Shtator 19, 2020 09:43 Europe/Tirane
  • Gnosticizmi i Kuq (11) (Program special për muajin Muharrem)

Dëgjues të nderuar jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit “Gnosticizmi i Kuq”. Në këtë edicion do të flasim për lidhjen e kulturës së martirizimit me dhunën dhe do të vërtetojmë se feja e pastër Islame nuk është fe e shpatës dhe e dhunës ashtu siç mundohen ta paraqesin disa armiq të saj, por Islami është fe e mëshirës dhe e dashurisë dhe solidaritetit.

Lidhja e kulturës së martirizimit me dhunën

Dëgjues të nderuar jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit “Gnosticizmi i Kuq”. Në këtë edicion do të flasim për lidhjen e kulturës së martirizimit me dhunën dhe do të vërtetojmë se feja e pastër Islame nuk është fe e shpatës dhe e dhunës ashtu siç mundohen ta paraqesin disa armiq të saj, por Islami është fe e mëshirës dhe e dashurisë dhe solidaritetit dhe kjo dëshmohet nga ajetet e Kur’anit, nga hadithet e Hazretit Muhamed s.a.v.s. dhe të imamëve ma’sum dhe nga e gjithë historia me plotë batica dhe zbatica e Islamit.

Në emër të Zotit

Luftërat e kohës së Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. kryesisht kanë pasur aspekt mbrojtës dhe janë zhvilluar për të mënjanuar agresionin dhe sulmin e armiqve ose për të neutralizuar dhe parandaluar komplotet e tyre. Hazreti Muhamed s.a.v.s sidomos me ithtarët e librave të shenjtë (të krishterët dhe hebrenjtë), ka ndjekur rrugën e tolerancës dhe mbrojtjes së tyre. Një prej paragrafëve të paktit të Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. që kishte lidhur me hebrenjtë e Medinës, ishte ky që thotë: “Myslimanët në rast të nevojës, do të mbrojnë komunitetin e hebrenjve”. Gjithashtu Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. kishte lidhur pakt edhe me të krishterët e Gadishullit Arabik dhe ishte zotuar se do të mbronte ata dhe do t’i lindte plotësisht të lirë ata në kryerjen e ceremonive të tyre fetare. Myslimanët kurrë nuk kanë thirrur me forcë të tjerët për ta pranuar fenë e pastër Islame dhe gjithnjë me udhëheqësit e feve hyjnore janë sjell në bazë të parimit për bashkëjetesë paqësore duke garantuar të gjitha liritë fetare të të tjerëve. Durimi dhe toleranca e myslimanëve ishte deri në atë masë sa që edhe disa sekte e grupe të krishtera preferonin më shumë që të futen nën protektoratin dhe mbrojtjen e Islamit se sa nën mbrojtjen dhe protektoratin e sekteve të tjera të krishtera.

Ashtu siç thamë, Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. deri në kohën kur nuk vërehej ndonjë tradhti ose agresion nga komunitetet e feve të tjera ose nga ana e idhujtarëve kundër myslimanëve, nuk hynte në luftë me ata. Ashtu sikur që Zoti i madhëruar në ajetin 3 të sures Teobe në Kur’anin e shenjtë, pas urdhrit të luftës kundër atyre idhujtarëve të cilët kishin shkelur zotimet e veta sipas marrëveshjes, në ajetin 4 të po kësaj sure të Kur’anit të shenjtë, e porosit të Dërguarin e vet që nëse disa idhujtarë nuk kanë shkelur marrëveshjen, të mos luftojë kundër atyre, ndërkohë thotë:

«إِلاَّ الَّذینَ عاهَدْتُمْ مِنَ الْمُشْرِکینَ ثُمَّ لَمْ یَنْقُصُوکُمْ شَیْئاً وَ لَمْ یُظاهِرُوا عَلَیْکُمْ أَحَداً فَأَتِمُّوا إِلَیْهِمْ عَهْدَهُمْ إِلى مُدَّتِهِمْ إِنَّ اللَّهَ یُحِبُّ الْمُتَّقینَ

“Me atë grup të idhujtarëve me të cilët ju keni lidhur pakt dhe ata nuk kanë shkelur marrëveshjen në asnjë aspekt dhe nuk kanë mbështetur ndonjë njësi ose grup kundër jush duke e ndihmuar atë, ju duhet ta respektoni marrëveshjen derisa t’i skadojë afati kohor i saj, sepse Zoti i do ata të cilët vetëpërmbahen dhe janë të devotshëm”.

