Oct 02, 2019 09:26 Europe/Tirane
  • Takimi Ruhani-Putin në Jerevan

Presidenti iranian Hasan Ruhani theksoi se siguria dhe paqja e qëndrueshme në Gjirin Persik, Detin e Omanit dhe ngushticën strategjike të Hormuzit mund të vendosen vetëm përmes bashkëpunimit midis shteteve rajonale.

Duke folur të martën në një takim me homologun e tij rus Vladimir Putin në margjinat e një samiti të Unionit Ekonomik Euroaziatik (EAEU) në kryeqytetin armen të Jerevanit, Ruhani e përshkroi vendosjen e paqes dhe stabilitetit rajonal, garantimin e lirisë së lëvizjes dhe sigurisë e anijeve në ngushticën e Hormuzit si ndër politikat parimore të Teheranit. Ai më pas iu referua Iniciativës së Paqes në Hormuz, duke thënë se nisma iraniane ka për qëllim të promovojë paqen, stabilitetin, prosperitetin, mirëkuptimin e ndërsjellë si dhe lidhjet e përzemërta midis të gjithë popujve që jetojnë në ngushticën e Hormuzit. "Ky plan përfshin fusha të ndryshme të bashkëpunimit, përfshirë sigurinë kolektive të energjisë, lirinë e lundrimit dhe transportin e lirë të naftës së papërpunuar, midis vendeve në ngushticën e Hormuzit dhe shteteve jashtë rajonit," theksoi Ruhani. Presidenti iranian theksoi se suksesi i marrëveshjes bërthamore varet nga përmbushja e plotë e angazhimeve të nënshkruesve të mbetur në të dhe nga mbështetja e të gjitha shteteve për zbatimin e saj, duke e cilësuar rolin e Moskës në këtë drejtim si të rëndësishëm. Putini, nga ana e tij, riafirmoi mbështetjen e Rusisë për marrëveshjen bërthamore dhe deklaroi se Moska po bën çmos për të siguruar që palët e mbetura të marrëveshjes bërthamore të respektojnë plotësisht detyrimet e tyre. Putin gjithashtu përshëndeti fillimin e bashkëpunimit zyrtar të Iranit me EAEU, duke thënë se kjo do të krijojë terrenin për integrim dhe zhvillim të mëtejshëm rajonal.

 

Tags

Komente