• Epopeja Husejnite në letërsinë artistike persiane, pjesa e parë

Letërsia fetare dhe dega e saj e rëndësishme letërsia e Ashurasë kanë një historik të vjetër në letërsinë persiane. Në dy edicione të këtij programi synojmë të hedhim një vështrim mbi këtë zhanër të letërsisë.

Liria dhe të qenit i lirë është një gjë që është lavdëruar nga të gjitha fetë dhe shkollat ideologjike dhe historia kurrë nuk ka harruar njerëzit e lirë. Husejn bin Ali (a.s.), imami i tretë i myslimanëve shiitë, është një burrë i lirë të cilin e njohin të gjithë myslimanët dhe shumë ndjekës të feve të tjera. Historia shumë rrallë ka parë një njeri si ai dhe qielli me gjithë madhështinë e vet, nuk ka pasur yll si Imam Husejni (a.s.). Atë e lavdërojmë, për arsye se është simbol i lirisë dhe guximit dhe për arsye se ka dhënë mësimin e trimërisë dhe martirizimit në rrugën e bindjes dhe besimit për të gjithë njerëzit.

Ashura është edhe kulmi i epopesë heroike edhe kulmi i tragjedisë. Historia përgjatë gjithë jetës së njerëzimit nuk ka parë një epope kaq të madhërishme dhe një tragjedi kaq të përgjakur. Ashura është epope, për arsye se Imam Husejni (a.s.) i vetëm dhe pa armë ka qëndruar dhe rezistuar përball një pushteti gjakpirës. Nuk i  ka dhënë dorën e besëlidhjes Jezidit. Nuk është përulur përball forcës dhe nuk ka pranuar poshtërimin, sepse e ka preferuar më shumë vdekjen me dinjitet se sa jetën në poshtërim.

Tregimi i Husejn bin Ali (a.s.), nuk është tregimi i sotshëm dhe i djeshëm të cilin ta dëgjojmë dhe pastaj të harrohet. Tregimi i Husejnit (a.s.) është biografia e një shpirti të lartë i cili ka një lashtësi sa vet historia. Ai është një gjak i ngrohtë i cili edhe pas më shumë se një mijë vite, akoma vlon dhe tërbohet. Tregimi i Husejnit (a.s.), është tregimi i dashurisë i cili edhe nëse  lexohet me mijëra herë, përsëri është i papërsëritur. Epopeja Husejnite është temë që rrjedh nëpërmjet lapsit të artistit iranian, është një temë e cila në duart e artistëve iranianë është manifestuar çdo herë me një formë dhe shprehje të re.

Letërsia fetare dhe dega e saj e rëndësishme letërsia e Ashurasë kanë një historik të vjetër në letërsinë persiane. Letërsia fetare në fushën e prozës përgjatë historisë ka kaluar nëpër batica dhe zbatica të shumta dhe periudha e zhvillimit të saj dhe arritjes së kulmit, sidomos në fushën e romanit, është shënuar pas fitores së Revolucionit Islamik. Vepra më e dalluar klasike në fushën e letërsisë së Ashurasë, është vepra "Rovdatu Shuheda" e autorit Vaezi Kashefi. Ky libër është vepra e parë e cila është shkruar dhe ka trajtuar në detaje dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë kryengritjen e Ashurasë. Prandaj kjo vepër edhe mund të konsiderohet baza kryesore e veprave të cilat janë shkruar në zhanrin shfaqjeve teatrale dhe kinematografike dhe që kanë trajtuar këtë tragjedi. Vepra "Rovdatu Shuheda" është pasqyrim i një periudhe të historisë dhe në atë, janë trajtuar një varg ngjarjes nga Hazreti Ademi a.s. e deri te kryengritja e Ashurasë, prandaj konsiderohet një prej veprave të rëndësishme e cila deri më tani i ka mbijetuar kohës dhe ka ushtruar ndikim të madh mbi autorët e tjerë.

