Njerëzit në kuadër të shoqërisë dhe bashkëjetesës, ushtrojnë ndikim mahnitës mbi njëri-tjetrin. Miku i mirë e forcon dëshirën për korrigjim dhe përmirësim të njeriut dhe e ndihmon njeriun në rrugën e arritjes së lumturisë dhe në të kundërtën shoqërimi me njerëzit e këqij, rezulton me korrupsion dhe degjenerim të njeriut në aspekte të ndryshme.

Kur era e freskët kalon nëpër një vend të fëlliqur, me vete sjell aromë të keqe që lëndon shqisën e nuhatjes së njerëzve, mirëpo kur era kalon nëpër një kopsht me lule, sjell me vete aromën e luleve. Edhe shoqërimi me njerëzit e tjerë është i këtij lloji. Edhe njerëzit e mirë ndikojnë mbi njeriun, edhe njerëzit e këqij. Shoqërimi me njerëzit e mirë, e çon njeriun në mirësi dhe punë të mira. Shoqërimi me njerëz të këqij, e prish moralin, mendimet dhe personalitetin e njeriut.

Një ditë Havariunët (Dishepullit) e Hazretit Isa a.s. e pyetën atë: "O shpirti i Zotit! Me çfarë njerëz të shoqërohemi dhe të ulemi?" Hazreti Isa a.s. iu përgjigj atyre: "Shoqërohuni me atë, takimi me të cilin do t'iu kujtojë juve Zotin. Fjalët e të cilit do t'ua shtojë diturinë tuaj. Vepra e të cilit u inkurajon juve për të kryer vepra të mira për të fituar shpërblimin e botës tjetër!"

Personaliteti i njeriut është krijuar për katër ambiente: familjar, arsimor, të punës dhe të shoqërisë. Ambienti i shoqërisë dhe miqësisë janë shumë tërheqëse dhe të bukura për njeriun. Njeriu në bazë të natyrës qenësore, përgjatë gjithë jetës së tij ka dëshirë dhe prirje për shoqërim dhe miqësi. Ai ndjehet shumë mirë në ambientin e miqve të vet dhe me ata kalon çaste të bukura dhe të gëzuara. Çështja është këtu që në shoqërim me miqtë, bindjet dhe mendimet e tyre ushtrojnë ndikim mbi individin, prandaj zgjedhje e miqve dhe shoqërisë ka rëndësi shumë të madhe.

Njerëzit në kuadër të shoqërisë dhe bashkëjetesës, ushtrojnë ndikim mahnitës mbi njëri-tjetrin. Miku i mirë e forcon dëshirën për korrigjim dhe përmirësim të njeriut dhe e ndihmon njeriun në rrugën e arritjes së lumturisë dhe në të kundërtën shoqërimi me njerëzit e këqij, rezulton me korrupsion dhe degjenerim të njeriut në aspekte të ndryshme. Duke marrë parasysh pikërisht këtë ushtrim dhe pranim të ndikimit, prijësit e fesë dhe të së vërtetës kanë theksuar në masë të madhe për ndjekësit e tyre që të shmangën nga shoqërimi me miq dhe njerëz të këqij. Fakti se është theksuar shoqërimi me disa njerëz dhe është ndaluar shoqërimi me disa njerëz të tjerë, është bërë pikërisht për shkak të rolit përcaktues të miqve dhe shokëve në lumturinë ose mjerimin e individit.

Porosia e të gjithë profetëve dhe prijësve fetarë është kjo që njeriu të ketë shumë kujdes në zgjedhjen e miqve dhe shokëve dhe të vendoset në hallkën e miqve dhe shokëve të mirë dhe besimtarë. Miqtë dhe shokët e mirë e mbajnë të shëndoshë atmosferën e miqësisë dhe ata janë si lulet me aromë të bukur që shoqërimi me ata e çojnë njeriun në përkryerje dhe në moral të mirë.

Shoqërohu me njerëzit e mirë o djalosh

Dhe ndaju nga njerëzit e këqij o djalosh

Në Kur'anin e shenjtë është theksuar në mënyrë të veçantë çështja e miqësisë, sepse pas bashkëshortes ose bashkëshortit, miku ushtron ndikimin më të madh në fatin e njeriut. Prandaj, për këtë arsye në ajetet e Kur'anit të shenjtë janë trajtuar dimensionet dhe çështjet e ndryshme të miqësisë duke përdorur fjalë të ndryshme.

