May 07, 2021 20:17 Europe/Tirane
  • Kryenegociatori iranian: SHBA dhe të gjitha palët janë serioze në përpjekjet për të ringjallur marrëveshjen me Iranin

Negociatori i lartë bërthamor i Iranit theksoi se të gjitha palët e përfshira në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 dhe Shtetet e Bashkuara janë serioze në përpjekjet për të ringjallur marrëveshjen historike dhe se negociatat do të vazhdojnë derisa të plotësohen të gjitha kërkesat e Iranit.

Duke folur pas një sesioni bisedimesh në kryeqytetin austriak Vjenë, Zëvendësministri i Jashtëm iranian Abas Eragçi, i cili kryeson delegacionin e Iranit në negociata, informoi mediat mbi zhvillimet e fundit në lidhje me fatin e marrëveshjes. "Sot, Komisioni i Përbashkët i marrëveshjes bërthamore u mblodh për seancën e parë në raundin e ri të negociatave," tha Eragçi. "Grupet e punës për sanksionet dhe çështjet bërthamore do të fillojnë aktivitetet e tyre në mbrëmje." Ai tha se ajo që mund të nxirret nga seanca e parë është se të gjitha palët janë serioze në ndjekjen e një zgjidhjeje për të ringjallur marrëveshjen bërthamore. "Lajmet që marrim nga ana e amerikanëve njoftojnë se ata janë gjithashtu seriozë në kthimin në marrëveshjen bërthamore dhe kanë shprehur, deri më tani, gatishmëri për të hequr një pjesë të madhe të sanksioneve, çka ende nuk është përfunduar në këndvështrimin tonë, ”tha Eragçi duke shtuar: "Kjo është arsyeja pse bisedimet do të vazhdojnë derisa të plotësohen të gjitha kërkesat tona në këtë drejtim." Ai shtoi se raundi i ri filloi me "energji pozitive", duke shprehur shpresën se delegacionet mund të arrinin përfundime në kohën më të shkurtër të mundshme. "Sfidat dhe ndryshimet nuk janë të vogla dhe prandaj duhet të trajtohen në bisedime për të gjetur zgjidhje për to," tha Eragçi.

 

Tags