Në muajin Tetor 2017, shefi i Shtëpisë së Bardhë njoftoi se do të raportojë në Kongres dhe do të këshillojë aleatët të ndalojnë marrëveshjen e vitit 2015, të cilën Trump e quajti edhe një herë si më të keqen që kanë bërë SHBA-të.

Presidenti Donald Trump nuk e certifikoi marrëveshjen bërthamore të nënshkruar në vitin 2015 mes Shteteve të Bashkuara, vendeve aleate dhe Teheranit, duke pretenduar se Irani udhëhiqet nga një qeveri agresive, përgjegjëse për gjakderdhjen në rajonin e Gjirit Persik dhe që mbështet terrorizmin. Trump sqaroi se bashkë me Kongresin do të hartojë një plan më të ashpër sanksionesh ndaj Iranit. Sipas ligjit amerikan, presidenti duhet të çertifikojë çdo 90 ditë se Irani po përmbush marrëveshjen dhe se është në interesin e Shteteve të Bashkuara të respektojë marrëveshjen. Në ditët e para pas deklaratave të Donald Trump, në Kongres mbisundoi atmosfera anti-iraniane. Disa përfaqësues të Kongresit premtuan të marrin vendime kundër Iranit për shtimin e masave shtrënguese dhe kufizimeve. Më të ashprit e tyre ishin dy senatorë republikanë, përfshirë Bob Corker dhe Tom Catten. Të dy përgatitën një plan për të rifilluar sanksionet bërthamore kundër Iranit në rast të testimeve të raketave ose rritjes së rrezes së veprimit të raketave iraniane. Disa përfaqësues të tjerë të Kongresit kanë bërë thirrje për një marrëveshje të përtëritshme bërthamore dhe shtuan disa çështje të reja. Për shembull, disa kërkuan anulimin e afatit të caktuar për kufizimin e aktiviteteve bërthamore të Iranit për ta bërë të përhershëm kufizimin e programit bërthamore iranian . Ose ishte planifikuar që të kërkohej që të ndalonin programet studimore të Iranit për prodhimin e gjeneratave të reja të centrifugave. Miratimi i ndonjë prej këtyre planeve mund të çojë në vdekjen e marrëveshjes bërthamore. Republika Islamike e Iranit ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se nuk do të negociojë aspak marrëveshjen bërthamore dhe nuk do të shtojë asgjë në këtë dokument. Irani gjithashtu ka deklaruar në mënyrë eksplicite se nuk do të negociojë në asnjë mënyrë për aftësitë e tij mbrojtëse, duke përfshirë edhe potencialin e raketave. Në të njëjtën kohë, Evropa ka njoftuar zyrtarët e SHBA, duke përfshirë përfaqësuesit e Kongresit, se bisedime për të ndryshuar ose ripërtërirë dispozitat e marrëveshjes bërthamore nuk do të mbahen. Si pasojë, Kongresi mbeti në udhëkryq mes shkatërrimit të marrëveshjes bërthamore dhe pranimit të vullnetit të bashkësisë ndërkombëtare.

Më parë, të gjitha vendet më efektive në botë, së bashku me institucione me ndikim si Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, kishin paralajmëruar se largimi i Shteteve të Bashkuara do të përfundonte me izolimin e Uashingtonit dhe me ndarjen ndërmjet dy anëve të Atlantikut. Edhe një numër i zyrtarëve në qeverinë aktuale të Shteteve të Bashkuara kishin shprehur në mënyrë të heshtur shqetësime të tilla, por ajo që më shumë se angazhimi i SHBA apo pakënaqësia me aleatët e saj ndikoi në hezitimin midis vendimmarrësve amerikanë, përfshi edhe anëtarët e kongresit, ishte një reagim i ndërsjelltë i Iranit. Republika Islamike e Iranit ka paralajmëruar se kthimi i sanksioneve bërthamore do të ishte një shkelje e rëndë, dhe aktivitetet bërthamore të Iranit do të rifillonin me intensitet edhe më të lartë se përpara bisedimeve. Ky kërcënim i stepi ligjvënësit amerikanë. Edhe plani i ofruar nga Corker dhe Catten dhe i mbështetur nga Shtëpia e Bardhë u kufizua. Corker ka njoftuar se për shkak të mungesës së kuorumit për miratimin e një plani të tillë, dhe në përgjigje të kërkesave të forta të BE, plani për të rivendosur sanksionet bërthamore ndaj Iranit po braktiset. Reza Nasri, një ekspert i çështjeve ndërkombëtare dhe anëtar i Institutit për Studime Ndërkombëtare në Gjenevë, është i mendimit se afati përfundimtar për ligjvënësit në Kongresin e SHBA për të vendosur mbi marrëveshjen bërthamore ka skaduar, dhe avokatët e vijave të ashpra, pavarësisht nga dëshira dhe kërkesa e Donald Trump për të ndryshuar marrëveshjen bërthamore, gjë që mund t'i jepte fund asaj, nuk arritën të bëjnë asgjë. Edhe në periudhën 60-ditore, Kongresit nuk iu lejua të bënte ndryshime në Aktin e Rishikimit të Marrëveshjes Bërthamore të Iranit, në mënyrë që Trump të mos duhej të raportonte një herë çdo 90 ditë. Disa këshilltarë të Trump-it i thanë Kongresit se presidenti amerikan nuk ngurron ta miratojë këtë çështje dhe prandaj ai në tetor nuk e miratoi certifikimin e angazhimit të Iranit ndaj marrëveshjes bërthamore, por duket se kërkesa e Trump nuk është miratuar nga Kongresi. Bazuar në tekstin e ligjit të vitit 2015, nga Trump kërkohet të njoftojë mbështetjen e tij për marrëveshjen bërthamore më 15 janar 2018.

