Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, me politikat e tij kundër emigracionit, edhe një herë nxiti zemërimin dhe urrejtjen e popujve të botës me pikëpamjet e tij raciste e të çoroditura.

 

Donald Trump të enjten, më 11 janar, në një takim me delegatë të Kongresit republikanë dhe demokratë, duke iu referuar emigrantëve nga Haiti, Salvadori dhe disa vende afrikane në Shtetet e Bashkuara, tha: "Pse i sjellim këta njerëz nga vendet që janë vrima tualeti?" Presidenti amerikan tha se ai do të preferonte të shikonte në Shtetet e Bashkuara emigrantët nga vende si Norvegjia. Shtëpia e Bardhë ka lëshuar një deklaratë ku thuhet se presidenti do të pranojë vetëm një marrëveshje emigracioni që “trajton si duhet sistemin e lotarisë së vizave dhe emigracionin zinxhir” – dy programe dëmtuese, sipas saj, për ekonominë amerikane dhe që lejojnë për më tepër hyrjen e terroristëve në vend. Megjithëse Shtëpia e Bardhë e bardhë u përpoq ta mbronte presidentin Trump, kjo nuk i pengoi reagimet ndërkombëtare ndaj këtyre deklaratave fyese dhe raciste. Reagime të shumta kanë ardhur pas zemërimit që shkaktoi gjuha e përdorur nga presidenti amerikan, Donald Trump, për të përshkruar disa vende të huaja në një takim në Zyrën Ovale. Organizata e Kombeve të Bashkuara ka dënuar ashpër komentet e Kreut të Shtëpisë së Bardhë. Nëse konfirmohet se vërtet Trump i ka thënë ato fjalë, kjo do të ishte e turpshme dhe shokuese u shpreh zëdhënësi i zyrës për të drejtat e njeriut Rupert Colville. Ai theksoi se deklarata të tilla mund të rrezikojnë jetën e njerëzve pasi do të ushqenin ksenofobinë. Sipas mediave amerikane, Trump është shprehur se SHBA nuk duhet të pranojë në territorin e saj njerëz që vijnë nga vende fundërrina, duke iu referuar disa vendeve të Afrikës. Ndërkohë, ambasadori amerikan në Panama është dorëhequr, duke shpjeguar se nuk mund të punojë më për administratën Trump. Senatori democrat, Dik Darbin, i cili ishte i pranishëm në takim, tha se Trump përdori një gjuhë raciste. Kurse Kryetari republikan i Kongresit, Pol Rajan, tha se komentet e liderit amerikan ishin “fatkeqe” dhe “të padobishme”. Shoqata Kombëtare për Avancimin e Personave me Ngjyrë në SHBA ka akuzuar presidentin se ka rënë në nivelin e racizmit dhe ksenofobisë. Mia Love, kongresmenja republikane, e vetme me origjinë haito-amerikane, ka bërë thirrje që Trump të kërkojë falje publike për komentet e tij raciste. Ndërkaq, disa vende të Afrikës kanë thirrur për këshillim të dërguarit diplomatik të Shteteve të Bashkuara. Unioni Afrikan në një deklaratë nënvizon se vendet afrikane janë shumë të alarmuara nga qëndrimet raciste të presidentit të SHBA.

 

Përdorimi i fjalës “vrimë tualeti” nga Presidenti i SHBA Donald Trump për të përshkruar vendet e Amerikës Latine dhe të Afrikës sugjeron se racizmi “duhet të jetë në ADN-në e tij”, deklaroi kongresisti John Lewis.  “Unë mendoj se fjalët dhe veprimet e tij kanë tendencë të dëshmojnë se Trump është një racist,” tha Lewis në një intervistë me kanalin MSNBC. “Racizmi duhet të jetë në ADN-në e tij, por është e frikshme që dikush në zyrën e presidentit në vitin 2018 të flasë në mënyrën se si po flet Trump”, shtoi ky kongresist amerikan. “Ne jemi një popull, ne jemi një familje, të gjithë jetojmë në të njëjtën shtëpi”, tha ai. “Unë nuk mendoj se një gjuhë e tillë si ajo që përdor Trump është në përputhje me të ardhmen e vendit tonë ose të ardhmen e planetit” deklaroi John Lewis. Duke komentuar mbi deklaratën e kongresistit John Lewis për Trump, analisti politik amerikan Rodney Martin zbuloi se babai i Trump ishte anëtar i grupit racist Ku Klux Klan, një grup supremacist i bardhë i njohur edhe si KKK, i cili përkrah qëndrimet reaksionare ekstremiste si supremacia e bardhë, nacionalizmi i bardhë dhe qëndrimet anti- emigracionit. Ditët e fundit qindra dokumente janë lëshuar nga FBI për të treguar detaje nëse kompania e pasurisë së paluajtshme të presidentit amerikan, Donald Trump, kishte diskriminuar njerëzit me ngjyrë në vitet 1970 – në kohën kur në krye të kësaj kompanie ishte babai i Trump, Fred Trump. Të përfshira në dosjen 389 faqe janë edhe detaje mbi intervistat e kryera nga hetuesit, gjatë hetimit që u krye për vitin 1972 – 1974. Një nga dëshmitarët, ka thënë se si babai i Trump, dëshironte t’i largonte të gjithë personat me ngjyrë nga ndërtesa. “E pyeta Fred Trump se cilat ishin politikat e tij kundrejt minoriteteve dhe ai më tha që ishte kundër ligjit të diskriminimit. Dy javë më vonë në Tysen Park, ai më tha që të mos i lëshoja ndërtesat me qira njerëzve me ngjyrë”. Ai ka deklaruar që babai i Trump, e kishte urdhëruar se nëse do vinte ndonjë njeri me ngjyrë të pyeste për qiranë e ndonjë banese, t’i thoshte që është dyfish më shtrenjtë. Presidenti Trump i kishte mohuar pretendimet që ai dhe babai i tij i kanë diskriminuar personat me ngjyrë.