Periudha e kulmit të zhvillimit dhe lulëzimit të letërsisë fetare dhe sidomos letërsisë së Ashurasë në fushën e prozës, është shënuar gjatë viteve pas Revolucionit Islamik të Iranit. Pas fitores së Revolucionit Islamik të Iranit në vitin 1979, dhe fillimit të luftës imponuese të Irakut kundër Iranit, një prej sferave shumë aktive në fushën e letërsisë artistike apo romanit persian, ka qenë letërsia e Ashurasë e cila gjatë këtyre viteve ka kaluar shumë batica dhe zbatica. Shumë shkrimtarë dhe autorë kanë shkruan në këtë fushë dhe shumica e tyre në vazhdën e krijimtarisë së vet letrare, gjithnjë kanë treguar vëmendje të veçantë edhe për këtë fushë, mirëpo kanë qenë edhe disa autorë dhe shkrimtarë të cilët në një periudhë të caktuar gjatë krijimtarisë së tyre, kanë krijuar vepra të caktuara në këtë fushë dhe kanë pasuruar thesarin e çmuar të letërsisë artistike fetare persiane.

Tregimi i Husejnit (a.s.) në duart me plotë talente të shkrimtarëve, është shprehur dhe paraqitur në mënyra të ndryshme. Disa prej shkrimtarëve janë munduar që tregimin e romanit të sotshëm ta lidhin me një prej tematikave të kryengritjes së Ashurasë ndërsa në pikëpamjen e disa shkrimtarëve të tjerë, lufta dhe tetë vitet e mbrojtjes së lavdishme u bë fushë për të paraqitur ngjashmëritë dhe sinonimet e bukura të fronteve të luftës imponuese me kryengritjen e Ashurasë dhe Qerbelasë. Në këtë kohë të shkurtë, nuk kemi mundësi që të flasim për të gjithë shkrimtarët e letërsisë së Ashurasë dhe t'i prezantojmë veprat e tyre, prandaj jemi të detyruar të mjaftohemi vetëm me një pjesë të tyre.

Sejed Mahdi Shoxhai është një prej autorëve shumë aktiv të letërsisë fetare dhe sidomos letërsisë së Ashurasë në Iran. Sejed Mahdi Shoxhai në fushën e prozës dhe romanit fetar dhe të letërsisë së Ashurasë, konsiderohet pionier i kësaj fusha dhe ka shkruar shumë vepra në këtë drejtim.

Tregimi "Dielli në mbulesë" është një rrëfim i pavdekshëm i jetës së Hazretit Zejnebe (s.a.), nga fëmijëria e deri në kryengritjen e Ashurasë, në robërimin dhe deri në vdekjen e saj. Kjo vepër është një roman i cili është shkruar duke u mbështetur në hulumtime të sakta shkencore dhe historike duke u bazuar edhe në transmetime fetare. Ky roman trajton të gjithë aspektet e hapura dhe të fshehura të jetës, veprës dhe brendësinë e personalitetit të Hazretit Zejnebe (s.a.). Shoxhai ka zgjedhur gjuhën e rrëfimit narrativit në lexuesin e tij. Narrativi është një mendje e gjithëditur e cila është e pakufizuar dhe në të gjithë rrëfimin i drejtohet Hazretit Zejneve (s.a.) dhe e çon përpara rrëfimin.

Sejed Mahdi Shoxhai dhe vepra "Dielli në mbulesë"

Sejed Mahdi Shoxhai gjithashtu në një vepër tjetër me titull "Saghaje ab dhe adab" (Ujari i ujit dhe edukatë", ka pasqyruar një version të jetës dhe veprës së Hazretit Abul-Fadl Al-Abas. Kjo vepër është një prej veprave më të bukura të Sejed Mahdi Shoxhai në fushën e letërsisë fetare e cila ka trajtuar aspekte të ndryshme të jetës së Hazretit Abas (a.s.) duke e pasqyruar atë me shprehjes artistike. Vepra "Ujari i ujit dhe edukatës" është një vepër jashtëzakonisht e çmuar që përmban koncepte të larta dhe me një gjuhë të ëmbël dhe rrëfim të bukur, por me një plan të thjeshtë. Shkrimtari me magjinë e shprehjes dhe me aftësitë e tij të veçanta artistike, ka shfrytëzuar në mënyrë artistike transmetimet dhe të vërtetat historike në lidhje me Hazretit Abas (a.s.), ndërsa me komponimin e elementëve transmetuese dhe imagjinatën, i ka dhënë një atraktivitet dhe tërheqje shumë të madhe kësaj vepre. Dhjetë kapitujt e këtij libri, sipas  mendimit të kritikëve letrarë, secili është më i bukur dhe më thelbësor se tjetri.