Një çështjeje e rëndësishme është kjo që lufta dhe betejat e Islamit, gjithnjë kanë qenë luftëra të zhvilluara mbi parime të së drejtës duke respektuar të gjitha parimet njerëzore dhe morale si të drejtat e grave, fëmijëve, të sëmurëve, vendbanimeve civile, robërve, kafshëve dhe fushave bujqësore. Duke marrë parasysh faktin se Islami dhe gjithashtu arsye njerëzore, e konsideron të lejuar dhunën kundër armikut që bënë komplote dhe agresion dhe gjithashtu urdhëron mbrojtjen e vendeve, territoreve dhe pasurive të Islamit. Prandaj në shumë raste të ndryshme të historisë së Islamit, është transmetuar se Hazreti Muhamed s.a.v.s. edhe kur ishte në kulmin e fuqisë në krye të pushtetit, i mbyllte sytë nga kjo e drejtë e tij dhe e myslimanëve dhe me mëshirë dhe dashuri, i falte armiqësitë, padrejtësitë dhe krimet e atyre. Një prej shembujve të faljes në kulmin e fuqisë së pushtetit është rasti i çlirimit të Mekës dhe fitores së myslimanëve kundër idhujtarëve. Idhujtarët të cilët për shume vite me radhë nuk kishin kursyer kurrfarë keqtrajtimi dhe agresioni ndaj Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. dhe myslimanëve dhe gjatë luftërave kishin vrarë dhe martirizuar një numër të konsiderueshëm të myslimanëve dhe vetë ata pritnin një hakmarrje të ashpër, papritur gjatë çlirimit të Mekës u përballen me sjelljen e butë dhe me plotë dashuri të Hazreti Muhamed s.a.v.s. i cili në vend që të sillet në të njëjtën mënyrë siç ishin sjell idhujtarët dhe të hakmerret ndaj tyre, ai urdhëroi që myslimanët të bëjnë thirrje: “Sot është dita e faljes dhe mëshirës!”. Prandaj të gjithë idhujtarët në mënyrë të pabesueshme e panë që Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. kishte anashkaluar të gjitha veprimet e kaluara të tyre dhe i kishte fal ata.

Zoti i madhëruar në ajetin 29 të sures Fat’h në Kur’anin e shenjtë për besimtarët ka numëruar dy karakteristika të kundërta “të ashpër” dhe “të mëshirshëm” dhe thotë:

مُحَمَّدٌ رَسُولُ اللّهِ وَ الَّذینَ مَعَهُ أَشِدّاءُ عَلَی الْکُفّارِ رُحَماءُ بَیْنَهُمْ

“Muhamedi që është i dërguari i Zotit dhe ata të cilët i janë bashkuar atij janë të ashpër përball jobesimtarëve dhe të mëshirshëm mes vete”.

Ky ajet kur’anor tregon karakteristikat e Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. dhe të ndjekësve të tij që karakteristika e parë e tyre është ashpërsia ndaj jobesimtarëve dhe mëshira mes vete. Kjo karakteristikë përveçse tregon mënyrën e bashkëpunimit të personave me njëri-tjetrin, mbikëqyrë edhe mënyrën e vendosjes së marrëdhënieve të shoqërisë islame me shoqëritë e tjera. Në bazë të këtij ajeti, besimtarët dy cilësitë “të ashpër” dhe “të mëshirshëm” i kanë përzierë mes vete, do të thotë ata përball jobesimtarëve janë të ashpër dhe të pamëshirshëm ndërsa mes vete janë të mëshirshëm dhe të butë. Në bazë të këtij ajeti kur’anor, besimtarët janë qendër e ngrohtësisë dhe dashurisë ndaj vëllezërve, miqve dhe bashkëfetarëve të tyre kurse zjarr i ashpër dhe kështjellë e pathyeshme përball armiqve. Në të vërtetë ndjenjat dhe emocionet e tyre përmblidhen kryesisht në këtë dashuri dhe hidhërim, mirëpo as bashkimi i këtyre dy karakteristikave nuk krijon kontradiktë në ekzistencën e tyre dhe as hidhërimi dhe ashpërsia e tyre përball armiqve dhe dashuria e tyre ndaj vëllezërve nuk bëhet shkak që ata ta devijojnë rrugën e të vërtetës dhe drejtësisë.

Shpirti i cili mishërohet me sakrificë dhe martirizim, edhe sjelljeve ekstrmiste dhe të dhunshme e injorante të bashkëfetarëve të tij iu përgjigjet me fisnikëri, dashuri dhe mëshirë. Ashtu sikur që Zoti i madhëruar në ajetin 63 të sures Furkan në Kur’anin e shenjtë, thotë: “

وَ إِذا خاطَبَهُمُ الْجاهِلُونَ قالُوا سَلامًا

“Dhe në kohën kur injorantët i drejtohen atyre, ata ua kthejnë me përshëndetje”. Pra, besimtarët e vërtetë kur të takohen me injorantët të cilët flasin fjalë dhe bëjnë sjellje të pamatura ndaj tyre, ata përsëri i trajtojnë ata në mënyrë paqësore dhe me bujarinë e vet i falin.

