Tetor 18, 2020 20:08 Europe/Tirane
  • Fundi i embargos së armëve ndaj Iranit, interesimi rus dhe irritimi amerikan

Fundi i embargos mbi shitjen e armëve në Iran do të hapë rrugën për zhvillimin e bashkëpunimit ushtarak dhe teknik midis Moskës dhe Teheranit, sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS.

Këtë të Dielë, 18 Tetor, embargo e armëve kundër Iranit skadoi pesë vjet pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes bërthamore dhe miratimit të rezolutës 2231 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara e cila shërben si pikëmbështetje për marrëveshjen. Udhëheqësit iranianë nuk e fshehin prirjen e tyre për të blerë armë nga vendet e huaja, veçanërisht ato vende që mbetën të përkushtuara në marrëveshjen bërthamore pas tërheqjes së njëanshme të SHBA në maj 2018. Në shtator, Ministri i Jashtëm iranian Muhamed Xhavad Zarif deklaroi se Teherani do të jetë në gjendje të plotësojë nevojat e tij për armatim, falë ndërmjetësimit të vendeve me të cilat ka marrëdhënie strategjike, përfshirë Rusinë dhe Kinën, pas skadimit të embargos së Kombeve të Bashkuara. Në gusht, Yuri Borisov, Zëvendëskryeministri i Rusisë, tha se Irani donte të merrte pajisje ushtarake ruse pas heqjes së embargos. "Çdo mundësi që do të jetë në dispozicion pas përfundimit të embargos do të shfrytëzohet në interes të të dy kombeve," tha Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme Ruse. Vassili Nebenzia, përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në OKB, theksoi kohët e fundit se zgjatja e embargos së armëve ndaj Iranit nuk do të vihej më në tryezën e Këshillit të Sigurimit dhe se të gjitha përpjekjet e Uashingtonit për të mbledhur vendet e tjera për rezolutën e tij, tashmë kishin dështuar. Sidoqoftë, amerikanët ende shpresojnë se ata mund të rinovojnë embargon e armëve ndaj Iranit. Një muaj më parë, sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo u zotua se Uashingtoni "do të kthehet në Këshillin e Sigurimit për ta bërë të përhershme embargon e armëve". Duke reaguar ndaj kësaj deklarate të Mike Pompeos, Zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Riabkov tha se sanksionet e SHBA nuk janë më të frikshme për Moskën, pasi Moska është mësuar me to. “Rusia po zgjeron bashkëpunimin e saj shumëdimensional me Iranin, përfshirë në fushat teknike dhe ushtarake, dhe ky proces po përparon ngadalë, në përputhje me nevojat e të dy palëve, si dhe vullnetin e tyre, pa lejuar që të ndikohet nga sanksionet amerikane ", shpjegoi Sergei Riabkov. Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm iranian Zarif tha se sanksionet amerikane nuk mund ta ndalojnë Iranin të blejë armë nga Rusia dhe Kina. "Për Moskën, çdo sanksion i vendosur nga Shtetet e Bashkuara ndaj Iranit në lidhje me bashkëpunimin ushtarak me vendet e tjera është i paligjshëm, sepse të gjitha kufizimet për këtë temë do të skadojnë më 18 tetor," tha Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov. Lavrov theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk kishin të drejtë të rivendosnin regjimin e sanksioneve kundër Iranit, pasi që nuk ishin më pjesë e marrëveshjes bërthamore. Ndërsa Ambasadori iranian në Moskë vlerësoi qëndrimin e vendosur të Rusisë ndaj presionit të SHBA-së ndaj Teheranit në vitet e fundit, dhe deklaroi se "të dy vendet po këshillohen për bashkëpunimin ushtarak dhe teknik" dhe se plane të përshtatshme do të projektohen dhe zbatohen me kalimin e kohës. Ai shtoi se "Irani do të bashkëpunojë me vendet e interesuara në fushën ushtarake dhe teknike dhe në blerjen e pajisjeve ushtarake që na nevojiten. Ne nuk do të kemi asnjë kufizim në këtë drejtim, dhe do ta shfrytëzojmë këtë mundësi me mençuri."

 

Tags

Komente