Shkurt 18, 2020 19:27 Europe/Tirane
  • Serbia notë proteste për ministrin e Jashtëm Cakaj

“Joseph Goebbels i propagandës së Millosheviçit tani është shndërruar në kampion të mohimit, nënvlerësimit dhe trivializimit të krimeve të luftës. Skandaloze!


Aktorët ndërkombëtarë duhet t’i dënojnë veprat e tilla përbuzëse dhe shtrembëruese të së vërtetës që i fyejnë viktimat dhe përpjekjet e pajtimit. Masakra e Reçakut nuk do të harrohet kurrë”, do të shkruante Cakaj në twitter më 6 dhjetor 2019  për Vuçiç, i cili deklaroi se masakra e Reçakut në Kosovë ishte një fabrikim dhe gënjeshtër. Por kjo deklaratë duket se nuk i ka pëlqyer aspak Beogradit zyrtar.Një ditë më pas Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë ka dërguar një notë proteste në adresë të Ambasadës së Shqipërisë në Beograd. Në letrën e protestës, e cila është bërë publike vetëm sot (18 shkurt 2020)Serbia konsideron se deklarata të tilla nuk kontribuojnë në përmirësimin e raporteve Beograd-Tiranë.“Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Serbisë shpreh respektin e saj ndaj ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Beograd dhe shpreh protestën më të ashpër me rastin e deklaratës së turpshme të Ushtruesi të Detyrës së Ministrit për Evropë dhe Punë të Jashtme, Gent Cakaj, i cili presidentin e Republikës (Serbisë) e krahason me Goebbelsin”, thuhet në letrën e dërguar më 7 dhjetor 2019, një ditë pas deklaratës së Gent Cakajt. Serbia kërkoi nga Republika e Shqipërisë që t’i dënojë deklarime të tilla dhe të distancohen nga to. “Deklarata të tilla në asnjë formë nuk i kontribuojnë përpjekjeve që jemi duke i bërë për avancimin e raporteve të dy vendeve tona dhe marrëdhënieve të përgjithshme në rajon. MPJ e Serbisë pret që Shqipëria t’i dënojë këto deklarata dhe të distancohet nga to. MPJ e Serbisë shfrytëzon këtë rast që Ambasadës së Shqipërisë t’ia ritheksojë respektin e lartë”. Joseph Goebbels drejtonte Ministrinë e Propagandës dhe ishte një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Adolf Hitlerit.

 

Tags

Komente