Mars 01, 2021 19:51 Europe/Tirane
  • Varhelyi: Shqipëria ka plotësuar çdo kusht, gati për konferencën e parë ndërqeveritare

Komisionari për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Oliver Varhelyi deklaroi sot se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp nga Brukseli me kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe shefin e diplomacisë evropiane Josep Borrell, Varhelyi tha se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kriteret. “Shqipëria është ai vend i cili, jo vetëm që ka vuajtur me pandeminë, por përpara pandemisë iu desh që të përballej edhe me një tërmet të fortë, kështu që sfidat janë të jashtëzakonshme në Shqipëri dhe ndoshta janë dhe më shumë në numër sesa gjetkë në rajon. Dhe vazhdojnë të jenë të tilla edhe sot. Dhe ne sot megjithatë vazhdojmë të shikojmë që Shqipëria po jep rezultate dhe po mban premtimet që ka bërë dhe po përmbush kriteret që duheshin përmbushur për atë Konferencë të Parë Ndërqeveritare”. “Kjo është një gjë shumë e rëndësishme dhe duhet ta themi këtë gjë që të jepet një sinjal shumë i qartë që jo vetëm Shqipëria ka mundur ta bëjë këtë gjë, por edhe ka dhënë rezultate qoftë për shtetin e së drejtës apo në fusha të tjera. Pra ta përçojmë këtë mesazh për sundimin e ligjit, për Reformën në Drejtësi. Këto ishin natyrisht çështjet kyçe”, u shpreh Varhelyi.

 

Tags