e grave dhe fëmijëve të komunitetit Izedi në qytetin Sanxhar të Irakut, e prezanton si dokument krenarie dhe si ringjallje të një pjesë të harruar të Islamit.

Robërimi i femrave nga ISIS

Në këtë artikull thuhet: “Shteti Islamik  me këtë veprim, një aspekt të Sheriatit Islam i cili ishte devijuar, e ka kthyer përsëri në kuptimin e tij të drejtë... Skllavërimi i familjeve idhujtare në përmasa të gjera, me siguri është hera e parë që zbatohet ky ligj i Sheriatit Islam, pasi ishte lënë anash. Kjo është një pakicë idhujtare që adhuron djallin. Pas arrestimit të femrave (të komunitetit Izedi) së bashku me fëmijët e tyre, ato sipas dispozitave të Sheriatit, ndahen në mesin e luftëtarëve të Shtetit Islamik (ISIS) të cilët kanë marrë pjesë në betejën e Sanxharit dhe një e pesta e tyre dërgohen për Shtetin Islamik”. Zejneb Banxhura, përfaqësuesja e OKB, në një raport të saj rreth gjendjes të tmerrshme të femrave të skllavëruara nga ISIS, dhunën e egër ndaj këtyre femrave e krahason me dhunën e shekujve të mesjetës. Ajo premtimin e ISIS për vendosjen e femrave të virgjëra në dispozicion të luftëtarëve, e quan një prej metodave të këtij grupi terrorist për të mbledhur luftëtarë nga vendet e huaja. ISIS këto femra i ka përdorur në kuadër të “xhihadit të martesës” dhe i ka shitur me çmim nga 500 deri 2000 dollarë. Jga femrat e skllavëruara janë raportuar shumë krime të hidhura dhe përdhunime seksuale në mënyrë kolektive. Nga këto krime të tmerrshme lëndohet shpirti i çdo njeriu liridashës”.

Tragjedia është kjo që ISIS deklaroi se vendosja e sistemit të skllavërimit dhe robërimit të grave dhe vajzave dhe përdhunimi i tyre, është një lëvizje reformatore dhe është bërë për ta ringjallur një pjesë të harruar të Sheriatit Islamik! Kjo është në kohën kur Islami kurrë nuk ka qenë themelues dhe mbështetës i sistemit të skllavërisë dhe kjo traditë nuk ka hyrë në shoqërinë njerëzore me paraqitjen e Islamit. Mijëra vjet para paraqitjes së Islamit, skllavëria ishte përhapur në shoqëritë dhe si një trashëgimi ishte bartur nga një gjeneratë në gjeneratën tjetër. Skllavëria nuk është rrugë dhe metodë të cilin Islami e ka vendosur për njerëzimin që tani të insistojë në vazhdimin e saj. Nuk është bërë gjithashtu asnjë përpjekje nga ana e Profetit Muhamed s.a.v.s. dhe personaliteteve të shekullit të parë të Islamit për përhapjen e skllavërisë. Prandaj, ringjallja e skllavërisë të cilën e pretendoi ISIS në periudhën aktuale, do të thotë ringjallje e një tradite që Islami ka luftuar për ta zhdukur atë dhe në periudhën aktuale ajo është anuluar. Islami është fe e lirisë dhe lirimit ndërsa robërimin e konsideron të lejuar vetëm përpara Zotit. Feja e cila kriter të vetëm për dallimin e njerëzve nga njëri-tjetri e konsideron devotshmërinë hyjnore ndërsa robërinë e konsideron të veçantë vetëm përpara Zotit të madhëruar dhe nuk mund ta durojë robërimin e njeriut për njeriun tjetër. Prandaj një prej mëkateve të pafalshme në Islam, është mohimi i lirisë së njerëzve dhe shndërrimi i tyre në një mall tregtie. Profeti Muhamed s.a.v.s. në lidhje me këtë ka thënë: “Njerëzit më të këqij janë ata të cilët punojnë në shitblerjen e njerëzve”. Gjithashtu ai në një rast tjetër ka thënë: “Zoti i madhëruar i falë të gjitha mëkatet, përveç (tre mëkate): Atë që mohon dashurinë e gruas së tij, atë që uzurpon hakun  punëtorit dhe atë që atë që shet një njeri të lirë". Sipas këtij hadithi, shkelja e të drejtave të grave dhe të drejtave të punëtorit dhe mohimi i lirës së njerëzve, janë tre mëkatet e pafalshme në Islam.

