Nov 21, 2019 20:29 Europe/Tirane
  • Projekti i Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre për destabilizimin e Iranit ka dështuar

"Trazirat e fundit në Iran, të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre, nën pretekstin e rritjes së çmimeve të benzinës, tregojnë dështimin e skenarit të kërcënimit dhe të sanksioneve të thurur në Uashington", thotë një ekspert politik rus.

Sergei Kozhemiakin, një analist politik rus, shkroi në një artikull që ia dha agjencisë iraniane të lajmeve Fars, se trazirat e fundit në Iran ishin "shqetësuese", por në të njëjtën kohë "të parashikueshme". "Gjatë katër dekadave të fundit, Irani ishte gjithmonë subjekt i presionit dhe sanksioneve të të gjitha llojeve nga një numër vendesh perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, të cilat po planifikonin të destabilizonin Republikën Islamike të Iranit. Por tensionet që kanë shpërthyer kohët e fundit, nën kujdesin e palëve të huaja dhe nën pretekstin e rritjes së çmimeve të benzinës, në të vërtetë kanë treguar dështimin e skenarit të kërcënimit dhe sanksionit të Uashingtonit kundër Iranit", pohon Sergei Kozhemiakin. Eksperti rus theksoi se Teherani asnjëherë nuk mendon të mposhtet nga armiqtë e tij edhe në kohën e një presioni të pashembullt. Ai tha gjithashtu se deklaratat e Trump dhe Pompeo të tilla si "Irani ka pësuar dëme të mëdha për shkak të sanksioneve" dhe "ekonomia e tij është në prag të kolapsit" nuk kishin lidhje me realitetin. "Përpjekjet e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre për të reduktuar në zero eksportet e naftës së Iranit kanë dështuar të gjitha, dhe përparimi i shpejtë ekonomik dhe industrial i Republikës Islamike të Iranit ka zvogëluar ndjeshëm pasojat negative të planeve të  armiqve të Iranit. Për shembull, vlera e monedhës kombëtare të Iranit është rritur me 20% në vitin e kaluar, dhe çdo ditë publikohen lajme për produkte të reja në sektorë të ndryshëm si metalurgji, petrokimi, farmaceutikë, etj. Irani ka arritur një shkallë shumë të lartë të shkencës dhe Perëndimi e pranon atë. Këto arritje të shumta i bëjnë gjithnjë e më shumë jo të besueshme deklaratat e autoriteteve amerikane në lidhje me një "krizë të thellë ekonomike" në Iran", shton artikulli. "Kështu që armiqtë e Iranit më në fund vendosën ta dobësojnë atë përmes një trazire të brendshme. Në të vërtetë, ata donin të përdornin median për të besuar se tensionet në Iran nënkuptonin vullnetin e njerëzve për të rrëzuar shtetin dhe për të vendosur demokracinë. Këtu është një skenar që ata e kanë aplikuar tashmë në Irak dhe Liban! " Sergei Kozhemiakin shton: "Në Irak, demonstratat paqësore të njerëzve që kërkuan vetëm përmirësimin e kushteve të tyre të jetesës, u kanalizuan shpejt dhe u drejtuan drejt trazirave të përgjakshme. Në këtë proces, u sulmuan objektet diplomatike të Republikës Islamike të Iranit në Irak. Ky është saktësisht një tjetër version i këtij skenari që është aplikuar në Iran. Kjo nuk është hera e parë që iranianët kanë kërkuar rishikimin e një vendimi në fushën e ekonomisë, por kërkesat e tyre janë theksuar gjithmonë në mënyrë paqësore dhe liderët e vendit kanë bërë, çdo herë, maksimumin e përpjekjeve për të marrë vendime të drejta. Por ajo që dallon kryesisht protestat e fundit nga ato të mëparshme është se ato janë kanalizuar nga komplotistët e huaj dhe agjentët e tyre në tokën iraniane. Ka shumë shembuj për të mbështetur këtë pohim: Në Kermanshah, një grup individësh të armatosur sulmuan një stacion policie, ku vranë një oficer policie. Në Jazd, një predikues u vra dhe në Khuzestan, militantë të armatosur qëlluan ndaj civilëve dhe oficerëve të policisë ". Sipas Sergei Kozhemiakin, "Nuk është për t'u habitur që Shtetet e Bashkuara kanë qenë të shpejtë për të mbështetur trazirat e fundit në Iran sepse ata janë përfshirë në këto trazira së bashku me aleatët e tyre izraelitë dhe arabë. Shërbimet e inteligjencës izraelite, Saudite dhe Emiratase kohët e fundit i kanë rritur kontaktet mes tyre. Në vazhdim, Yossi Cohen, udhëheqësi i Mossad, konfirmoi se kishte marrë pjesë në takime me përfaqësuesit e shërbimeve të inteligjencës së monarkive arabe të Gjirit Persik, duke shtuar se Mossad kishte fituar, për herë të parë në historinë e Lindjes së Mesme, një mundësi për të hyrë në një marrëveshje rajonale". Eksperti rus në artikullin e tij thekson: "Një dëshmi më shumë për të treguar se trazirat e fundit në Iran janë orkestruar nga palët e huaja është se Arabia Saudite dhe disa vende të tjera kanë botuar dhe propaganduar një ortek të lajmeve provokuese dhe kanë ngritur akuza kundër Teheranit. Përveç kësaj, një numër i madh i postimeve të tilla si "shtypja mizore" në Iran, postime që qarkullojnë në rrjetet sociale, janë publikuar nga monarkitë e Gjirit Persik. E njëjta gjë ndodhi në Irak dhe Liban. Si më parë, pritet që Udhëheqësi i Revolucionit Islamik të ndërmarrë masa të forta dhe të llogaritura mirë, veçanërisht pasi shërbimet e sigurisë dhe forcat e Rendit do të duhet të reagojnë seriozisht ndaj problemeve duke i nxjerrë vandalët dhe agjentët e huaj nga radhët e protestuesve. Për më tepër, shteti iranian do të duhet të përpiqet të zvogëlojë pasojat negative të rritjes së çmimit të benzinës dhe kështu të mbrojë segmentet më të rrezikuara të shoqërisë. Kështu mund të mbrohet Republika Islamike e Iranit kundër veprimeve armiqësore të armiqve të saj ".

 

Tags

Komente