Janar 13, 2022 19:53 Europe/Tirane
  • Irani lëshon transportuesin e tij të parë satelitor që operon me karburant të ngurtë

Komandanti i Divizionit Hapësinor të Korpusit të Gardës së Revolucionit Islamik të Iranit (IRGC) deklaroi se Irani ka zotëruar teknologjinë e transportuesve satelitorë dhe ka nisur transportuesin e tij të parë të tillë duke përdorur lëndë djegëse të ngurtë.

Duke iu drejtuar një mbledhjeje të dijetarëve fetarë në qytetin iranian Kom të enjten, gjeneral brigade Amir Ali Haxhizadeh tha: “Që tani e tutje, Irani do të jetë në gjendje të lëshojë një numër të madh satelitësh duke përdorur motorë me kosto të ulët". Duke elaboruar mbi një test të fundit në një motor transportues satelitor iranian që funksionon me karburant të ngurtë, Haxhizadeh tha: "Ky test për herë të parë është kryer me sukses në vend". “Gjatë dy viteve të fundit, të gjithë transportuesit satelitorë iranianë, të cilët u testuan, operonin me karburant të lëngshëm. Por në këtë test, ne arritëm të përdorim motorin me lëndë djegëse të ngurtë me një forcë shtytje prej 66 tonësh”, tha komandanti i lartë iranian. Haxhizadeh tha se transportuesit e rinj satelitorë të Iranit përbëhen nga një trup jo-metalik dhe nga një kombinim kompoziti, gjë që rrit energjinë e raketës dhe çon në kursime të konsiderueshme në kostot përkatëse. Gjeneral Haxhizadeh, duke deklaruar se kjo teknologji ekziston vetëm në 4 vende, tha: "Në të gjitha fushat që kanë të bëjnë me hapësirën ajrore, prodhimi i fuqisë vazhdon dhe Irani ka bërë aq shumë përparime në fushën e hapësinore dhe satelitëve, saqë nuk do të jetë e mundur që ato të eliminohen me atentate, kërcënime dhe sanksione." Komandanti i lartë i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit deklaroi: “Sipas komandantit të Centcom-it amerikan, Irani me zhvillimin e dronëve ka fituar epërsi ajrore dhe kreu i Këshillit Atlantik në Azinë Perëndimore ka deklaruar se në vitin 2020, luftanijet amerikani të vendosura në ujërat përreth Gjirit Persik nuk mundën ta pengonin kryerjen e testeve raketore nga Irani dhe sulmin ndaj bazës Ain al-Assad".

 

Tags