Tetor 19, 2020 20:16 Europe/Tirane
  • Irani do të japë përgjigje 'të drejtpërdrejtë dhe të qartë' ndaj çdo kërcënimi izraelit në Gjirin Persik

Ministri i Mbrojtjes i Iranit deklaroi se Republika Islamike do të japë një përgjigje "të qartë dhe të drejtpërdrejtë" për çdo kërcënim të mundshëm të Izraelit kundër interesave të Iranit në Gjirin Persik.

Në një intervistë me rrjetin Aljazeera, publikuar të hënën, gjeneral brigade Amir Hatami reagoi ndaj një vendimi të fundit nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejni për të normalizuar plotësisht marrëdhëniet me Izraelin përmes marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga administrata e Presidentit të SHBA Donald Trump, duke theksuar se një veprim i tillë do të përbëjë një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e të gjithë rajonit të Gjirit Persik. Ai shtoi: "Çdo kërcënim i paraqitur nga regjimi sionist kundër interesave të Iranit në Gjirin Persik do të përballet me një përgjigje të drejtpërdrejtë dhe të qartë." Duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me insistimin e Shteteve të Bashkuara për përfshirjen e potencialeve raketore të Iranit në çdo bisedim të mundshëm në të ardhmen, ministri iranian i Mbrojtjes tha se Republika Islamike nuk do të angazhohet kurrë në negociata me SHBA mbi programin e saj të raketave, duke theksuar: "Askush nuk ka të drejtë të na kërkojë të bëjmë këtë." Në intervistën e tij, shefi i Mbrojtjes iraniane vuri në dukje konfliktet e fundit të armatosura midis Armenisë dhe Azerbajxhanit për rajonin e Nagorni-Karabakut dhe tha se Republika Islamike ka dhënë paralajmërime të rrepta dhe të qarta për palët ndërluftuese në lidhje me nevojën për të mbrojtur sigurinë në zonat kufitare. Ai hodhi poshtë pretendimet në lidhje me transferimin e armëve të Rusisë në Armeni përmes tokës së Iranit, duke thënë: "Ne kurrë nuk e kemi lejuar Rusinë të përdorë kufijtë dhe territoret tona për të transferuar armët ruse në Armeni dhe kjo është një akuzë e pabazë e ngritur kundër Iranit." Gjeneral Hatami tha: "Ne presim që Turqia, si një vend miqësor dhe aktor i rëndësishëm rajonal, të ndihmojë për zgjidhjen e krizës në rajonin e diskutueshëm të Karabakut me mjete diplomatike."

 

Tags

Komente