Shkurt 15, 2021 14:24 Europe/Tirane
  • VV me në krye Albin Kurtin fiton zgjedhjet parlamentare/Urime dhe reagime të ndryshme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka numëruar rreth 99 përqind të fletëvotimeve nga 2 mijë e 336 vendvotime.

Në ueb faqen e KQZ-së janë transmetuar rezultat, ku tregohet se kanë mbetur pa u procesuar vetëm edhe 46 vendvotime.

Sipas këtyre rezultateve Vetëvendosje në krye me Albin Kurti që njëherit është edhe kandidati për kryeministër po prinë me 48, 17 përqind. Pas saj është Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 17,35 përqind. Kjo parti udhëhiqet nga Enver Hoxhaj që njëherit ishte edhe kandidati për kryeministër në këto zgjedhje të përkohshme parlamentare për të cilat u votua të dielën, pra më 14 shkurt. Ndërsa partia e tretë është Lidhja Demokratike e Kosovës ( LDK). Deri më tani kjo parti e cila kishte kandidat për kryeministër Avdullah Hoti ka 13, 18 përqind. Kurse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 7,42 përqind dhe Nisma me 2,59 përqind.

Këto janë rezultatet preliminare e të cila nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja te veçanta.

Ndërsa mbrëmë, kandidati për kryeministër nga Vetëvendosje, Albin Kurti në konferencën për media tha se fitorja e VV-së në zgjedhjet e 14 shkurtit do të mbahet gjatë në mend dhe se në kujtesë do të jenë edhe rreshtat e gjatë pranë shkollave dhe votimi masiv i mërgatës.

Ai ndër tjera ka thënë se mandatin e ardhshëm qeverisës nuk do të hakmerret ndaj askujt, por që do të kërkojnë përgjegjësi dhe drejtësi kudo.

Ndërkohë në konferencë për media, doli edhe kandidati tjetër për kryeministër nga PDK, Enver Hoxhaj.

Hoxhaj deklaroi se partia të cilën ai drejton nuk do të jetë pjesë e qeverisë së Lëvizjes Vetëvendosje. Megjithkëtë ai ka thënë se rezultati është i qartë për ta dhe se është pranuar i tillë, madje ka uruar për këtë rezultat Lëvizjen Vetëvendosje.

Rezultatet u pranuan edhe nga partia e tretë, LDK. Avdullah Hoti tha se pas vlerësimeve të marra për rezultatin preliminare, do të merr përgjegjësi për humbjen e thellë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit. Ai falënderoi votuesit për besimin e dhënë, derisa theksoi se LDK do të jetë opozitë konstruktive në interes të shtetit të Kosovës.

Reagimi i Bashkimit Evropian

Bashkimi Evropian, në reagimet e para pas zgjedhjeve në Kosovë, ka bërë thirrje që autoritetet e reja që do të dalin nga këto zgjedhje të vazhdojnë angazhimin konstruktiv në dialogun me Serbinë.

“Rruga evropiane e Kosovës po ashtu shkon edhe përmes normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve me Serbinë dhe BE pret nga autoritetet në Prishtinë që të angazhohen në mënyrë konstruktive me qëllim të vazhdimit të takimeve në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe ta shfrytëzojnë rastin që kanë përpara për të arritur një marrëveshje gjithpërfshirëse”, thuhet në një komunikatë të përbashkët të lëshuar nga Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri Josep Borrell dhe Komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi Oliver Verhelyi. Dy zyrtarë e lartë evropianë përsëriten edhe gadishmërinë e BE-së për të vazhduar mbështetjen ndaj Kosovës.“Me 14 shkurt qytetarët e Kosovës hodhën votën e tyre në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Varësisht nga certifikimi i rezultateve përfundimtare, ne presim krijimin e Kuvendit të ri, sikur edhe qeverisë e Presidentit të ri”, thuhet në këtë komunikatë.Aty thuhet se “Bashkimi Evropian kishte dërguar një mision ekspertësh zgjedhorë i cili do të mbetet në Kosovë për të ndjekur edhe procedurat pas zgjedhore si dhe për të dhënë rekomandime”.“Bashkimi Evropian do të vazhojë të angazhohet me autoritetet, me qëllim të mbështetjes së Kosovës në arritjen e progresit të prekshëm në rrugën evropiane. Kjo kërkon që Kosova të avancojë në reforma, të drejtuara nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimii dhe Agjenda Evropiane e Reformave, si dhe nga bashkëpunimi rajonal”, shprehen Borrell dhe Verhelyi në komunikatën e përbashkët të lëshuar për zgjedhjet në Kosovë.

