Shkurt 25, 2020 20:48 Europe/Tirane
  • Ruhani: Ende mund ta ruajmë marrëveshjen bërthamore

Presidenti i Iranit Hasan Ruhani tha se Republika Islamike pret që Bashkimi Evropian të kundërshtojë masat e paligjshme të marra nga Shtetet e Bashkuara kundër Iranit dhe të injorojë politikën e presionit të Uashingtonit në mënyrë që të forcojë lidhjet e Evropës me Teheranin.

"BE duhet të qëndrojë fuqishëm përballë masave të paligjshme të marra nga SHBA", tha Ruhani në një takim të dielën në Teheran me Ministrin e Jashtëm austriak Alexander Schallenberg. "Ashtu si koronavirusi, frika e krijuar nga sanksionet amerikane është më shumë se ajo që meriton natyra e tyre e vërtetë," tha Presidenti iranian duke shtuar: "Vendosja e sanksioneve të tilla nga SHBA është një akt terrorist dhe ne presim që Bashkimi Evropian të përmbushë detyrën e tij humanitare në këtë drejtim." Ruhani theksoi se marrëveshja bërthamore nuk i përket vetëm Iranit, Evropës apo grupit G5 + 1, sepse ajo mund të luajë një rol përcaktues në përmirësimin e paqes dhe sigurisë në një shkallë globale. "Ne ende besojmë se mund ta ruajmë marrëveshjen bërthamore," deklaroi Presidenti iranian. Ministri i jashtëm austriak, nga ana e tij, tha se ruajtja e marrëveshjes bërthamore është një politikë kryesore për vendin e tij dhe BE, duke u zotuar të bëjë përpjekje maksimale në këtë drejtim. Ai shtoi se Vjena e mirëpret iniciativën e propozuar nga Irani për paqen në Hormuz si një projekt për krijimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, duke thënë se "Vjena përshëndet nismën, qëllimi i së cilës është të ndërtojë besim me botën".

 

Tags

Komente