Shkurt 08, 2021 17:45 Europe/Tirane
  • Rusia i kundërpërgjigjet Shqipërisë

Rusia ka dëbuar diplomaten shqiptare, Jonida Drogu nga Moska si një kundërpërgjigje ndaj dëbimit të një diplomati rus nga ana e Tiranës.

Njoftimi është bërë nga ana e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, e cila tha se sekretarja e parë e Ambasadës së Shqipërisë në Moskë është shpallur person i padëshiruar (non grata). Ajo është urdhëruar që ta lëshojë vendin brenda 72 orësh. “Më 8 shkurt, ambasadori shqiptar në Rusi, Arben Gazioni është thirrur në Ministrinë e Jashtme dhe është njohur me letrën ku Sekretarja e Parë e ambasadës shqiptare është shpallur person non grata”, tha ministria e Jashtme e Rusisë, bëjnë të ditur mediat ruse. Në njoftim thuhet se ky hap është marrë si përgjigje ndaj vendimit të Shqipërisë për të dëbuar Sekretarin e Parë të Ambasadës ruse në Tiranë “me pretekste të trilluara”. Ministria e Jashtme e Rusisë, mes tjerash thotë se veprimet e Tiranës do të dëmtojnë marrëdhëniet e dy vendeve.“Veprimet shqiptare kundërshtojnë pretendimet e Tiranës për synimin për të zhvilluar marrëdhënie miqësore midis vendeve tona dhe në mënyrë efektive shtyjnë prapa perspektivën e kapërcimit të ngecjes në marrëdhëniet dypalëshe. Një mospërputhje e tillë është për të ardhur keq”, shtoi Ministria e Jashtme ruse. Më shumë se dy javë më parë, autoritetet shqiptare dëbuan sekretarin e parë të Ambasadës së Rusisë në Tiranë, pasi siç thanë, që nga muaji prill i vitit 2020, ky diplomat ka shkelur në mënyrë të “përsëritur” kufizimet e vendosura për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

 

Tags