Janar 22, 2021 15:43 Europe/Tirane
  • Moska: Dëbimi i diplomatit rus nga Shqipëria nuk do të mbetet pa përgjigje

Zv/ministri i punëve të jashtme të Rusisë ditën e premte në reagim ndaj dëbimit të një diplomati të Rusisë nga Shqipëria, ka premtuar se Moska do të kundërpërgjigjet për këtë veprim të Tiranës.

Arsyeja zyrtare ishte mosrespektimi i masave anticovid nga ana e diplomatit rus në ambasadën e Rusisë në Tiranë. Në deklaratën e ministrisë së jashtme shqiptare thuhet:

“Për fat të keq, në kundërshtim me premtimet, diplomati ka vazhduar të shkelë masat ndaj Covid-19. Me keqardhje, qeveria shqiptare vendosi të deklarojë diplomatin Aleksei Krivosheev person non grata, me detyrimin për të lënë vendin brenda 72 orëve nga njoftimi zyrtar”.

Mediat ruse kanë publikuar këtë të premte reagimin e fortë të Moskës ndaj kësaj mase drastike nga Shqipëria. Reagimi është bërë nga zëvendësministri i jashtëm, Alexander Grushko.

“Na vjen shumë keq për këtë lëvizje, e cila është padyshim një provokim që synon të cenojë marrëdhëniet ruso-shqiptare. Është e qartë se një hap i tillë nuk do të mbetet pa përgjigje”.

Dje reagoi edhe ambasada ruse në Tiranë sipas të cilës argumentet e dhëna nga pala shqiptare ishin të pabazuara.

“Ne i konsiderojmë të pabazuara të gjitha akuzat ndaj diplomatit rus të përmendura në këto dokumente. Ne gjithashtu vërejmë se zbulimi në njoftimin për shtyp i emrit të punonjësit tonë kundërshton ashpër praktikën e vendosur ndërkombëtare diplomatike.”

Kjo është hera e dytë që Shqipëria brenda një kohe të shkurtër dëbon diplomatët rusë. Më herët u dëbuan nga Shqipëria, sekretari i parë i ambasadës Ruse, Alexey Nikolaevich Balashov dhe atasheu ushtarak, Vladislav Filipov. Herën e parë Ministria e Jashtme nuk i lajmëroi emrat dhe postet që mbanin diplomatët. Ndërsa në herën e dytë, Ministria e Jashtme e Shqipërisë e bëri publik emrin e diplomatit rus.

Alexey Krivosheev sekretar i dytë i ambasadës ruse zyrtarisht nuk ka respektuar mbajtjen e maskës apo karantinimin dhe prandaj është dëbuar. Por ndërkohë, akte të tilla ekstreme ndërmerren zakonisht kur një diplomat me imunitet diplomatik ka cenuar sigurinë kombëtare të një vendi. Këto vendime Shqipëria edhe më parë i ka marrë në bashkëpunim të ngushtë me aleatët e saj euro-atlantikë, si vend anëtar i NATO-s.

Tags