 

Donald Trump, i cili të gjitha qëndrimet dhe politikat e tij i ka bazuar mbi racizmin dhe ksenofobinë, ka pranuar se thotë me qëllim gjëra fyese e provokative vetëm për të mbajtur pas vetes shumë audiencë. Trump u shpreh për New York Times se kur sheh njerëz në mitingjet e tij, thotë një frazë që ai e di që do i irritojë ata. “Nëse bëhet pak e mërzitshme, nëse shoh njerëz që shpërndahen apo ndoshta mendojnë të ikin, i them audiencës: Ne do të ndërtojmë murin, dhe ata çmenden”, shtoi ai. Trump e ka çuar frikën dhe ankthin e amerikanëve në një nivel tjetër, duke propozuar dëbimin e të gjithë emigrantëve pa dokumente dhe ndalimin e hyrjes së myslimanëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Figurat e urryera kanë avantazhin e madh, që njerëzit mund të mblidhen rreth tyre. Urrejtja të bën të verbër. E kësisoj në urrejtjen e përbashkët zhduken të gjitha dallimet, kontradiktat dhe kundërshtitë. Urrejtja bashkon dhe urrejtja të jep ndjenjën, se ke një përfytyrim për një jetë më të mirë, kur në jetën reale mungojnë idetë dhe vizionet. Nëse sheh gjatë këtyre ditëve në SHBA, ky nuk është më vendi i ëndrrës për një jetë më të mirë, që e ka mbajtur këtë vend gjigant – ashtu si prej shekujsh – të bashkuar. Nëse ka ndjenjë dominuese, ajo është ndjenja e urrejtjes ndaj kampit tjetër politik. Në sistemin dypartiak kjo është relativisht e thjeshtë dhe gjithçka bazohet në parimin: “Kush nuk është me mua, është kundër meje.”

 

Kohët e fundit, gazeta Washington Post dhe rrjeti televiziv amerikan ABC News kanë realizuar një sondazh, për të parë mbështetjen që kanë amerikanët për presidentin Donald Trump. Por vlerësimi për punën ndaj Trump, është më i ulëti se ndaj çdo presidenti të mëparshëm. 37 për qind e amerikanëve ose më pak se 4 në 10 amerikanë miratojnë punën e presidentit Trump si udhëheqës i Shteteve të Bashkuara. Mosmiratimi i punës së tij ka arritur në 59 për qind, dhe gjysma e atij grupi nuk e mbështesin thellësisht punën që ai po bën. Sondazhi thotë se 65 për qind e të anketuarve janë të mendimit se presidenti Trump ka arritur “jo shumë” ose “pak ose aspak”. Sondazhi tregoi gjithashtu se 51 për qind e amerikanëve nuk kishin fare besim në punën e presidentit për trajtimin e kërcënimit të paraqitur nga Koreja e Veriut. Gjysma e amerikanëve mendojnë se presidenti ka paragjykime ndaj afrikano-amerikanëve dhe më shumë se gjysma, 55 për qind mendojnë se ai ka paragjykime ndaj grave. Fakti është se presidenti i Shteteve të Bashkuara, i cili çdo ditë dënon kombet sovrane të botës me pretekstin e mosrespektimit të të drejtave të njeriut, është një nga shkelësit më të mëdhenj të të drejtave të njeriut, sepse diskriminimi racial dhe racizmi janë shkelje e ligjeve ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut dhe nxitin dhunën dhe ekstremizmin, por duket se presidenti i SHBA nuk ka dijeni për këtë gjë!

 

 

 

 

Tags

Feb 02, 2018 11:07 Europe/Tirane
Komente