Sep 16, 2019 22:19 Europe/Tirane
  • Ruhani: Prania e paligjshme e forcave amerikane paraqet kërcënim për integritetin territorial, sovranitetin e Sirisë

Presidenti i Iranit Hasan Ruhani deklaroi se prania e paligjshme e Shteteve të Bashkuara në Siri përbën një kërcënim të madh për integritetin territorial dhe sovranitetin e këtij vendi, dhe bëri thirrje për tërheqje të shpejtë të të gjitha forcave amerikane nga Siria.

Ruhani e bëri këtë deklaratë të hënën gjatë një samiti trepalësh në Ankara me homologun e tij turk, Rexhep Tajip Erdogan dhe Presidentin rus Vladimir Putin. "Prania e paligjshme e forcave ushtarake amerikane në tokën siriane kërcënon integritetin territorial dhe sovranitetin kombëtar të Sirisë si një vend i pavarur, i cili është gjithashtu një anëtar i Kombeve të Bashkuara," tha presidenti i Iranit. Ai shtoi: "Theksoj se është e nevojshme që forcat amerikane të largohen nga ky rajon sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që, sovraniteti i qeverisë siriane të mund të shtrihet në rajonet lindore dhe veriore të Eufratit ashtu si në pjesë të tjera të territorit sirian." Më tej në fjalën e tij, Ruhani u përqendrua në sulmet e fundit ajrore nga regjimi sionist i Izraelit kundër Sirisë dhe një numri të vendeve të tjera fqinje, duke thënë: "Regjimi sionist ka rritur sulmet e tij agresive kundër territorit sirian në muajt e kaluar, ndërsa zyrtarët e këtij regjimi kanë marrë përgjegjësinë për ato sulme dhe madje kanë shtrirë këto akte agresive edhe në Irak dhe Liban. " "Sulme të tilla nga Izraeli mbi vendet e rajonit janë shembuj të qartë të akteve provokuese dhe të paligjshme armiqësore, të cilat mund të çojnë në tension dhe konflikt të gjerë në rajon," tha presidenti i Iranit. Duke kritikuar organizatat ndërkombëtare për dështimin  në ndërmarrjen e një reagimi të përshtatshëm ndaj akteve agresive të Izraelit kundër vendeve të rajonit, Presidenti iranian shtoi: "Është e qartë se në bazë të Kartës së OKB qeveritë dhe popujt e rajonit kanë të drejtë të mbrohen nga veprime të tilla agresive ". Ai shtoi se Irani gjithmonë ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së integritetit territorial dhe sovranitetit kombëtar të Sirisë, duke respektuar pavarësinë e saj dhe duke i dhënë fund ndërhyrjeve të huaja në punët e brendshme të këtij vendi. Ruhani vuri në dukje se një vlerësim i përpjekjeve të tre vendeve për të zgjidhur krizën siriane përmes qasjeve paqësore, luftës kundër terrorizmit, krijimin e një komiteti kushtetues të mbështetur nga OKB, kthimin e refugjatëve, lehtësimin e ndihmës humanitare dhe rindërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta, janë objektivat kryesore të axhendës së samitit trepalësh në Ankara.

 

Tags

Komente