Në emër të Zotit Një, krijuesit të gjithësisë! Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar, jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit “Tregimet dhe legjendat iraniane”. Së pari, në vazhdim të edicionit të kaluar, do të flasim rreth artit të transmetimit si një prej degëve të letërsisë popullore persiane. Më pas së bashku me ju miq të nderuar do të shkojmë në botën e tregimeve iraniane dhe do të paraqesin një tregim.

Thamë se transmetuesit e tregimeve në çajhane, në sheshe në vende të tjera publike, me zakone dhe tradita të veçanta, transmetojnë tregime epike, kreshnike dhe kombëtare. Publiku kryesor i transmetimit të tregimeve kryesisht është populli i thjeshtë. Në transmetimin e tregimeve nuk ekziston dekorim i skenës dhe transmetuesi nuk i ndërron as rrobat. Ai lëviz vetëm shkopin e dorës dhe me lëvizje të veçanta të tij, tregon entuziazmin dhe pasionin. Transmetuesi së pari këndon lutje dhe pastaj dërgon përshëndetje për Profetin e nderuar të Islamit s.a.v.s. dhe duke lëvizur shkopin e tij të veçantë, fillon transmetimin e tregimit dhe shkopin e dorës e lëviz në harmoni me ritmin e tregimit.

Njerëzit që ulën për të dëgjuar tregimin, janë të lirë të hanë dhe të pinë dhe të vijnë e të shkojnë. Mirëpo sidoqoftë vëmendje e tyre është e përqendruar te transmetuesi i tregimeve. Transmetuesi tregimin e transmeton në mënyrë aq reale sa që publiku kur për shembull, në transmetimin e tregimit të Rrostamit dhe Sohrabit, transmetuesi të arrijë në vdekjen e Sohrabit, pjesë kjo që njihet si “Vrasja e Sohrabit”, të gjithë të pranishmit qajnë. Disa persona për të mos dëgjuar pjesën e vdekjes së Sohrabit, largohen nga vendi dhe dalin jashtë. Disa njerëz i japin transmetuesit edhe para që të mos e transmetojë pjesën e tregimit në të cilën Sohrabi vritet nga Rrostami që në terminologji ky veprim quhet “golrizan”.

Transmetuesit nganjëherë në ndonjë kuvend të rëndësishëm veshin edhe xhamadan lufte. Në kuvende të tilla sidomos në skenën e vrasjes së Sohrabit, i ftojnë personat më të moshuar. Shumica e kuvendeve të transmetimit të tregimeve zhvillohen të premten pasdite.

Transmetuesit e tregimeve kryesisht nga tregimi nxjerrin mësime dhe rezultate morale dhe kultivojnë traditat kombëtare. Transmetimi i tregimeve kryesisht shoqërohet me poezi dhe dialogë dhe realizohet në një ambient me rreth 200 shikues dhe zgjatë zakonisht një ose dy orë. Transmetuesi lavdëron personazhin kryesor të tregimit në atë mënyrë që shikuesi të dashurohet në atë personazh. Nganjëherë, transmetuesi sipas dëshirës e ndërron temën dhe nëse e kupton se shikuesit janë mërzitur dhe kanë humbur pasionin, bënë veprime që ata përsëri të gjejnë pasionin dhe interesimin për tregim.

Kryesisht çdo transmetues i tregimeve është mjeshtër i një lloj tregimi. Ai është një recitues i Shahnames që konsiderohet lloji më i rëndësishëm i transmetimit të tregimeve dhe tjetri është transmetues i tregimeve të dashurisë që kryesisht shoqërohen me poezi. Zëri i transmetuesit gjithashtu luan rol të rëndësishëm në tërheqjen e publikut ndërsa forca e shprehjes së tij varët nga eksperienca e tij. Disa transmetues që nga fëmijëria ulën dhe dëgjojnë transmetuesit e tjerë dhe dal ngadalë pasionohen pas këtij profesioni dhe vet bëhen transmetues të tregimeve. Profesioni i transmetuesit të tregimeve nuk është një profesion trashëgues dhe shumë rrallë ndodhë që dikush nga familja e transmetuesit të vazhdojë profesionin e tij.

Miq të nderuar temën do ta vazhdojmë në edicionin e ardhshëm dhe tani po kalojmë në botën e tregimeve.

Në kohërat e vjetra ishte një tregtar i cili kishte tre djem. Ai kur u plak dhe humbi forcën, e thirri djalin e madh dhe i tha atij: “Unë tani jam plakur dhe më ka humbur forca për të punuar, prandaj dëshiroj që administrimin e punës dhe tregtisë time ta dorëzoj ty. Mirëpo së pari duhet të sigurohem se ti e meriton një përgjegjësi të tillë apo jo”. Tregtari për ta provuar djalin e vet, i dha atij 100 dërhem që me ato blejë xhevahir ose çfarëdo malli tjetër dhe të bëjë tregti. Djali pranoi fjalët e babait dhe mori 100 dërhem dhe shkoi në treg. Gjatë rrugës arriti te një grup dëfryes, u bashkua me ata dhe shpenzoi të gjitha paratë duke u dëfryer dhe të nesërmen në mëngjes u kthye në shtëpi me duar dhe xhepa boshë. Babai vetëm sa e pa djalin dhe e shikoi gjendjen e tij, e kuptojë se ai është marrë vetëm me dëfrime dhe ka shpenzuar të gjitha paratë. Mirëpo prapë e pyeti atë se çfarë kishte bërë? Edhe djali i tregoi se i kishte shpenzuar paratë kotë dhe të gjitha veprimet se çfarë kishte bërë në ditën e kaluar. Babai e lëkundi kokën dhe tha: “Shko në punë tënde se nuk ke merita për tregti”. Më pas e dërgoi shërbëtorin që ta thërrasë djalin e tij të dytë. Kur djali i dytë arriti pranë babait, ai i tha atij: “Dje e kam thirrur djalin e madh dhe i thash atij se tani unë jam plak dhe kam punuar sa kam punuar dhe tani më nuk mundem. I kam dhënë atij një sasi parash që të shkojë dhe të bëjë tregti, mirëpo vëllai yt shkoi dhe ka shpenzuar paratë në dëfrime. Ai nuk është i punës. Tani që ai nuk ka merita për të punuar, po të japë ty 100 dërhem dhe të shoh se a je edhe ti sikur vëllai yt ose përkundër atij, ti je njeri i punës dhe i përpjekjeve. Nëse do ta tregosh vetën në këtë punë, do ta japë ty të gjithë përgjegjësinë për administrimin e tregtisë time dhe vet këtë pjesë të fundit të jetës do të përkushtohem në adhurim”.

