Shtator 22, 2022 20:02 Europe/Tirane
  • Vuçiç në OKB: Nuk i sulmojmë fqinjët, kompromisi rruga e vetme!

Nga foltorja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Aleksandar Vuçiç i kritikoi ashpër vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës duke e shkelur siç tha, tërësinë tokësore të Serbisë.

Megjithatë, presidenti serb u përpoq të fashiste frikën e një konflikti të mundshëm në Ballkan, duke e bërë të qartë se rajoni nuk do ta përballonte dot një luftë tjetër. Vuçiç theksoi se Serbia do të vijojë të kërkojë kompromis me Kosovën, dhe hodhi poshtë zërat se vendi i tij përbën një kërcënim për fqinjët. Sipas presidentit serb, Beogradi po përballet me luftë hibride dhe fushata të ndyra që duan ta paraqesin Serbinë si kërcënim për sigurinë rajonale si dhe për faktin që Serbia “vlerëson se politika e sanksioneve kundër Federatës Ruse nuk mund t’i sjellë rezultate askujt”. Serbia është i vetmi vend evropian që nuk u është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë pas agresionit të saj në Ukrainë. Vuçiç shtriu dorën e paqes duke i mëshuar idesë se popujt e Ballkanit kanë kapacitet për të vazhduar bashkëjetesën në të ardhmen si miq dhe partnerë që kanë një vizion të përbashkët për anëtarësim në një Europë të bashkuar, dhe si shembull ilustrues përmendi faktin se “Serbia dhe Shqipëria, sot kanë marrëdhëniet më të afërta dhe më miqësore në historinë e tyre të përbashkët shekullore në Gadishullin Ballkanik.

 

Tags