Mars 09, 2021 11:39 Europe/Tirane
  • Rabi’i: Qeveria e Amerikës pa kurrfarë kushti të kthehet në marrëveshjen bërthamore

Zëdhënësi i Qeverisë së Iranit ka deklaruar se i rekomandojmë qeverisë së re të Amerikës që pa kurrfarë kushti të kthehet në marrëveshjen bërthamore dhe të mos e vështirësojë më tepër se kaq rrugën e diplomacisë.

Agjencia e lajmeve IRNA njoftoi se Ali Rabi’i, zëdhënësi i Qeverisë së Iranit, në konferencën për shtyp deklaroi: “Ashtu siç ka deklaruar më parë ministri i punëve të jashtme të Iranit, ne jemi të gatshëm për shkëmbimin e të burgosurve dhe nëse deri më tani nuk është realizuar një gjë e tillë, kjo është për shkak të mungesës së gatishmërisë së Qeverisë së Amerikës. Ne po presim të shikojmë se Qeveria e Amerikës deri në çfarë mase do të rishikojë politikat e gabuara të qeverisë së mëparshme”.

Rabi’i në reagim ndaj deklaratave të sekretarit amerikan të shtetit i cili ka thënë se kusht për anulimin e sanksioneve është kthimi i Iranit në zotimet e marrëveshjes bërthamore, ka thënë: “Nëse këto qëndrime të palës amerikane janë bërë për konsumim të brendshëm në Amerikë, atëherë ne nuk kemi ndonjë mendim të veçantë, mirëpo nëse këto janë qëndrime të politikës së jashtme të Qeverisë së Amerikës, atëherë nga pikëpamja jonë, ky është një gabim i krijuar si rezultat i konsultimeve të gabuara. Amerika nuk është në një pozitë që të caktojë kushte për kryerjen e zotimeve të saj ndërkombëtare. Përkundër Amerikës e cila akoma nuk po kthehet në marrëveshjen bërthamore, Irani është i gatshëm që sa më shpejtë së bashku me shtetet e tjera anëtare të marrëveshjes bërthamore të zbatojë zotimet e veta. Sipas politikës së prerë të Iranit, e vetmja rrugë është veprimi konkret për anulimin e sanksioneve dhe për kthimin e të gjitha palëve në zbatimin e plotë të zotimeve të veta. Nëse Amerika po mendon për ndonjë rrugë tjetër përveç kësaj, atëherë duhet ta dijë se është duke humbur kotë një kohë të çmuar e cila mund të çojë përpara interesat e të gjitha palëve. Natyrisht mendojmë se në të ardhmen e afërt Amerika do të mund të dallojë dhe përcaktojë politikën e drejtë”.

Në lidhje me deklaratat e autoriteteve amerikane rreth një marrëveshje përtej marrëveshjes bërthamore dhe për pajtimin ose mospajtimin e Iranit me këtë çështje, Rabi’i theksoi: “Qëndrimi ynë për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore nuk ka ndryshuar. Ne besojmë se Amerika ka dal nga marrëveshja bërthamore dhe ka shkelur rezolutën 2231 të KS të OKB, që duhet të kthehet në këtë traktat ndërkombëtar”.

Tags