Përveç kësaj, historia dëshmon se Ehli Bejti (a.s.) njëkohësisht me dëshirën për martirizim, dashurinë dhe pasionin për të luftuar dhe martirizuar në rrugën e Zotit, edhe në përballje me armiqtë më të ashpër dhe më të këqij, kanë treguar dhe dëshmuar kulmin e mëshirës dhe butësisë dhe në këtë mënyrë e kanë mposhtur dhe turpëruar armikun. Për shembull, mund të përmendet trajtimi i Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. ndaj njerëzve dhe armiqve të tij në çlirimin e Mekës dhe udhëzimet e Imam Aliut (a.s.) ndaj kundërshtarëve të tij në luftën rreth devesë dhe në luftën e Sifinit dhe në luftën e Nahrevanit, si dhe këshillat udhëzuese të Imam Husejnit (a.s.) gjatë luftë për t’i shpëtuar personat e mashtruar edhe pas martirizimit të shumë prej shokëve të tij besnikë. Gjithashtu shembuj të kësaj sjellje fisnike mund të vërehen edhe nga ana e shokëve dhe përkrahësve besnikë të Ehli Bejtit (a.s.) siç është Malek Ashtar ndaj fyerjeve dhe mosrespektit të injorantëve dhe shembuj të tillë janë të shumta në historinë islame.

Imam Husejni (a.s.) duke marrë parasysh se ishte plotësisht i vetëdijshëm për martirizimin e vet dhe të shokëve të tij besnikë, martirizimin e vet e ka prezantuar si lëvizje reformatore, konstruktive dhe edukative për umetin e gjyshit të tij. Prandaj, martirizimi i besimtarëve në realitet është shfaqje e mëshirës, emocioneve dhe dashurisë ndaj të gjithë njerëzve, për arsye se ata me gjakun e vet dëshirojnë t’i shpëtojnë njerëzit nga devijimi dhe injoranca. Ashtu sikur që lexojmë në lutjen e vizitës me rastin e Arbainit të Imam Husejnit (a.s.) ku thuhet: “O Zot! Imam Husejni (a.s.) ka flijuar gjakun e zemrës së vet në rrugën tënde në mënyrë që robërit e tu t’i shpëtojë nga zhytja në errësirën e injorancës dhe nga humbje në rrugën e devijuar!”

Kështu që kultura e martirizimit jo vetëm që nuk bëhet shkak për korrupsion dhe përhapjen e dhunës, por ajo bëhet shkak për zhvillimin, ngritjen dhe progresin e shoqërisë drejt qëllimit final të krijimit. Kultura e sakrificës dhe martirizimit nuk është vetëm për ta mposhtur armikun ose për shkak të karakterit të saj parandalues përball sulmeve të armikut, por ajo ka një logjikë të fuqishme e cila është mbi të gjitha llojet e logjikës. Logjika e martirizimit është një kombinim i llojeve të logjikës për reformimin dhe korrigjimin e shoqërisë, logjikës për sakrificë, dashuri, mbrojtje dhe dinjitet e ndjenjë të fetarizmit, logjikës për konstruktim, edukim dhe me një fjalë logjikës së dritës dhe udhëzimit. Prandaj, zhvillimi dhe përhapja e një logjike të tillë, në asnjë mënyrë nuk duhet konsideruar përhapje të dhunës dhe gjakderdhjes.

Nga pikëpamja e Islamit, kultura e sakrificës dhe martirizimit me dhunën, janë dy pole të kundërta të një lëvizje. Në këtë mënyrë që martirizimi është si një letër që faqja e parme e saj është e bardhë ndërsa faqja e pasme e saj është e zezë. Faqja e bardh e saj është një lëvizje hyjnore dhe një epope njerëzore dhe simbol i të gjitha virtyteve të larta njerëzore, të bujarisë, sakrificës dhe të dinjitetit njerëzor. Gjithashtu rezultatet edukative, konstruktive dhe lumturia e përhershme është rezultat i kësaj lëvizjeje. Kjo është në kohën kur faqja e zezë e saj, në mënyrë sipërfaqësore është një veprim kriminal dhe i dhunshëm, mirëpo kjo formë sipërfaqësore e dhunshme është për vendosjen e drejtësisë dhe për të marrë të drejtat e të shtypurve nga tiranët dhe ndëshkon njerëzit që kanë bërë padrejtësi dhe dhunë.

Në këtë mënyrë, kultura për martirizim dhe përhapja e saj, nuk do të ketë rezultat tjetër, përveçse reformimin, korrigjimin dhe edukimin e shoqërisë dhe bëhet shkak për përhapjen e paqes, sakrificës dhe dashurisë e mëshirës në mesin e anëtarëve të shoqërisë. Akuzimi i Islamit se gjoja është fe e shpatës, tregon në mënyrë të qartë urrejtjen dhe armiqësinë e armiqve ndaj Islamit dhe ndaj myslimanëve dhe pikërisht kjo tregon rëndësinë e kulturës së martirizimit në neutralizimin e përpjekjeve të armikut për të depërtuar në shoqërinë islame dhe për ta goditur Islamin. Në këtë mënyrë, përpjekjet e armiqve për ta dobësuar dhe për t’i humbur rëndësinë kulturës së martirizimit, në realitet tregojnë më së miri suksesin e kësaj kulture në ruajtjen dhe mbrojtjen e fesë dhe vlerave fetare.

Tags

Komente