Janar 16, 2020 20:32 Europe/Tirane
  • Shefi ushtarak: Irani nuk është i interesuar për përshkallëzimin e tensioneve

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Iranit, Gjeneral Major Muhamed Bakeri deklaroi se Republika Islamike nuk është e interesuar për përshkallëzimin e tensioneve në rajon, por është e gatshme të japë një përgjigje adekuate për çdo akt agresioni.

"Irani nuk është i interesuar për përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve, por do të japë një përgjigje adekuate për çdo veprim të palogjikshëm dhe agresiv, dhe shpresojmë se tërheqja e SHBA nga rajoni do t'i japë fund kaosit dhe konflikteve ekzistuese", tha të enjten Gjeneral Major Bakeri në një telefonatë me Ministrin turk të Mbrojtjes, Hulusi Akar. Bakeri tha se Shtetet e Bashkuara provokuan "një raund të ri tensionesh në rajon" përmes vrasjes së gjeneral-lejtnant Kasem Soleimani, i cili komandonte Forcat Kuds të Gardës së Revolucionit Islamik të Iranit dhe duke kryer akte të tjera agresioni, si sulmet ndaj Njësive të Mobilizimit Popullor të Irakut dhe ndaj disa objekteve në Siri. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Iranit shprehu mirënjohjen e tij ndaj ministrit turk për ngushëllimin e tij mbi martirizimin e Gjeneral Soleimanit, duke e quajtur vrasjen e komandantit të ndjerë një "veprim barbar, çnjerëzor dhe imoral që kundërshtonte të gjitha parimet ligjore dhe ndërkombëtare". Sidoqoftë, sulmet hakmarrëse të Iranit kundër bazës amerikane Ain al-Asad treguan "vendosmërinë e tij për të mbrojtur të drejtat e tij", shtoi shefi ushtarak iranian, duke thënë se SHBA rrezikojnë një hakmarrje më të rëndë "nëse përpiqen të vazhdojnë veprimet e tyre djallëzore". Nga ana e tij, Hulusi Akar pohoi se vrasja e gjeneralit Soleimanit nxiti një seri zhvillimesh të rrezikshme dhe të ndjeshme në rajon, "të cilat mund të jenë jashtëzakonisht shqetësuese". Ai, megjithatë, tha se i gjithë rajoni dëshiron të përfitojë nga përpjekjet për ruajtjen e stabilitetit dhe qetësisë. Ministri turk i mbrojtjes përshëndeti gjithashtu marrëdhëniet "miqësore dhe vëllazërore" mes dy vendeve dhe kërkoi përpjekje të përbashkëta për të ruajtur stabilitetin rajonal "në mënyrë që të mos lejojnë terroristët të abuzojnë për intensifikimin e tensioneve rajonale."

 

Tags

Komente