Kongresi amerikan kishte afat deri më 12 dhjetor për të vendosur nëse do të rivendosë sanksionet ekonomike ndaj Teheranit. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, tha në një konferencë shtypi se administrata Trump "vazhdon të bëjë përparim inkurajues me Kongresin për të rregulluar marrëveshjen SHBA-Iran dhe për të adresuar çështjet afatgjata të përhapjes së armëve atomike." "Në të vërtetë nuk kishte asnjë afat për të vepruar deri në këtë javë pasi administrata nuk kërkoi që Kongresi të paraqiste legjislacion për të ri-imponuar sanksionet që lidhen me  marrëveshjen bërthamore", shtoi ajo. Micah Johnson, një zëdhënës i Kryetarit të Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit Bob Corker, tha të hënën e kaluar se ishin duke u zhvilluar "diskutime produktive" "për rrugën e duhur përpara". Megjithatë, Kongresi deri më tani nuk ka njoftuar plane për të futur një rezolutë për të ri-imponuar sanksione. Krerët e Kongresit thanë të martën se ligjvënësit amerikanë do të lejonin kalimin e afatit pa veprim. Duke bërë këtë, Kongresi e kaloi topin përsëri tek Trump, i cili duhet të vendosë në mes të janarit nëse dëshiron të vazhdojë të heqë dorë nga sanksionet ndaj Iranit. Dështimi i Trump për ta bërë këtë do të prishë marrëveshjen, një rrugë e kundërshtuar ashpër nga aleatët evropianë, Rusia dhe Kina, dhe palët e tjera të marrëveshjes. Tetë raporte nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, që është mbikëqyrëse e procesit të zbatimit të marr veshjes bërthamore, deri tani kanë konfirmuar angazhimin e plotë të Iranit në zbatimin e marrëveshjes. Trump, megjithatë, ka sfiduar raportet e ANEA dhe paralajmëroi se ai në fund mund të "ndërpresë" marrëveshjen bërthamore të Iranit. Ndërkohë, një sondazh i ri i kryer nga Instituti Brookings me bazë në Uashington, tregoi se 70 për qind e amerikanëve pajtohen se marrëveshja bërthamore është e dobishme për interesat e SHBA, ndërsa 26 për qind nuk pajtohen. Sipas marrëveshjes, Irani u angazhua të zbatojë kufizime të caktuara për programin e tij bërthamor në shkëmbim të përfundimit të të gjitha sanksioneve bërthamore kundër Teheranit. Palët e tjera të marrëveshjes, së bashku me të gjithë bashkësinë ndërkombëtare, kanë shprehur mbështetje të fortë përmarrëveshjen bërthamore, duke paralajmëruar Uashingtonin kundër përpjekjeve për të minuar marrëveshjen e rëndësishme që është ratifikuar edhe nga KS i OKB. Që nga refuzimi i Trump për të vërtetuar përputhjen e Iranit me angazhimet e tij në kuadër të marrëveshjes bërthamore, zyrtarët e lartë evropianë kanë lobuar intensivisht në Kongres me qëllim që ligjvënësit amerikanë  të vendosin kundër ri-imponimit të sanksioneve kundër Iranit. Ky është shkaku që Kongresi dhe Turmp po ia hedhin njëri-tjetrit përgjegjësinë e prishjes së marrëveshjes bërthamore me Iranin.

 

Dec 26, 2017 10:11 Europe/Tirane
Komente