Shkurt 14, 2021 19:53 Europe/Tirane
  • Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë në kushtet e pandemisë

Në Kosovë sot më 14 shkurt u zhvilluan zgjedhjet parlamentare në kohë pandemie.

28 subjekte politike prej tyre, 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare garojnë për 120 vende në parlament. Sfidë e parlamentit të ri mbetet edhe zgjedhja e presidentit. Në garë janë edhe tri subjekte politike serbe, ndërsa, më e madhja, Lista Srpska pos rajoneve të tjera të Kosovës të banuara me shumicë serbe, kjo parti është më e strukturuar dhe ka degë në katër komunat veriore të Kosovës. Zgjedhjet për parlamentin e Kosovës zhvillohen në të gjithë territorin e vendit, përfshirë edhe veriun e Kosovës. Në këtë pjesë që nga viti 2013 proceset zgjedhore si ato lokale dhe të përgjithshme, zakonisht janë ndihmuar edhe nga misioni i OSBE-së. Por kësaj radhe është hera e parë që zgjedhjet në tërë territorin e vendit organizohen vetëm nga KQZ-ja. Për shkak të pandemisë për herë të parë Bashkimi Evropian nuk ka dërguar ekipin e saj për vëzhgimin e zgjedhjeve. Mirëpo, stafi i ambasadave dhe vet ambasadorët thuhet se janë vëzhguesit e procesit të zgjedhjeve, krahas mijëra vëzhguesve të organizatave joqeveritare të Kosovës. Por çfarë ofrojnë në programet e tyre partitë politike garuese për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit? Rimëkëmbja ekonomike pas pandemisë COVID-19 pritet të jetë sfida më të cilën do të përballet qeveria e ardhshme nga kushdo që do ta bëjë atë. Lëvizja Vetëvendosja që në zgjedhjet e vitit 2019 doli partia e parë, ka për synim që të marrë sa më shumë vende në parlament, mundësisht më shumë se gjysmën në mënyrë që të qeverisë e vetme. Kjo për faktin që zyrtarë të kësaj partie thonë se gjatë këtyre 21 vjetëve të pasluftës, asnjë parti politike që ka qenë në qeverisje nuk ka arritur të përmbushin pritjet e qytetarëve. Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që pretendon postin e kryeministrit por që nuk garon në listë për deputet për shkak të problemeve me ligjin, thotë se nën qeverisjen e tij do të investohet për të fuqizuar bizneset dhe prodhimin vendor. "E ardhmja ku investojmë në energji të qëndrueshme që fuqizon bizneset dhe prodhimin, por e mbron shëndetin dhe mjedisin për gjeneratat që vijnë. E ardhmja ku biznesit nuk i vendoset ryshfeti për ta hapur, e as haraçi për ta mbajtur atë. E ardhmja ku bujku e fermeri jetojnë me dinjitet nga puna e tyre sepse shteti nxit dhe mbështet prodhimet vendore, e i mbron nga konkurrenca joluajale”, tha Kurti në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të partisë së tij. Rimëkëmbjen e vendit pas pasojave nga pandemia me një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik e synon edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK parti kjo që udhëhoqi me qeverinë e fundit. "Normalisht interesi ynë si LDK dhe si parti e qendrës së djathtë është  të fokusohemi në nevojat imediate që i ka vendi tash në kohë pandemie. Ajo nënkupton rimëkëmbjen ekonomike, siç e kanë bërë kryeministri në detyrë deri më tani. Por me një pako më të fuqishme dhe më stabile për të rivendosur zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës si top-prioritet në sferën e ekonomisë”, thotë njëri nga zyrtarët e LDK-së, Faton Bislimi. Ndërsa Partia Demokratike e Kosovës PDK, premton mbi 1 miliardë euro për rimëkëmbje ekonomike. "Fokusi ynë do të jetë sektori privat, ku ne parashikojmë një fond prej mbi një miliardë euro dhe ky fond do të jetë i ndarë në disa pjesë. Mbi 500 milionë euro do të jenë kontributet financiare pa kthim për ndërmarrjet private në Kosovë dhe mbi 200 milionë euro do të jenë këtë vit”, thotë nënkryetari i PDK-së Bedri Hamza, i cili pret që vendi të ketë rritje ekonomike nga 5 %deri në 7 %. Një pako të ngjashme ekonomike e premton edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK) e udhëhequr nga Ramush Haradinaj. Ky i fundit kësaj radhe synon postin e presidentit të vendit. Për zgjedhjen e presidentit nevojitet prania në sallë e dy të tretave të deputetëve dhe nëse kjo nuk mund të arrihet në tre raunde, atëherë vendi serish shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.

 

Tags