Nëntor 25, 2021 19:26 Europe/Tirane
  • Kurti-Meta: Nuk mund të ketë “Ballkan të Hapur” kur Serbia është e mbyllur ndaj Kosovës

Kryeministri Albin Kurti, priti sot në takim Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Siç njoftohet nga Qeveria, Kurti e njoftoi Metën për përgatitjet rreth mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, që mbahet nesër në Elbasan, e ku priten të nënshkruhen rreth 15 marrëveshje. Ndërkaq, Meta e vlerësoi pozitive transparencën në qeverisje dhe shtoi se duhet më shumë bashkëpunim me biznese, që edhe ata të ndjehen pjesë e qeverisjes. Duke folur për strehimin e qytetarëve afganë, Kurti tha se kemi pranuar 1.341 refugjatë, por aktualisht në Kosovë janë 650 afganë, sepse 691 tashmë janë larguar për në vende të tjera. Gjithashtu, u diskutua për bashkëpunimin rajonal dhe iniciativat e reja. Kurti përsëriti qëndrimin se nuk mund të ketë “Ballkan të Hapur” kur Serbia është e mbyllur ndaj Kosovës, nuk ia njeh diplomat, dokumentet e identifikimit, certifikatat e vulat doganore. Lidhur me dialogun, kryeministri theksoi se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk mund të mbetet në fund, por ajo duhet të jetë në qendër të procesit. Ai kërkoi që Shqipëria ta mbrojë Kosovën nga sulmet e Serbisë në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, sidomos ato në të cilat Kosova nuk është anëtare.

 

Tags