May 22, 2020 17:46 Europe/Tirane
  • Aleati i shqiptarëve ndihmon Kosovën me 500 mijë dollarë ndërsa Serbinë me 20.3 milionë dollarë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndarë edhe 500 mijë dollarë të tjerë për Kosovën në betejën me koronavirusin. Ndihma e re vjen pas 1.1 milionë dollarëve të ndarë në fund të muajit mars.

“Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, ka njoftuar një pako globale ndihmëse të re të Departamentit të Shtetit dhe USAID-it për t’u përballur me koronavirusin. Për Kosovën kjo pako shton edhe 500 mijë dollarë për ato 1.1 milionët e zotuar nga SHBA-ja për të përkrahur Kosovën përballë koronavirusit”, ka thënë në një video-mesazh të publikuar në rrjetet sociale, ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.

Ndërkohë përmes një njoftimi për media, USAID-Kosova ka thënë se që nga rasti i parë i infeksionit me COVID-19, që u konfirmua më 13 mars, ndihma është përqendruar në bashkëpunimin me punëtorët e vijës së parë të betejës me koronavirusin për të ngadalësuar përhapje, në sigurimin e kujdesit për të prekurit si dhe pajisjet e nevojshme për të luftuar koronavirusin.

“Për shembull, ne kemi shpërndarë 239 pako higjienike nëpër qendrat shëndetësore, 8950 pako familjare dhe 1200 pako për fëmijë në të gjitha 38 komunat e Kosovës. Lufta kundër COVID-19 ende nuk ka mbaruar, prandaj kjo ndihmë shtesë nga populli amerikan do të vazhdojë të sigurojë mbështetje operacionale dhe të rrisë aftësinë e reagimit të duhur nga ana e Kosovës në ndalimin e përhapjes së mëtutjeshme të COVID-19 dhe zbutjen e pasojave të saj”, thuhet në njoftim.

Organizata shtetërore amerikane USAID sot me rastin e dhjetë vjetorit të bashkëpunimit ka vendosur që të ndajë për Serbinë një vlerë shtesë prej 20.3 milionë dollarëve.

Sipas njoftimit të ambasadës amerikane në Beograd këto mjete dedikohen për përmirësimin e sektorit të ekonomisë dhe për të pasur një ekonomi konkurruese, për sundim më të mirë të ligjit, administratë më efikase, për një mjedis më të mirë mediaik dhe për luftën kundër korrupsionit.

Tags

Komente