Nëntor 25, 2021 16:22 Europe/Tirane
  • Meta në Kosovë, pritet në takim nga Kryeministri Albin Kurti

Presidenti Ilir Meta është pritur në takim nga Kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Gjatë vizitës së tij në Kosovë, kreu i shtetit është takuar edhe me Kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, , Ramush Haradinaj, Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca si dhe me Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

“Një takim vëllazëror në Prishtinë me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

I shpreha vlerësimet për përparimin e gjithëanshëm të Kosovës, në veçanti për proceset e fundit zgjedhore, si një shembull i shkëlqyer i konsolidimit të institucioneve, shtetit ligjor, nivelit të demokratizimit dhe vetëdijesimit të mbarë shoqërisë. Me rëndësi për forcimin e gjithanshëm të marrëdhënieve strategjike, konkretizimi me nisma ligjore të marrëveshjeve ndërqeveritare. Ndamë të njëjtin vlerësim për vijimin e Procesit të Berlinit, si nismë gjithëpërfshirëse, efikase dhe që ka dhënë rezultate konkrete, përkundrejt "Ballkanit të Hapur", që rezulton një projekt përçarës dhe përjashtues.

Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një domosdoshmëri, që urojmë të ndodhë sa më parë.”- ka shkruar Meta, krahas fotove që ka postuar.

Po ashtu Meta ka zhvilluar takim edhe me kryetarin e LDK-së Lumir Abdixhiku, me të cilët kanë biseduar për tema të ndryshme.

Sipas mediave të Kosovës pritet që presidenti shqiptar do të mirëpritet edhe nga presidentja Vjosa Osmani.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e ka pritur në takim homologun e saj shqiptar, Ilir Meta.

Meta po qëndron për vizitë dy ditore në Kosovë me ç’rast është takuar me krerë institucionesh e partish.

Fillimisht është pritur nga kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj e ai i Kuvendit Glauk Konjufca.

Më pas ka zhvilluar takim edhe me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi e kryeministrin Albin Kurti.

Tags