Shtator 23, 2022 15:18 Europe/Tirane
  • Rama mohon se mbyllja e kolegjit turk

Në harkun kohor të një javë dy institucione jopublike të shoqërisë “Turgut Ozal” dhe fondacionit “Gulistan” janë urdhëruar të mbyllen nga qeveria.

Argumenti është se këto institucione ushtrojnë veprimtarinë në ambiente të palicencuara nga MAS por vendimet janë pritur me protesta dhe janë cilësuar të paligjshme nga drejtuesit e këtyre institucioneve që ushtrojnë veprimtarinë prej me shumë se 20 vitesh në Shqipëri.

"Rrethanat na bëjnë të besojmë se jemi sjellë përballë një fakti të tillë nisur nga situata jashtë sferës së zbatimit të ligjit të cilat nuk lidhen me arsimin" thanë sot drejuesit e këtij institucioni por Rama e mohon.

"Pas çdo vendimi kërkohet një qëllim tjetër nga i vërteti dhe bombardohet publiku me lajme të rreme e me teori konspiracioni! S’ka asgjë të tillë dhe asnjë qëllim tjetër përveç zbatimit të barabartë të ligjit në rastin e heqjes së një liçence shkolle si plot të tjera më parë" shkruan Rama në një postim në twitter.

Ai akuzon drejtuesit për shkelje ligji dhe përdorim të fëmijëve dhe prindëve duke luajtur rolin e viktimës së qeverisë

"Të shesësh godinën ku ke lejen e aktivitetit shkollor dhe të hapësh aktivitetin diku tjetër, pa marrë lejen sipas ligjit, pa plotësuar kriteret e pa përmbushur standartet e kërkuara ligjërisht, është një shkelje për të cilën ligji parashikon heqjen e liçencës.

Përdorimi i fëmijëve pastaj për të fshehur fajin karshi ligjit, prindërve dhe vetë nxënësve, duke luajtur rolin e viktimës së qeverisë, kur në fakt je verifikuar jo një po dy herë në shkelje, tregon ndërgjegje të ulët në raport me misionin e lartë të një vatre edukimi" shkruan Rama.

Sot, 23 shtator, nxënësit e kolegjit “Mehmet Akif” protestuan kundër vendimit të qeverisë së 22 shtatorit për mbylljen e këtij institucioni.

Urdhëri i Ministrisë së Arsimit është kundërshtuar edhe nga opozita.

"PD e dënon aktin e Edi Ramës, kur nuk ëhstë duke ndërtuar për Vuçiç, është duke shembur për Erdoganin," tha Albana Vokshi.

Këto vendime vijnë pas kërkesave të përsëritura të presidentit turk Erdogan për mbylljen në Shqipëri të institucioneve arsimore që ai i akuzon për lidhje me kundërshtarin e tij Gylen.

“Fakti që FETO është ende në gjendje të gjejë fushëveprimi në vendin mik dhe vëlla Shqipërinë, e lëndon thellë popullin tonë,” tha presidenti turk në një konferencë për shtyp me Ramën në janar të këtij viti.

"Pas çdo vendimi kërkohet një qëllim tjetër nga i vërteti dhe bombardohet publiku me lajme të rreme e me teori konspiracioni! S’ka asgjë të tillë dhe asnjë qëllim tjetër përveç zbatimit të barabartë të ligjit në rastin e heqjes së një liçence shkolle si plot të tjera më parë".

— Edi Rama (@ediramaal) September 23, 2022

Tags