Dokumenti i kohëve të fundit i Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të SHBA thekson mbi forcimin e fuqisë ushtarake të SHBA. Shtylla e tretë e këtij dokumenti përshkruan mbrojtjen e paqes në kuadrin e përdorimit të forcës ushtarake.

Elementi i tretë i dokumentit të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të SHBA, i titulluar "Ruajtja e Paqes përmes Fuqisë", fillon me një citim nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili thotë: "Për sa kohë që unë jam president, burrat dhe gratë që mbrojnë vendin tonë do të kenë pajisjet, burimet dhe buxhetin e nevojshëm për të garantuar sigurinë e vendit në mënyrë që ata të mund të reagojnë shpejt dhe vendosmërisht kundër armiqve tanë dhe të luftojnë në çdo kohë, të mposhtin armikun dhe gjithmonë të jenë fitimtarë "."Strategjia është ruajtja e paqes përmes forcës ", tha presidenti i SHBA në një fjalim me rastin e shpalljes së dokumentit të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare. “Ne e dimë se dobësia padyshim çon në luftë, dhe forca e pashembullt është mënyra më e sigurt për tu mbrojtur. Për këtë arsye, strategjia jonë është të largohemi nga procesi i reduktimit automatik të buxhetit të ushtrisë së vendit, gjë që është tepër e dëmshme”, shtoi Trump. "Kjo strategji kërkon braktisjen e praktikave burokratike dhe thekson zgjerimin dhe modernizimin e mëtejshëm të forcave ushtarake të vendit", theksoi komandanti i Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara, duke shtuar: "Kjo strategji përfshin programe për t'u përballur me kërcënime të reja, siç janë kërcënimet kibernetike dhe elektromagnetizmi. Kjo strategji e shikon hapësirën si një fushë rivaliteti dhe thekson krijimin e sistemeve të mbrojtjes raketore me shumë shtresa."

Donald Trump, si president i Shteteve të Bashkuara, filloi procesin e forcimit të ushtrisë dhe përdorimin e grushtit të hekurt në trajtimin e kërcënimeve të sigurisë, shumë kohë përpara shpalljes së Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të SHBA. Ai urdhëroi lëshimin e më shumë se 50 raketave me pretekstin e një sulmi kimik në qytetin e Khan Sheikhun në Siri për të treguar se SHBA e tanishme nuk heziton të përdorë forcën. Gjithashtu, Ushtria Amerikane në fillim të presidencës së Trump, pa asnjë shkak legjitim dhe ushtarak, shpërtheu bombën e saj më të fuqishme jobërthamore në një rajon të Afganistanit, një veprim që nuk u krye as gjatë kulmit të betejave me forcat talebane. Strategjia e re e sigurisë i shikon vendet e ndryshme në konkurrencë të vazhdueshme me njëri-tjetrin, nuk përfill paralajmërimet e ish-presidentit Obama mbi ndryshimet klimatike dhe thekson se Shtetet e Bashkuara do ta mbrojnë sovranitetin e tyre në mënyrë të njëanshme, edhe nëse kjo nënkupton rrezikimin e marrëveshjeve me vendet e tjera, marrëveshje që kanë dominuar politikën e jashtme amerikane që nga Lufta e Ftohtë. Sipas Doktrinës Trump, vendet e ndryshme janë në konkurrencë të vazhdueshme dhe SHBA duhet të luftojnë në të gjitha frontet për të mbrojtur sovranitetin e tyre si nga miqtë ashtu edhe nga armiqtë. Strategjia gjithashtu flet për kërcënimet e “regjimeve të papërgjegjshme”, si Koreja e Veriut. Aty thuhet se Kina dhe Rusia gjithnjë e më shumë po “sfidojnë fuqinë, ndikimin dhe interesat amerikane, duke u përpjekur të shkatërrojnë sigurinë dhe begatinë amerikane”. Raporti i politikës së re amerikane të sigurisë kombëtare, natyrisht e ka irrituar Kinën, që reagoi menjëherë duke deklaruar se Uashingtoni duhet të heqë dorë nga ide të tilla të vjetëruara. Shkëndijën e zemërimit të Pekinit e ndezi ajo pjesë e dokumentit, ku Kina dhe Rusia etiketohen si “fuqi rivale”, e përpos kësaj parashtrohen edhe një sërë kërcënimesh të mundshme që burojnë nga të dyja vendet në fjalë. Ministria e Jashtme e Kinës nuk i kurseu kritikat. “Ne u kërkojmë Shteteve të Bashkuara t’i japin fund tjetërsimit të qëllimshëm të synimeve strategjike të Kinës dhe të braktisë mentalitetin e Luftës së Ftohtë, apo lojën nga e cila nuk fiton askush”, tha Hua Chunying, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Kinës. Moska iu përgjigj gjithashtu strategjisë së re amerikane, me komentin se nuk e pranon dot që të trajtohet si kërcënim dhe kritikoi po kështu atë që e quajti “karakter imperialist” të dokumentit. Rusia e ka kritikuar strategjinë e re të sigurisë kombëtare të presidentit amerikan, Donald Trump, e cila i referohet Kinës dhe Rusisë, si rivalë të Uashingtonit, që synojnë shkatërrimin e fuqisë dhe interesave të Shteteve të Bashkuara. Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, deklaroi se strategjia e re amerikane e ka një “karakter perandorak” dhe e ka akuzuar Uashingtonin se synon një “botë njëpolare”. Rusia “nuk mund ta pranojë se trajtohet si kërcënim për sigurinë e Shteteve të Bashkuara” tha Peskov. Ndërkohë, Koreja e Veriut e ka quajtur strategjinë e sigurisë së SHBA kundër Penianit  si kriminale. Një zëdhënës i ministrisë së jashtme të Koresë së Veriut tha se strategjia kombëtare e sigurisë amerikane ishte "asgjë tjetër, përveç shpalljes së agresionit". Ai akuzoi SHBA-të për përpjekjet për të paralizuar vendin korean dhe për ta kthyer tërë gadishullin korean në një pistë për të realizuar hegjemoninë amerikane.

