Qershor 23, 2022 20:54 Europe/Tirane
  • Irani dhe Rusia të vendosur për zgjerimin e marrëdhënieve

Ministri i Jashtëm i Iranit Hossein Amir-Abdollahian tha se Republika Islamike është serioze për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme përmes bisedimeve të Vjenës për heqjen e sanksioneve, duke shtuar se një marrëveshje do të ishte e mundur nëse amerikanët do të vepronin realisht.

Amir-Abdollahian i bëri komentet të hënën në një konferencë për shtyp në Teheran me homologun e tij rus, Sergei Lavrov. I pyetur për situatën e bisedimeve të Vjenës, kryediplomati iranian tha se ka diskutuar negociatat me Lavrovin mbi këtë çështje, duke shtuar: "Nëse amerikanët veprojnë në një mënyrë realiste, ne shpresojmë të arrijmë një marrëveshje përfundimtare në të ardhmen e afërt". Amir-Abdollahian tha se kryediplomati rus përsëriti mbështetjen e Moskës për qëndrimet politike të Republikës Islamike në negociata për një marrëveshje të mundshme. Ai tha se pala tjetër, veçanërisht shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe zëvendësi i tij, Enrique Mora, po vazhdojnë përpjekjet e tyre për t'i kthyer të gjitha palët në negociata dhe për të vazhduar bisedimet, duke shtuar: "Shpresojmë të jemi në gjendje të mbajmë përsëri në lëvizje negociatat, të cilat tashmë janë në rrugën e duhur.” “Dëshiroj të theksoj edhe një herë se Republika Islamike e Iranit është serioze për arritjen e një marrëveshjeje të mirë, të fortë dhe të qëndrueshme dhe ne do të vazhdojmë rrugën e diplomacisë, e cila është rruga e drejtë, dhe përsëri u bëjmë thirrje Shteteve të Bashkuara të jenë realiste në mënyrë që të arrijmë fazën përfundimtare të negociatave”, vuri në dukje kryediplomati iranian. Në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me planet e Iranit dhe Rusisë për të rritur bashkëpunimin e tyre ekonomik dhe tregtar, si dhe për të zgjeruar marrëdhëniet përballë sanksioneve të reja të vendosura nga Shtetet e Bashkuara, Amir-Abdollahian tha: "Ne kemi miratuar një strategji për t'iu kundërvënë sanksioneve duke ndjekur dy rrugë paralelisht; rruga e parë është neutralizimi i sanksioneve në kuadër të planit të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të Presidentit Raisi dhe rruga e dytë, e cila po ndiqet në të njëjtën kohë është përmes diplomacisë dhe negociatave për heqjen e sanksioneve.” Ministri i Jashtëm iranian tha gjithashtu se dy diplomatët kishin biseduar për shantazhet politike të regjimit sionist, duke theksuar se rajoni nuk do të lejojë që regjimi i Tel Avivit të kërcënojë sigurinë, stabilitetin dhe përparimin e rajonit. Lavrov, nga ana e tij, tha se Irani dhe Rusia kishin vendosur të zgjerojnë marrëdhëniet e tyre, duke shtuar: “Ne jemi dakord që marrëdhëniet midis dy vendeve mund të arrijnë një nivel të lartë. Për këtë qëllim, ne po punojmë për një tjetër marrëveshje të madhe të iniciuar nga presidenti i Iranit.” I pyetur për bashkëpunimin Iran-Rusi për arritjen e një marrëveshjeje të mirë dhe të qëndrueshme, Lavrov tha: "Një vit më parë, Shtetet e Bashkuara u përpoqën të na akuzonin për zvarritje të bisedimeve të Vjenës, por të gjithë e pohojnë se vetëm Shtetet e Bashkuara po ngadalësojnë procesin e arritjes së një marrëveshjeje".

 

Tags