Sipas Kur'anit të shenjtë, çdo individ zgjedh atë person për miqësi i cili është në harmoni me karakteristikat dhe tiparet e tij, me fjalë të tjera të jetë i llojit të vet. Të qenit i një lloji në tipare e karakteristika, është faktor që bashkon dy individë në shoqëri. Prandaj në transmetimet fetare thuhet se individin duhet ta njohim duke i shikuar shokët dhe miqtë e tij.

Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. ka thënë: "Njeriu ndjek fenë dhe rrugën e shokut ose mikut të tij, prandaj secili prej jush duhet të ketë kujdes se me çfarë miku shoqërohet!".

Duke marrë parasysh ajetin 69 të sures Nisa në Kur'anin e shenjtë i cili thotë: "E kushdo që i bindet All-llahut dhe të dërguarit, të tillët do të jenë së bashku me ata që All-llahu i shpërbleu: (me) profetët, besnikët e dalluar, dëshmorët dhe me të mirët. Sa shokë të mirë janë ata!", kuptojmë se nga pikëpamja e Kur'anit se njerëzit më të mirë në shoqëri dhe miqësi nuk janë askush tjetër, përveç profetëve, besimtarëve ët devotshëm dhe të sinqertë. Në të kundërtën, nga pikëpamja e Kur'anit, shokët ose miqtë më të këqij janë pikërisht ata të cilët ndjekin djallin. Këta individë janë jobesimtarët dhe të humburit, luftuesit në rrugën e humbur, individë të padrejtë dhe të ngjashëm me ata të cilët konsiderohen shoqëruesit më të këqij.   

Në transmetimet islame është shpjeguar shoqërimi me grupet e ndryshme dhe ndikimi i tij mbi individin. Për shembull, në lidhje me shoqërimin me njerëzit e pasur, në këto transmetime thuhet: "Ai i cili shoqërohet me njerëzit e pasur dhe me ata që kanë kapital, Zoti i madhëruar i shton në zemrën e tij dashurinë e kësaj bote dhe prirjet sa më shumë drejt kësaj bote. Duke marrë parasysh se ata mendojnë vetëm për grumbullimin e pasurisë dhe kapitalit sa më të madh, fjalët dhe sjelljet e tyre do të jenë kryesisht rreth kësaj se si ta shtojnë pasurinë, si ta ruajnë dhe mënyrat e fitimit të kapitalit sa më të madh". Parimisht, të shikuarit e njerëzve të pasur në ato rroba, në ato kushte luksoze, në ato makina, në atë shtëpi të mëdha dhe me shërbëtorë, i ngjall prirjet te individi që të kërkojë sa më shumë qetësi dhe jetë luksoze të cilën e kanë ata. Në këtë mënyrë dashuria ndaj botës mbillet në zemra dhe njeriun e inkurajon për grumbullim të pasurive ndërsa e ulë ndjenjën e njeriut për të qenë i kënaqur me atë që ka. Njeriu në këtë mënyrë, gjithashtu harron edhe Zotin edhe botën tjetër dhe pastaj për atë është shumë e vështirë që t'i ndihmojë një të varfri.

Profeti i nderuar i Islamit Hazreti Muhamed s.a.v.s. pasanikët që adhurojnë paranë i ka përshkruar si njerëz me zemër të vdekur dhe ka thënë: "Largohuni nga shoqërimi me të vdekurit!" E pyetën atë: "O i Dërguari i Zotit! Cilët janë njerëzit e vdekur?" Hazreti Muhamed s.a.v.s. u përgjigj: "Secili pasanik të cilin e ka dehur pasuria e tij".

Në mësimet islame, njeriu njëkohësisht me atë që ndalohet të shoqërohet me njerëzit e pasur dhe kapitalistë, ai inkurajohet të shoqërohet me njerëzit e varfër. Ndikimi i këtij shoqërimi është shpjeguar në këtë mënyrë: "Çdo kush që të shoqërohet dhe ulët me një të varfër, atij i shtohet falënderimi dhe kënaqësi ndaj përcaktimeve dhe furnizimit nga Zoti i madhëruar".

I varfër është ai i cili në mënyrë të vetme nuk mund të sigurojë shpenzimet financiare të jetës së tij dhe ka nevojë për ndihmë materiale. Ai është si një hardhi e vetme e cila duhet të mbështetet në një trup për të qëndruar në këmbë. Individë të tillë pasi që janë njerëz të përpjekjes dhe mundësit materiale të tyre nuk janë deri në atë nivel që të plotësojnë të gjitha nevojat materiale të jetës, ata jetën e kalojnë duke qenë të kënaqur me atë që kanë. Prandaj, shoqërimi me njerëz të tillë, e forcojnë ndjenjën e njeriut për të qenë i kënaqur me atë çfarë posedon dhe shton ndjenjën për ta falënderuar Zotin e madhëruar.

