Mars 04, 2021 19:55 Europe/Tirane
  • Ruhani: Nëse qeveria e SHBA është e vendosur të kthehet në marrëveshjen bërthamore, nuk ka nevojë për negociata

Presidenti iranian Hasan Ruhani deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë shkelur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me Iranin dhe fuqitë e tjera botërore dhe është Uashingtoni ai që duhet të ndërmarrë hapa praktikë për t'u ribashkuar në marrëveshjen dhe për të hequr të gjitha sanksionet që ka rivendosur ndaj Teheranit.

Ruhani i bëri deklaratat të enjten gjatë një fjalimi në samitin e 14-të të liderëve të vendeve të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik (ECO), i cili u mbajt përmes videokonferencës. "SHBA, si pala që shkeli marrëveshjen, duhet të heqë të gjitha sanksionet dhe të marrë hapa praktikë në mënyrë që të jetë në gjendje të kthehet në marrëveshjen bërthamore," argumentoi Ruhani. Ai tha se Republika Islamike e Iranit do të japë përgjigje reciproke "veprim kundrejt veprimit". "Rruga e kthimit në marrëveshjen bërthamore është e drejtpërdrejtë dhe nëse qeveria e SHBA është e vendosur të kthehet, nuk ka nevojë për negociata," shtoi presidenti iranian. "Më lejoni t'ju njoftoj se masat e paligjshme e të njëanshme të SHBA nuk kanë arritur të gjunjëzojnë kombin e madh iranian," pohoi Ruhani, duke shtuar se Irani mbështetej në aftësitë e tij të brendshme për të shmangur ndikimin e sanksioneve amerikane. "Ky komb është mbështetur në aftësitë e tij të brendshme dhe madje ka bërë përparime dhe ka arritur suksese të mëdha duke përfshirë edhe luftën kundër COVID-19 dhe ndikimet e sanksioneve. Një shembull i gjallë është prodhimi i vaksinës kundër koronavirusit nga shkencëtarët iranianë, ku ne jemi të përgatitur të zgjasim bashkëpunimin me vendet e tjera, veçanërisht me vendet ECO ", tha presidenti iranian. Ruhani pohoi se ishte për "mençurinë" dhe "angazhimin" e Iranit që marrëveshja bërthamore arriti t'u mbijetojë përpjekjeve të SHBA për ta shkatërruar atë. Presidenti i RII theksoi dështimin zhgënjyes të bashkësisë ndërkombëtare për të qëndruar përpara masave të njëanshme dhe sanksioneve të paligjshme, të cilat tha ai kishin synuar aftësitë e vendeve në betejën e tyre kundër sëmundjes vdekjeprurëse të Covid-19. "Fuqitë e mëdha që privojnë kombet e tjera nga të drejtat themelore si dhe mosrespektimi i tyre për organizatat ndërkombëtare kërkojnë një përgjigje nga vendet e tjera duke përfshirë forcimin e bashkëpunimit dhe krijimin e një fronti të bashkuar kundër këtyre sfidave," vuri në dukje ai.

 

Tags