Shkurt 21, 2020 18:21 Europe/Tirane
  • Mosnjohja nga Xhamajka, Osmani: Të jemi të kujdesshëm në deklarata deri në sqarimin e situatës

Gjatë një vizite ditën e sotme në Gjilan, kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani, ka pasur një prononcim për mediat.

Ndër të tjera, ajo ka folur lidhur dhe me lajmin se shteti i Xhamajkës kishte njohur pavarësinë e Kosovës. Osmani është shprehur se po pret një vlerësim zyrtar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, dhe se të gjithë duhet të jenë të kujdesshëm më deklaratat e tyre deri sa të sqarohen përfundimisht gjërat. Vjosa Osmani theksoi: “Ne jemi duke pritur një vlerësim zyrtar nga Ministria e Punëve të Jashtme lidhur me atë se çfarë ka ndodhur mbrëmë. Natyrisht që se si Kuvend i Kosovës jemi bazuar në informatën zyrtare dhe tani për tani duhet të gjithë të jemi të kujdesshëm në deklaratat tona deri në momentin e sqarimit përfundimtar të situatës. Si një person që është marrë për një kohë të gjatë me çështjen e njohjeve në të kaluarën, mund t’ju siguroj se ndonjëherë përkundër faktit që vjen informacioni ndërkohë për shkak të ndërhyrjeve të shteteve që janë kundër Republikës së Kosovës situata ndryshon, por nuk dua të jap ndonjë deklaratë pa marrë një informacion zyrtar nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe pa marrë një sqarim përfundimtar rreth asaj që ka ndodhur. Në momentin që do vijë ky informacion zyrtar, natyrisht që do të deklarohemi në emër të Kuvendit.’’ Publikimin e djeshëm të Thaçit se Xhamajka ka njohur Kosovën, e mohoi sot ministrja e Jashtme e Xhamajkës, Kamina J Smith, e cila tha se deri më tani vendi i saj nuk e ka njohur Kosovën. Reagim pati dhe nga Minstri i Punëve të Jashtme Glauk Konjufca, i cili tha se pas shqyrtimit të situatës, shumë shpejt do të ndërmarrë veprime në përputhje me përgjegjësitë e secilit.

 

Tags

Komente