Në këtë cikël emisionesh do të analizojmë shkaqet e zgjerimit të ekstremizmit të djathtë dhe i islamofobisë në Europë si dhe nevojën e njohjes së qëllimeve të ekstremit të djathtë në vende të ndryshme europiane.

Zgjerimi i ekstremizmit të djathtë ka ndryshuar raportet politike, sovciale dhe kulturore në vendet europianë dhe në BE. Sipas analistëve, përballja e Europës me krizën ekonomike dhe financiare të vitit 2008, shtimi i tensioneve politike BE-Rusi dhe rritja e kërcënimeve terroriste kanë krijuar kushtet e përshtatshme për zgjerimin e aktiviteteve të ekstremistëve djathtistë në Europë dhe të islamofobëve. Ata kanë arritur suksese të konsiderueshme në zgjedhjet dhe referendumet e zhvilluara viteve të fundit në Europë dhe treni i këtyre sukseseve vazhdon të ecë me shpejtësi.  Problemi është se edhe partitë tradicionale dhe në veçanti ato konservatore, për të reduktuar ndikimin e partive të ekremit të djathtë në sferat politike, sociale dhe kultutore, përsërisin sloganet e partive djathtiste. Mos ezistimi në kohë i jetës elektorale të këtyre partive nacionaliste, përtej faktorit kryesor ndikues të traditës tolerante dhe shumë-kulturore të shtetit dhe shoqërisë, njeh gjithashtu edhe disa elementë të tjerë të rëndësishëm, që kanë ushtruar influencën e tyre. Një ndër to, vlerësohet të jetë edhe prosperiteti dhe sigurimi social i klasës punëtore dhe i të papunëve, të cilët formojnë elektoratin potencial të partive ekstremiste në shoqërinë post-industriale. Gjithashtu ndikon edhe paaftësia e liderëve politikë, për të mbajtur të palëvizshëm elektoratin e tyre. Pothuajse në të gjitha vendet europianë, partitë majtiste të moderuara nuk kanë perspektive shpresëdhënëse për tu kthyer në pushtet.

 

 Ekstremi i djathtë ka njohur një zgjerim të konsiderueshëm thuajse në çdo zgjedhje lokale, apo legjislative në një sërë vendesh evropiane. Faktorë të ndryshëm kanë ndikuar në zhvillimin dhe zgjerimin e tij duke nisur nga kriza ekonomike, rritja e shifrave të papunësisë, si edhe mungesa e investimeve publike. Dalja e partive tradicionale nga boshti i tyre ideologjik, ka bërë të mundur që partitë ekstremistë të ofrojnë mbrojtje dhe përfaqësim të elektorateve të braktisura, me një retorikë dhe gjuhë të thjeshtë populiste, duke u bazuar në dy elementët kyç të identifikimit të tyre: refuzimi ndaj tjetrit dhe nacionalizmi. Pavarësisht karakteristikave specifike të çdo vendi, refuzimi ndaj tjetrit merr trajta të ndryshme, herë ndaj të huajit (ndaj migrantit, ndaj azilkërkuesit, ndaj refugjatit), por shpeshherë ky refuzim drejtohet edhe ndaj vetë shtetasve brenda një territor kombëtar (Vlaams Belang në Belgjikë, Lega Nord në Itali), si edhe ndaj minoriteteve brenda një hapësire shtetërore (Jobbik në Hungari), por trajtat e tij formësohen edhe ndaj shtetasve të vendeve të ndryshme evropiane (rasti i polakëve në Britaninë e Madhe pas Brexit, vendet skandinave ndaj grekëve dhe spanjollëve). konfliktet e Lindjes së Mesme arritën të zhvendosin miliona persona në Evropë, duke i lejuar ekstremit të djathtë evropian të shfrytëzojë akoma më shumë kartën e tij të ksenofobisë dhe të racizmit. Nuk duhet harruar se Europa po përballet me nevojën për të absorbuar në shoqëritë e saj, flukse të larta të migrimit, por se këto flukse Evropa i ka njohur kryesisht vetëm në periudhat e lulëzimit të saj ekonomik, atëherë kur vendet bënin kontrata, duke marrë në territoret e tyre krahun e punës për zhvillimin dhe ndërtimin e infrastrukturave të ndryshme në vend. Dhe kjo vështirësi për të absorbuar në shoqërinë e saj këto flukse migrimi, duhet kuptuar edhe në kontekstin e krizës ekonomike dhe financiare që ka përshkruar prej vitesh Europën.

