Oct 02, 2019 09:24 Europe/Tirane
  • Ruhani kërkon veprim global kundër unilateralizmit amerikan

Presidenti i Iranit Hasan Ruhani është i mendimit se anëtarësimi në Unionin Ekonomik Euroaziatik (EAEU) i jep sektorit ekonomik publik dhe privat të Iranit një mundësi shumë të mirë për të zhvilluar aktivitetet e tyre të tregtisë së jashtme.

"Ky është një hap shumë i rëndësishëm në rrethanat kur amerikanët kërkojnë mizorisht të ushtrojnë presion dhe sanksione ndaj kombit iranian dhe tregtisë së jashtme të Iranit," tha Presidenti iranian. Ai vuri në dukje se pesë vendet anëtare të unionit kanë një popullsi prej rreth 180 milion, ndërsa Irani është një komb prej 83 milion, dhe për këtë arsye marrëdhëniet midis Iranit dhe këtyre vendeve mund të jenë me një rëndësi të lartë. Ruhani tha se një marrëveshje midis Iranit dhe pesë shteteve të EAEU do të bëhet operacionale dhe do zbatohet në 27 tetor. Si hap i parë, rreth 502 mallra iraniane mund të eksportohen me tarifa preferenciale në vendet e EAEU pasi një tarifë gati zero do të zbatohet për to, tha Ruhani, duke shtuar se në të ardhmen do të merren hapa të mëtejshëm në lidhje me këtë bashkëpunim.  Presidenti iranian Hasan Ruhani deklaroi se përdorimi i dollarit nga Shtetet e Bashkuara si armë kundër vendeve të tjera do të çojë vetëm në terrorizëm ekonomik duke synuar jetën e njerëzve të thjeshtë, dhe bëri thirrje për veprim global kundër unilateralizmit amerikan. "Ne besojmë se bashkësia ndërkombëtare duhet të përballet me qasjen armiqësore dhe unilaterale të SHBA-së duke marrë një qëndrim të vendosur dhe masa efektive," tha Ruhani të martën në një fjalim në samitin e Unionit Ekonomik Euroaziatik (EAEU) në kryeqytetin e Armenisë. Ai shtoi se samiti i EAEU do të shërbente si një mundësi e mirë për pjesëmarrësit për të shkëmbyer mendime dhe për të gjetur zgjidhje për çështjet aktuale rajonale dhe ndërkombëtare, duke shprehur besimin se diskutimet do të ishin të frytshme. Ruhani theksoi se rendi botëror bazohet në multilateralizëm dhe bashkëpunim të përbashkët midis të gjithë anëtarëve të bashkësisë ndërkombëtare, dhe se të gjitha vendet janë të detyruara të kundërshtojnë njëanshmërinë në mënyrë që të ruajnë paqen, sigurinë dhe stabilitetin global. "Fatkeqësisht, si rezultat i politikave shkatërruese të SHBA-së, ne po dëshmojmë shumë probleme në marrëdhëniet ekonomike midis vendeve, rritjen e varfërisë, pasigurisë dhe imigracionit si dhe një rënie të zhvillimit ekonomik në botë," tha Ruhani, duke paralajmëruar se vazhdimi i politikave të tilla do të çonte në dëme të pariparueshme. Në fjalimin e tij, Presidenti iranian tha se Republika Islamike është e vendosur të ketë lidhje më dinamike ekonomike në nivel rajonal dhe ndërkombëtar. "Nënshkrimi i një marrëveshje tregtare midis Republikës Islamike të Iranit dhe Unionit Ekonomik të Euroazisë tregon pikëpamjen gjithëpërfshirëse dhe konstruktive të Iranit dhe vullnetin e tij politik për të ndihmuar në zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare shumëpalëshe dhe rajonale," tha Ruhani.

 

Tags

Komente