Djali i dytë pranoi fjalët e babait, mori parat dhe shkoi në treg. Mirëpo edhe djali i dytë ra në kurthin e disa shokëve të këqij të cilët e rrethuan atë dhe së bashku shpenzuan 100 dërhem për një natë duke pirë e duke luajtur bixhoz. Të nesërmen në mëngjes edhe djali i tytë u kthye në shtëpi me duar boshë. Babai e pyeti: “Çfarë bëre me paratë?” Edhe ky i dha babait të njëjtën përgjigje siç i kishte dhënë djali i madh. Babai edhe atij i tha që të shkojë në punën e tij sepse edhe ai nuk ishte njeri i punës për ta zënë vendin e babait. Me këto veprime, fundi i jetës së tyre nuk është gjë tjetër, përveç mjerimit.

Babai shkrepi plumbin e fundit që i kishte mbetur dhe thirri djalin e tretë dhe i tha: “Vëllezërit e tu treguan se nuk janë njerëz të punës dhe fundi i jetës së tyre do të jetë vetëm mjerim dhe vështirësi. Tani ti merri këto 100 dërhem shko në treg, bli mall dhe çoje në një qytet tjetër dhe fillo të bësh tregti!”. Djali i tretë gjithashtu pranoi fjalët e babait, mori paratë dhe shkoi në treg. Në rrugë ai pa një grup njerëzish që kishin varur një të vdekur dhe e rrihnin me kamxhik. U afrua pranë tyre dhe i pyeti se pse e rrihnin të vdekurin? Ata i thanë: “Shiko punën tënde dhe mos ndërhy në punët e njerëzve!”. Djali përsëri tha: “Nuk kamë ndërmend të ndërhy, më tregoni se çfarë është çështja, ndoshta mund të zgjidhi ndonjë problem tuajin!”. Njëri prej tyre tha: “Ky burrë na kishte neve borxh 100 dërhem dhe tani ka vdekur dhe ne po e rrahim që të na kthejë paratë tona”. Djali tha: “I vdekuri nuk kupton asgjë! Shpejt lirojeni dhe pastrojeni kufomën dhe varroseni në mënyrë që unë të paguaj borxhin e tij 100 dërhem!”. Ata vepruan ashtu siç urdhëroi djaloshi dhe përfunduan punën, pastaj djaloshi i dha atyre 100 dërhem dhe u kthye në shtëpi duar boshë. Babai i tha: “Ti çfarë bëre me paratë?”. Djaloshi tha: “E lirova një të vdekur”. Pastaj i tregoi babait të gjithë ngjarjen. Babai tha: “Ke bërë një vepër shumë të mirë! Tani merri këto 100 dërhem të tjera dhe bën tregti!”. Djaloshi mori parat dhe bleu me ato xhevahir dhe artikuj të tjerë për të cilët kishte nevojë dhe u kthye te babai. Babai kur e pa që djali i tretë i tij është njeri i punës, i dha atij edhe 100 dërhem që të blejë dy shërbëtorë. Djali shkoi në treg, sa do që kërkoi të gjithë tregun, nuk gjeti askund shërbëtor. Kërkoi aq shumë sa që arriti në portën e qytetit. Aty e pa një njeri të zhveshur i cili po hynte në qytet dhe thoshte “bëhem shërbëtor!”. Djaloshi pasi që e pa se nuk gjen dot shërbëtor, e mori atë njeri të zhveshur dhe e çoi në shtëpi. Babai pasi e pa atë, tha: “Pse ke sjell në shtëpi njeri të zhveshur?” Djali u përgjigj: “Sa do që kërkova, nuk gjeta asnjë njeri për shërbëtor, pastaj e pash këtë që dëshironte të bëhet shërbëtor. Unë pasi nuk gjeta askënd tjetër, vendosa ta marrë këtë njeri”. Tregtari e pyeti njeriun e zhveshur se si quhet. Ai i tha se quhet Faramarz. I dha një palë rroba atij dhe i tha se nesër në mëngjes do të niseshin për rrugëtim, duhet të përgatisë mallin, të përgatisë ushqimin për mëngjes dhe kur të lind dielli, duhet të nisen për rrugëtim.

Miq të nderuar tregimin do ta vazhdojmë në edicionin e ardhshëm.

Tags

Apr 20, 2018 09:46 CET
Komente