Shoqërimi me dijetarët e fesë gjithashtu është një prej porosive morale të mësimeve të Islamit. Në këto mësime thuhet se ai i cili shoqërohet dhe ulët me dijetarët, ai do të përfitojë nga dituria e tyre. Imam Aliu (a.s.) thotë: "Ulu dhe shoqërohu me dijetarët në mënyrë që të shtohet dituria jote, të përmirësohet edukata jote dhe të arrish në pastrimin dhe edukimin e egos".

Shoqërimi dhe miqësia me njerëzit e devotshëm dhe asket, gjithashtu është ndër llojet më të mira të shoqërisë dhe miqësisë. Ndikimi i kësaj shoqërie mbi njeriun është ky që atij i shtohet dëshira për botën tjetër.

Asketizmi (zuhd) do të thotë që njeriu të mjaftohet me gjërat më të pakta në jetë. Asketizmi është pikërisht shkëputja e lidhjeve dhe dëshirave të kësaj bote nga njeriu dhe ai i cili është asket, nuk ka kurrfarë lidhje që e lidh mendjen dhe zemrën e tij për këtë botë, ndërkohë që edhe ai mund të jetë i pasur. Prandaj, asketizmi nuk është me kuptimin e mosposedimit të asgjëje, por është me kuptimin e të pasurit dhe posedimit të pasurisë njëkohësisht me largimin e njeriut nga jeta luksoze. Njerëzit e devotshëm mund të jetë të pasur dhe me kapital të madh, mirëpo ata nuk e kanë zemrën e lidhur për këtë botë dhe më shumë mendojnë për botën tjetër, adhurimin dhe arritjen e kënaqësisë së Zotit të madhëruar. Prandaj, shoqërimi me njerëz të tillë, shton devotshmërinë e individit dhe njeriun e çon deri në nivel të të qenit rob i vërtetë i Zotit të madhëruar

Shoqëruesit më të mirë janë njerëzit e mirë (Salihin). Njerëzit e mirë janë robërit e zgjedhur të Zotit të madhëruar të cilët për shkak të veprave të mira dhe virtyteve të larta, e meritojnë të quhen me këtë emër. Kur’ani i shenjtë ka folur në lidhje me karakteristikat e njerëzve të mirë dhe i ka prezantuar ata në mënyrën më të mirë. Në bazë të ajeteve kur’anore, njerëzit e mirë (Salihin) janë ata të cilët kanë besuar dhe kryejnë vepra të mira. Kjo është një karakteristikë e dalluar e njerëzve të mirë.

Ajeti 170 i sures A’raf në Kur’anin e shenjtë thotë: “Ata të cilët janë lidhur për Librin dhe falin namazin, ne nuk do të zhvlerësojmë shpërblimin e njerëzve të mirë (Salihin)”. Ky ajet paraqet një karakteristikë tjetër të njerëzve të mirë. Ata kanë besim të plotë në librin qiellor Kur’anin e shenjtë dhe zbatojnë urdhrat hyjnorë. Karakteristikë tjetër e njerëzve të mirë që është përmendur në këtë ajet, është përulja dhe modestia e tyre.

Në ajetin 114 të sures Ali Imran në Kur’anin e shenjtë është folur edhe për karakteristikat e tjera të njerëzve të mirë ku thuhet: “Ata besojnë në Zotin dhe në ditën e Kiametit dhe urdhërojnë në vepra të mira dhe ndalojnë veprat e këqija dhe vrapojnë në bamirësi dhe ata janë prej njerëzve të mirë (Salihin)”.

Në këtë ajet kur’anor, Zoti i madhëruar paraqet disa karakteristika të njerëzve të mirë si këtë se ata vrapojnë dhe nxitojnë në kryerjen e veprave të mira. Do të thotë ata janë të parët që ndihmojnë njerëzit e tjerë.

Në fund mund të thuhet se njerëzit Salihin janë më të mirët në moral dhe bë besim, prandaj ata të cilët shoqërohen me këta njerëz bëjnë përpjekje që të bëhen dhe të veprojnë si ata, pra të jenë prej më të mirëve. Në lutjen e Hazretit Ibrahim a.s. thuhet: “O Zot, më jep mua dituri dhe urtësi dhe më bashku mua me njerëzit e mirë (Salihin)!”.

Tags

Jul 06, 2018 09:36 Europe/Tirane
Komente