Prill 01, 2020 22:20 Europe/Tirane
  • Arrin në 259 numri i personave të prekur nga Coronavirusi në Shqipëri, 16 raste të reja brenda 24 orëve

Ka shkuar në 259 numri i personave të prekur nga Coronavirusi në Shqipëri.

Në një konferencë për medie, Silva Bino nga Instituti i Shëndetit Publik tha se në 24 orët e fundit nga 152 persona të testuar janë konfirmuar 16 raste të reja. Ndërsa numri i viktimave deri tani ka shkuar në 15. Të shëruar nga COVID-19 janë gjithsej 67 pacientë. Një tjetër e dhënë nga ministria e Shëndetësisë është se mosha mesatare e rasteve pozitive me COVID-19 është 50 vjeç, ndërsa e personave qe kane humbur jetën është 66 vjeç. “Në shërbimin infektiv aktualisht janë 79 të shtruar. 7 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 4 nga këta janë të intubuar. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente. Ndërkohë në spitalin COVID 2 ‘Shefqet Ndroqi’ kemi 1 pacient të shtruar. Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Durrës, Kavajë dhe Korçë, përveç rasteve të zbuluar për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik dhe ku po punohet me shumë intensitet nga epidemiologët për gjurmimin e kontakteve të rasteve pozitive dhe ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit”, tha Bino.

 

Tags

Komente