Robërimi dhe shitja e femrave të komunitetit Izedi nga ISIS në Arabinë Saudite

Në kohën e paraqitjes së Islamit, fenomeni i skllavërisë ishte një çështje e ndërlikuar e cila kishte kapluar të gjitha sektorët e shoqërive të asaj kohe duke përfshirë kulturën, ekonominë, marrëdhëniet shoqërore dhe fusha të tjera të jetës së njeriut. Prandaj lufta kundër këtij fenomeni, gjithashtu ishte shumë e vështirë dhe problematike dhe kërkonte kohë të mjaftueshme. Për këtë arsye Islami në këtë drejtim ka zgjedhur metodën e luftës afatgjate kundër këtij fenomeni. Strategjia e Islamit ishte kjo që me ndryshimin e mekanizmave shoqërore dhe ekonomike, fenomeni i skllavërisë të eliminohet gradualisht. Në fazat e tjera, pas eliminimit të këtij fenomeni nga marrëdhëniet shoqërore dhe ekonomike, Islami e shpalli këtë fenomen të ndaluar dhe nuk lejoi kthimin e tij përsëri në sistemin shoqëror. Ashtu siç ndodhi edhe në histori një gjë e tillë. Sipas dëshmisë së historisë, politikat dhe strategjitë e Islamit në luftën kundër skllavërisë dhanë rezultatin e pritur. Në këtë mënyrë, në mesin e popujve myslimanë, skllavëria u anulua shumë më herët se sa në mesin e popujve të tjerë. Hazreti Muhamed s.a.v.s. me vendosjen e një varg ligjesh dhe rregulloresh, filloi një përpjekje të madhe për eliminimin e skllavërisë. Plani i Profetit Muhamed s.a.v.s. ishte ky që gradualisht të krijohen kushtet për lirimin e skllevërve në mënyrë që edhe ata të jetojnë sikur njerëzit e tjerë të zakonshëm në sistemin shoqëror. Në këtë drejtim, Hazreti Muhamed s.a.v.s. në këtë ka zbatuar edhe disa politika inkurajuese. Ai inkurajonte njerëzit që të blejnë skllevërit nga padronët e tyre dhe pastaj të lirojnë ata. Një prej qëllimeve të këtij veprimi ishte ky që gradualisht të reduktohet sa më shumë numri i skllevërve në shoqëri dhe strukturat shoqërore dhe ekonomike të lirohen nga prangat e sistemit të skllavërisë. Profeti Muhamed s.a.v.s. në një prej luftërave, ka deklaruar se çdo rob që do t'i mësojë shkrim leximin dhjetë myslimanëve, do të lirohet. Për disa mëkate si vrasja e paqëllimtë dhe betimi i rrejshëm, është caktuar lirimi i robërve si dëmshpërblim për një vepër të tillë. Prijësit e Islamit gjithmonë kanë qenë pionierë në këtë vepër të çmuar dhe të vlefshme deri në atë masë saqë në lidhje me Imam Aliun (a.s.) thuhet se ka ai liruar 1000 skllevër nga vuajtjet e skllavërisë. Zbatimi i kësaj politike është bërë shkak që brenda një periudhe të shkurtë, të lirohen një numër i madh i skllevërve. Nga pikëpamja e Islamit, kjo lëvizje ishte përgatitje për eliminimin e skllavërisë.

Para Islamit, ekzistonin rrugë të ndryshme për skllavërimin e njerëzve, mirëpo Islami kryesisht ka ndaluar të gjitha ato rrugë. Nga pikëpamja e Islamit, skllavërimi i jobesimtarëve të cilët kanë bashkëjetesë paqësore me myslimanët, me padyshim është veprim i papranueshëm dhe si i tillë i dënuar. Ajeti 8 i sures Mumtahine e sqaron më së miri këtë çështje ku thotë: "Zoti, juve nuk ju ndalon nga bamirësia dhe zbatimi i drejtësisë ndaj atyre të cilët nuk kanë luftuar me ju në çështjen e fesë dhe nuk ju kanë dëbuar juve nga shtëpitë e juaja...". Në këtë mënyrë, Kur'ani i shenjtë porosit bashkëjetesën paqësore me besimtarët e feve të tjera dhe u kërkon myslimanëve që të kenë sjellje të mira me jomyslimanët dhe t'i trajtojnë ata me respekt. Në bazë të kësaj, veprimi i terroristëve të ISIS për të sulmuar pakicat si komunitetin Izedi dhe vrasja e burrave e këtij, skllavërimi i femrave dhe shitja e tyre, është në kundërshtim të hapur me mësimet e Kur'anit të shenjtë. Sipas këtij ajeti, nuk lejohet të luftohet me ata të cilët nuk janë në gjendje lufte me myslimanët. Gjithashtu, nuk lejohet vrasja e tyre ose skllavërimi i atyre. Pakicat fetare dhe etnike që ka skllavëruar ISIS dhe ka ushtruar dhunë të egër ndaj tyre, ishin grat dhe vajzat të cilat jetonin në shtëpitë dhe vendbanimet e tyre. Terroristët e ISIS kanë sulmuar qytetet dhe vendbanimet e njerëzve të tillë të cilët nuk kishin kurrfarë pozicionimi ose gatishmërie ushtarake të mëparshme. Ata i kanë dëbuar nga shtëpitë e tyre dhe i kanë vrarë pjesëtarët e këtij komuniteti. Grat dhe vajzat e pakicave të tilla i kanë skllavëruar dhe i kanë dërguar në kampe të tmerrshme të skllevërve dhe u kanë plaçkitur pasuritë e tyre. Këto veprime nuk kanë kurrfarë lidhje me Islamin.

Film i tmerrshëm nga shitja e femrave të komunitetit Izedi nga ISIS

 

Feb 02, 2018 10:55 CET
Komente