Shkurt 27, 2021 19:24 Europe/Tirane
  • Daçiç për ndërkombëtarët: Mos të provojnë t’i sjellin Serbisë “non-paper” lidhur me Kosovën

Me rastin e vizitës së paralajmëruar në Beograd dhe Prishtinë të ndërmjetësit evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe Zv.ndihmës Sekretarit Amerikan të shtetit për Evropën Matthew Palmer, kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç,  tha se është reale të pritet që BE dhe SHBA do të veprojnë bashkarisht në Ballkanin Perëndimor, sepse sipas tij ka ndryshuar qasja e tyre.

Daçiç duke folur në “TV Pink”, tha se pret presion të ashpër në lidhje me çështjen e Kosovës, por vuri në dukje se, megjithatë situata në terren është e ndryshme tani dhe se Serbia nuk është më në një situatë “vetëm të dëgjojë dhe të shohë se si reagojnë fuqitë e mëdha”. “Presioni do të rritet, por gjithçka varet nga udhëheqja politike që është në Beograd dhe ne nuk do të pranojmë të shantazhohemi. Nëse dikush planifikon të sjellë një ‘non-paper’ në Serbi, le të mos humbasin kohë”, tha Daçiç. Ai vuri në dukje qëndrimin e përsëritur të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, se Serbia dëshiron kompromis dhe marrëveshje, por nuk pranon kurrfarë shantazhe që do të nënkuptonte njohjen e Kosovës. “Ne gjithmonë kemi qenë për dialog, nuk kemi qenë kurrë në favor të nënshkrimit të diçkaje, e që pastaj të mos e zbatojmë, siç ka bërë Prishtina. Do të ketë presion të rëndë, por nëse dikush dëshiron marrëdhënie korrekte, ne jemi këtu”, tha Daçiç. I pyetur nëse ‘non paper’ mund të jetë rezultat i vizitave të paralajmëruara të Lajçakut dhe Palmer-it, Daçiç tha se ato vizita mund të arsyetohen me zgjedhjet që u zhvilluan në Kosovë dhe për të parë se si do të jetë situata kur bëhet fjalë për vazhdimin e dialogut, por që më shumë se kaq nuk mund të pritet sepse, siç tha ai, qeveria e Kosovës nuk është formuar ende. “Ajo qeveri do të jetë shumë ekstreme, ata refuzuan çdo dialog, nuk është asgjë optimiste tani në kuptimin se pala shqiptare është e pafajshme dhe se dikush e sheh fajtorin tek ne, kjo nuk është më ashtu”, tha Daçiç.

 

Tags