Janar 05, 2021 19:53 Europe/Tirane
  • Gantz kërcënon Iranin, Ehud Barak i thotë hesht!

Vetëm disa ditë pasi Irani njoftoi se kishte filluar procesin për prodhimin e uraniumit të pasuruar me 20% në objektin bërthamor Fordo, Ministri izraelit i Çështjeve Ushtarake Benny Gantz bëri kërcënime kundër Iranit. A mund të merren seriozisht këto kërcënime?

Ndërsa tensionet po shtohen në rajon përpara ndryshimit të ardhshëm të Shtëpisë së Bardhë, Ministri izraelit i Çështjeve Ushtarake Benny Gantz tha se ai sheh një mundësi që "ngjarje të reja të ndodhin në frontin iranian". Në një intervistë me gazetën izraelite Yediot Aharonot të hënën, 4 janar, Gantz tha se zhvillimet që përfshijnë Iranin ka të ngjarë të ndodhin së shpejti. "Unë nuk e di se sa do të ndryshojë situata dhe cilat janë ngjarjet e mundshme që e ndryshojnë situatën," tha ai. "Unë duhet të shtoj se ushtria dhe pjesa tjetër e forcave izraelite të sigurisë janë në gatishmëri të lartë dhe janë të vetëdijshëm për atë që po ndodh në këtë front," shtoi ai. Ndërkohë, duke njohur aftësitë e Iranit, ish-kryeministri i regjimit sionist Ehud Barak tha se Irani ishte përpara Izraelit në prodhimin e raketave dhe në pasurimin e uraniumit. Al-Mayadeen i referohet mediave izraelite që raportojnë fjalët e ish-kryeministrit sionist Ehud Barak. Ky i fundit tha se "iranianët janë përpara nesh në prodhimin e raketave, në pasurimin e uraniumit dhe në dominimin në Siri". Barak gjithashtu vuri në dukje se aftësia e regjimit të Tel Avivit për t'u përballur dhe kontrolluar Iranin është dobësuar. Udhëheqësit dhe media izraelite vazhdimisht kanë shprehur shqetësim mbi përparimin ushtarak dhe balistik të Iranit. "Manovra ushtarake e grupeve të rezistencës palestineze në Gaza tregon rritjen e ndikimit ushtarak të Iranit në Rripin e Gazës dhe se ky rajon po bëhet një platformë për të dhënë mesazhet e tij për Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara," raportoi e përditshmja saudite Al-Oub, në aludim të manovrës së paparë të grupeve palestineze të rezistencës të quajtur "Shtylla e Fortë". Gjatë stërvitjes, grupet palestineze qëlluan me raketa nga Rripi i Gazës drejt detit për të kryer stërvitjen e parë të përbashkët ushtarake. Sipas Autoritetit Palestinez, kjo shfaqje e forcës u organizua në Gaza me mbështetjen e Iranit dhe grupet aleate me Teheranin u përpoqën të tregonin fuqinë e tyre njëkohësisht me përkujtimet e përvjetorit të martirizimit të Gjeneralit Kasem Soleimani, ish komandant i Forcës Kuds të IRGC, shton gazeta Saudite. Duket se qëllimi i Iranit në këtë stërvitje ishte të dërgonte një mesazh se do të sulmonte Izraelin në rast të veprimit ushtarak nga Trump. Me sa duket Irani mbështetet në grupet e rezistencës Palestineze. Muhamed Musharekah, një analist politik në Londër, beson se palët palestineze të lidhura me koalicionin iranian, veçanërisht lëvizja Xhihadi Islamike dhe Hamas, insistojnë të qëndrojnë larg qeverisë së Autoritetit Autonom Palestinez. "Padyshim, këto stërvitje u kryen si pjesë e përgatitjes së luftëtarëve arabë pro-Teheranit për të marrë pjesë në përgjigjen ndaj sulmeve amerikane dhe izraelite," shtoi ai. Tensionet midis Iranit dhe Izraelit janë përshkallëzuar që nga vrasja e shkencëtarit bërthamor iranian Mohsen Fakhrizadeh. Analistët besojnë se Irani po përpiqet të zbatojë strategjinë e tij dhe të godasë armikun përmes forcave të tij përfaqësuese.

 

Tags