 

Refuzimi i tjetrit, ndërthuret ngushtësisht me elementin e dytë, që është kuadri i theksuar nacionalist. Dhe ky nacionalizëm, nuk është një nacionalizëm i çfarëdollojshëm, por sipas specialistëve kemi të bëjmë me një “nacionalizëm organik”, në kuptimin që kombi merr vlerën, formën dhe rëndësinë e një “organi biologjik”, që mund të sulmohet dhe infektohet nga “viruset”, që duhet t’i luftojmë dhe t’i përzëmë jashtë territorit kombëtar. Të gjithë partitë ekstremiste të djathta, bazohen në skeletin e mësipërm, ndonëse në varësi të aktualiteteve të vendeve përkatëse axhenda e tyre ndryshon, pasi synohet zgjerimi i elektoratit. Por, duhet theksuar se në përgjithësi, këto parti ekstremiste përpiqen të distancohen në parim nga ideologjitë ekstremiste të djathta fashiste, naziste apo frankiste. Ndër to, përjashtim bëjnë Jobbik në Hungari dhe Agimi i Artë në Greqi, që nuk hezitojnë të shfaqin elementë të qartë të ideologjive naziste. Duhet theksuar se, si ideologjia fashiste edhe ajo naziste lindën në një kontekst të veçantë të lidhur ngushtë me Luftën e Parë Botërore. Konteksti i ditëve të sotme, është shumë i ndryshëm, duke i detyruar këto parti të jenë më të frenuara, teksa distancohen të paktën në parim nga këto ideologji, por është e pamundur të mos hiqen disa paralelizma. Paralelizma, jo vetëm në kuptimin e vijimësisë të karakteristikave bazë si konceptimi etnik i popullit, apo i identitetit kombëtar që funksionon vetëm me “armiq” të përcaktuar, por që kanë një qasje të ngjashme si në raport me krizën financiare, ekonomike dhe sociale, pa përjashtuar këtu edhe krizën demokratike. Gjithsesi, ato nuk e kanë vënë asnjëherë në diskutim një element të rëndësishëm, që lidhet me refuzimin e demokracisë parlamentare, ndryshe nga partitë ekstremiste të fillim shekullit të XX, të cilat pasi morën pushtetin e shuan jetën parlamentare.

 

Në hartën e një Evrope ku partitë ekstremiste po zgjerohen duke filluar nga Franca, Gjermania, Austria, Italia, Hungaria, Polonia, Finlanda, Danimarka, Belgjika, Holanda etj, vëmendje po tërheq rezistenca e Portugalisë, Spanjës dhe Irlandës. Një rezistencë, që spikat dhe që në optikën e specialistëve, mund të lidhet me raportet e veçanta që ato kanë ndërtuar me çështjen kombëtare, apo me një histori që i ka shkualifikuar regjimet autoritare. Sidoqoftë, partitë e ekstremit të djathtë në Europë e shohin me shumë optimizëm vitin 2017 si një vit kulmor për suksesin e tyre në mbarë Europën. Në zgjedhjet presidenciale në Francë, Marine Le Pen, kandidatja e Frontit Kombëtar të Francës është kandidatja kryesore. Në Gjermani, partia ekstremiste AfD pritet të fitojë zgjedhjet parlamentare pas dobësimit të ndjeshëm të pozitës së kancelares Angela Merkel. Spektakli që sapo ka filluar në ishull, pritet të intensifikohet, madje edhe të përhapet nga ana tjetër e detit, në Kontinentin e Vjetër, i cili teksa njërin sy e mban nga zhvillimet ishullore, me tjetrin vëzhgon me ankth populistët e vet neofashistë.

 

Frika për përhapjen e ekstremist të djathtë në Europë është e argumentuar. Austria, një vend evropian i qetë, pedant dhe relativisht i dashur, për pak sa nuk zgjodhi president, Norbert Hofer, një kandidat të Partisë së Lirisë nga e djathta ekstreme. Nëse Hofer i ekstremit të djathtë do të kishte fituar, kjo do të ishte hera e parë që nga viti 1945 që Evropa do të votonte një kryetar shteti nga e djathta ekstreme. Përgjatë Europës Plakë, populistët e së djathtës po marshojnë drejt një triumfi: FPO në Austri, Fronti Kombëtar në Francë dhe Jobbik në Hungari. Pa folur për nazistët e Agimit të Artë në Greqi. Këta të fundit janë një rast udhërrëfyes për populizmin e së djathtës ekstreme. Një dritë shprese për partitë e ekstremit të djathtë në Europë ishte fitorja e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në SHBA. Ai ka skandalizuar botën me deklaratat e tij raciste dhe islamofobe, por kjo nuk ka penguar përkrahjen e tij nga figurat kryesore të partive të ekstremit të djathtë në Europë. Në fakt, Donald Trump nuk është i vetëm në ekstremizmin e tij populsit, ndërsa Trump-ë të tjerë, neofashistë, apo thjesht fashistë, presin të nxjerrin kokën nga bataku për të marrë pushtetin në shtetet përkatëse nëpër Evropë. Një rrënim i projektit evropian do të thotë që Kontinenti i Vjetër dhe vendet tashmë satelite mund t’u kthehen kufijve striktë kombëtarë të pas luftërave botërore, me Rusinë në njërën anë dhe të tjerët në tjetrën. Mund të ketë sërish ‘blloqe’ dhe sërish surpriza të pakëndshme. Ky është një skenar apokaliptik, i pagjasë, mund të thonë disa. Por Brexit mund të ketë shtyrë një levë me reagim të ngadaltë dhe të pakthyeshëm, proces i cili mbetet për t’u soditur dhe provuar në lëkurë. Të nderuar dëgjues, analizën tonë do t’a vazhdojmë në emisionin e ardhshëm.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Jan 09, 2017 10:38 Europe/Tirane
Komente