Nov 20, 2019 20:35 Europe/Tirane
  • Pentagoni ka frikë nga Irani?

Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes (DIA) e SHBA publikoi të martën një raport mbi aftësitë ushtarake të Iranit.

Ky raport prej 130 faqesh shpjegon qasjen e Pentagonit ndaj objektivave, strategjive dhe planeve ushtarake të Iranit. Ai shqyrton organizimin, strukturën dhe aftësinë e forcave ushtarake që mbështesin këto objektiva. Ky raport pretendon se Irani është i vendosur ta vendosë veten si një fuqi të madhe në Azinë Perëndimore. Ai gjithashtu nënvizon përparimin e shpejtë të bërë nga Irani në prodhimin e dronëve luftarakë dhe sistemeve të raketave. "Ndërsa Teherani zgjeron aftësitë dhe rolin e tij si një kërcënim jokonvencional dhe konvencional në Lindjen e Mesme, është më e rëndësishme se kurrë që ne të kuptojmë fuqinë ushtarake të Iranit dhe kërcënimin që ai paraqet për interesat tona , aleatët tanë dhe sigurinë tonë, "tha nënkoloneli Robert P. Ashley, drejtori i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes, në këtë raport. "Irani është më afër se kurrë në arritjen e qëllimeve të tij," shkroi ai në një pjesë tjetër të prezantimit të raportit duke vazhduar: "Teherani luajti më së miri kartat gjatë rënies së Sadamit, krizës në Siri, shfaqjes dhe zhdukjes së grupit terrorist ISIS dhe konfliktit në Jemen". Ky raport së pari shqyrton historikun e forcave të armatosura iraniane në dy periudha para dhe pas Revolucionit Islamik. "Duke aplikuar një proces rigoroz të mësimeve të nxjerra gjatë dekadave të konfliktit në Lindjen e Mesme, Irani ka përshtatur aftësitë dhe doktrinën e tij ushtarake për të pasqyruar situatën në zhvillim të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre. Në të vërtetë, ushtria iraniane ka bërë përparim të konsiderueshëm në dekadat e fundit," pranoi Ashley. "Irani i sheh Shtetet e Bashkuara si kërcënimin më të madh të përhershëm për të. Teherani beson se Uashingtoni është angazhuar në operacione të fshehta dhe në një luftë të butë për të parandaluar RII të arrijë atë që meriton ", thuhet në një pjesë të këtij raporti. Raporti thotë se Irani kishte përgatitur dhe pajisur trupat e tij që të jenë gati për të kundërshtuar ofensivën e një rivali me teknologji më të sofistikuar. Sipas autorëve të këtij raporti, Teherani ka favorizuar taktikat asimetrike të luftës për të arritur këtë qëllim. Sipas raportit, vitet e fundit, me përhapjen e terrorizmit në rajon, strategjia mbrojtëse e Iranit është bërë më e përqendruar në eliminimin e kërcënimeve nga aktorë shtetërorë dhe jo-shtetërorë në rajon, përfshirë ISIS, regjimi izraelit dhe Arabia Saudite. Në një pjesë tjetër të raportit të titulluar "Lidershipi në Sigurinë Kombëtare", objektivat e kësaj strategjie janë ruajtja e Republikës Islamike, ruajtja e stabilitetit, forcimi i pozitës së Iranit si fuqi në Azinë Perëndimore dhe arritja e prosperitetit ekonomik. "Irani ka zhvilluar strategjitë e tij ushtarake dhe të sigurisë bazuar në këto katër qëllime strategjike afatgjata," thuhet në raport. Sa i përket qëllimit të Iranit për t'u bërë një forcë e pamohueshme në rajon, raporti thekson: "Teherani kërkon të udhëheqë një rend rajonal të qëndrueshëm në të cilin ai ushtron një ndikim të rëndësishëm. Nga këndvështrimi i Iranit për rajonin, aleatët e tij kanë mbetur të padëmtuar, ndikimi i Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të tyre rajonalë është zvogëluar dhe grupet terroriste kanë dështuar". Në lidhje me aftësitë themelore të forcave të armatosura iraniane, ky raport thekson se raketat balistike konsiderohen "një element kryesor i fuqisë strategjike të Iranit". "Teherani po përpiqet të frenojë rivalët armiqësor, përfshirë Izraelin, Arabinë Saudite dhe Shtetet e Bashkuara, duke prodhuar një shumëllojshmëri të raketave me rreze të gjatë," thuhet në raport. Raporti shton: "Irani ka arsenalin më të madh dhe më të larmishëm të raketave në Lindjen e Mesme, duke përfshirë një stok të madh të raketave balistike të mesme, të shkurtra dhe me rreze të gjatë veprimi që mund të arrijnë caqet 2,000 kilometra nga kufijtë  Iranit në Izrael dhe në Evropën Jug-Lindore ". "Irani ka një program në shkallë të gjerë prodhimi të raketave, i cili, përkundër dekadave të përpjekjeve për të kufizuar zhvillimin e këtij programi, po rritet si në madhësi, ashtu dhe në kompleksitet", thekson raporti i DIA, i cili gjithashtu parashikon që me heqjen e embargos së Këshillit të Sigurimit të OKB për armët në vitin 2020, Republika Islamike e Iranit po përgatitet të blejë armë të huaja në sektorët balistikë, detarë, ajrorë dhe tokësorë.

 

Tags

Komente