Nën ndërmjetësimin e BE-së, dialogu midis Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Pas një pauze 20-mujore, dialogu rinisi në korrikun e vitit 2020.

Takimi i fundit i udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë u zhvillua në shtatorin e vitit të kaluar.

Deri në zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës, Brukseli zyrtar ka paralajmëruar se nuk do të ketë takime në kuadër të dialogut.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta e ka përgëzuar Kosovën për organizimin e zgjedhjeve të lira e demokratike.

Meta ka uruar që shpejt të krijohen institucionet dhe të punojnë në të mirë të Kosovës.

“Urime të gjithë qytetarëve dhe klasës politike të Kosovës për shembullin e shkëlqyer të besimit te demokracia dhe vota e lirë, si dhe për standardet e suksesshme të arritura në zgjedhjet e djeshme parlamentare.

E përshëndes pjesëmarrjen e lartë të qytetarëve në votime, të cilët sfiduan kushtet e vështira atmosferike dhe pandeminë COVID-19, për të marrë në dorë fatet dhe për të vendosur të ardhmen e tyre.

Kosova hapi një faqe të re në rrugëtimin e saj europian dhe konsolidimit të shtetit demokratik.

Urojmë, që institucionet e reja, që do të formohen përmes bashkëpunimit, të udhëheqin me sukses shtetin e Kosovës për të fituar sfidat e të ardhmes” shkruan Meta në urim.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka uruar të gjitha partitë politike në Kosovë për zgjedhje të lira dhe demokratike dhe fituesin, Lëvizjen Vetëvendosje.

Rama ka thënë se pret që ky vullnet i popullit të Kosovës të mishërohet në një kapitull të ri për Kosovën, me qeveri të qëndrueshme, dialog konstruktiv ndërpartiak, zhvillim ekonomik e social.

“Përshëndetje të gjitha forcave politike në Kosovë dhe posaçërisht fituesve të qartë të zgjedhjeve, LVV, me urimin që vullneti i popullit të Kosovës të mishërohet në një kapitull të ri për Kosovën, me qeveri të qëndrueshme, dialog konstruktiv ndërpartiak, zhvillim ekonomik&socia”, ka shkruar Rama.

Mediat gjermane kanë raportuar për rezultatin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë.

Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit shënoi një fitore të jashtëzakonshme në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pas mbi 98 përqind të votave të numëruara, Vetëvendosja fitoi 48.15 përqind të votave.

Ajo “parti e majtë-nacionaliste”, siç përshkruhet nga agjencia gjermane e lajmeve Dpa, la shumë pas Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila fitoi 17% dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 13 përqind të votave, transmeton lajmi.net.

Ata pranuan humbjen mbrëmë, pasi u njoftuan rezultatet.

LDK-në, të cilën agjencia gjermane e përshkruan si “partia e aktivistit legjendar të të drejtave të njeriut dhe pacifistit, Ibrahim Rugova (1844-2006)”, është rezultati më i keq në historinë e tyre. Kryeministri në largim nga partia, Avdulah Hoti, njoftoi se LDK do të vepronte si një “opozitë konstruktive” në parlament.

“Brezi i ri i politikanëve”

Përkrahësit e Vetëvendosjes festuan fitoren në Prishtinë. Duke iu drejtuar të mbledhurve në selinë e partisë, Albin Kurti tha: “Prioritetet tona janë drejtësia dhe vendet e punës. Kemi një rrugë të gjatë për të bërë, dhe gabimet janë të mundshme. Por qëllimet tona janë fisnike”, transmeton lajmi.net.

Shërbimi publik gjerman ARD përshkruan fituesin e zgjedhjeve: “Kurti i përket një brezi të ri të politikanëve. Ajo mbron heqjen e gardës së vjetër që ka dominuar politikën e Kosovës që nga pavarësia. Ish i burgosuri politik 45-vjeçar është një folës i talentuar. Ai është veçanërisht e popullarizuar në mesin e të rinjve, por edhe njerëzve nga Kosova që jetojnë jashtë. Ata akuzojnë udhëheqjen e vjetër se nuk ka bërë asgjë kundër varfërisë dhe se ata janë të gjithë përgjegjës për korrupsionin e përhapur në vend”.

Tags