 

Sidoqoftë, të tilla reagime nuk patën asnjë efekt tek presidenti i SHBA i cili me prepotencë, deklaroi: “Ne do të sigurojmë që ekuilibri i energjisë dhe i forcës të mbetet në favor të Amerikës në rajonet kyçe të botës: Indo-Paqësor, Europë dhe Lindjen e Mesme. Sidoqoftë, duke pasur parasysh frymën militariste republikane të Trumpit, dokumenti i Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të SHBA-së thekson në shtimin e kontributit të tatimpaguesve amerikanë në çështjet ushtarake dhe të mbrojtjes. Në këtë mënyrë, disa javë më parë, u miratua buxheti prej 700 miliardë dollarë për Departamentin amerikan të Mbrojtjes. Philip Giraldi, një ish-oficer i CIA-s, thotë: "Është marrëzi që t’i jepen më shumë para ushtrisë, ndërsa ajo tashmë ka shumë para, veçanërisht kur çdo president mund të tundohet nga ideja e përdorimit të  ushtrisë për të zgjidhur problemet e jashtme “.

Është e qartë se sa më shumë fonde të ndahen për çështjet ushtarake, ndërkohë që ekonomia amerikane është në vështirësi për plotësimin e nevojave sociale dhe ekonomike  të qytetarëve të saj, aq më shumë do të rritet pakënaqësia popullore në SHBA. Në një sondazh të kohëve të fundit të kryer nga televizioni CNN, gjashtëdhjetë e pesë përqind e amerikanëve thanë se janë të pakënaqur me punën e presidentit Donald Trump, ndërsa tridhjetë e pesë përqind e të anketuarve thanë se ishin të kënaqur me punën e presidentit amerikan. Ky nivel pakënaqësie me punën e presidentit të Shteteve të Bashkuara në fund të vitit të tij të parë është i paprecedent në historinë  e Shteteve të Bashkuara gjatë dekadave të fundit. Në shekullin e njëzet e një, me ndryshimet në natyrën e luftës, nevoja për të mbajtur ushtri të mëdha, të rënda dhe të shtrenjta po zvogëlohet dhe shtetet e vegjël mund të armatosen edhe me armë konvencionale ose kibernetike dhe të miratojnë taktika të reja luftarake që mund të sfidojnë dominimin e një fuqie të madhe si Shtetet e Bashkuara. Për këtë arsye, ushtria amerikane pësoi humbje të mëdha pavarësisht nga përdorimi i armëve më moderne në vende të tilla si Afganistani, Iraku dhe Siria. Gjithashtu, arsenali bërthamor dhe jobërthamor i Shteteve të Bashkuara është dëshmuar si joefikas edhe kundër Koresë së Veriut, Kinës, Rusisë ose Iranit, dhe Uashingtoni nuk ka qenë në gjendje të imponojë vullnetin tij, madje as duke demonstruar fuqinë ushtarake ndaj këtyre vendeve.

 

Tags

Jan 07, 2018 11:36 Europe/Tirane
Komente