Sejed Mahdi Shoxhai në veprën tjetër "Babai, dashuria, djali", ka pasqyruar disa fraza të jetës së Hazretit Ali Akbar (a.s.). Çështje interesante në lidhje me këtë vepër e cila ka tërhequr vëmendjen e shumë lexuesve, është rrëfyesi i tregimit të tij. Tregimi i librit "Babai, dashuria, djali" rrëfehet nga syri i shqiponjës së atit të Hazretit Ali Akbar (a.s.) rrëfyesi në këtë tregim i drejtohet Lejla bint Murreh, nënës së nderuar të Hazretit Ali Akbar (a.s.). Kapitujt e veprës janë titulluar me emrin "Kuvend" dhe tregimi përbëhet nga dhjetë kuvende ku në çdo kuvend, shqiponja me një gjuhë emocionale dhe të bukur, rrëfen skena nga jeta e Hazretit Ali Akbar (a.s.) dhe kuvendi i fundit i është kushtuar martirizimit të këtij zotërie në Qerbela. Çdo periudhë e jetës së Hazretit Ali Akbar (a.s.) e cila përfaqësohet në dhjetë kuvendet, në fund të çdo kuvendi në një farë mënyrë lidhet me ngjarjen e Qerbelasë dhe në këtë mënyrë, të gjitha kuvendet kanë ngjyrë dhe aromë të kryengritjes së Ashurasë.

Sadegh Karamjar, shkrimtar dhe regjisor bashkëkohor iranian, gjithashtu një prej autorëve që kanë krijuar vepra në letërsinë e Ashurasë. Vepra e tij "Namira" (I Pavdekshëm),  është një roman i fushës së letërsisë së Ashurasë. Tema kryesore e romanit "Namira" trajton një tregim dashurie të një vajze dhe djali nga qyteti i Kufes të cilët ndodhen në mes të ngjarjes së Qerbelasë dhe pa marrë parasysh interesat materiale të popullit të Kufes, ata kërkojnë të vërtetën. Mirëpo në vazhdën e veprimeve dhe sjelljeve kontradiktore të figurave dhe personaliteteve të mëdha të Kufes, ndodhen të humbur para dy rrugëve: mbështetjes ndaj Imam Husejnit (a.s.) dhe besnikërisë ndaj Jezidit.

Marjam Rahi, shkrimtare e re iraniane, në veprën e saj "Nesër jam udhëtar", trajton një tregim dashurie që zhvillohet në ditët me plotë tragjedi pas ngjarjes së Ashuras. Vepra "Nesër jam udhëtar" është një roman dashurie i cili trajton tre kategori të dashurisë për lexuesin e vet. Dashuria e heroit të tregimit është dashuri e një djaloshi nga qyteti i Kufes i cili është prej nënshkruesve të letrës që fton Husejn bin Ali (a.s.) në Kufe, është dashuri të cilën e shprehin robërit dhe familjet e martirëve të Ashurasë ndaj familjes së vet, e cila është shumë djegëse por njëkohësisht shumë e bukur.

"Sekreti i kokës ndaj dashurisë" është një përmbledhje e letërsisë 35 vjeçare të Ashurasë në Iran që është përgatitur dhe shkruar me kontributin e të ndjerit Husejn Hadad. Kjo vepër është një përmbledhje e 25 tregimeve të shkurta nga 15 shkrimtarë pas Revolucionit Islamik të Iranit. Në këtë vepër janë pasqyruar vepra nga Sejed Mahdi Shoxhai, Kejsar Amin Pur, Muhamed Reza Bajrami, Zahra Zavarjan, Maxhid Shah Husejni dhe Davud Ghafarzadegan. Shumica e tregimeve të kësaj përmbledhje para se të vendosen përkrah njëri-tjetrit, janë botuar në mënyrë të pavarur ose përkrah veprave të tjera nga botuesit e ndryshëm. Mirëpo Husejn Hadad i ka përzgjedhur këta tregime nga fusha e letërsisë së Ashurasë dhe i ka vendosur ata përkrah njëri-tjetrit. Paraqitja e temës së Ashurasë në kuadër të romanit të sotshëm, sinonimi dhe krahasimi i fronteve të rezistencës gjatë mbrojtjes së lavdishme me Ashuranë dhe vështrimi i ri ndaj temës së Qerbelasë, si dhe përzgjedhja në festivalet dhe ngjarjet kulturore përkatëse, janë disa prej kritereve të përzgjedhjes së tregimeve të kësaj përmbledhje.

Tags

Oct 29, 2018 20:33 CET
Komente