Qershor 01, 2020 22:35 Europe/Tirane
  • The Soufan Center: Irani nuk ka frikë nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre

"Lëshimi dhe vënia në orbitë e një sateliti ​​dhe sulmet  raketore të fundit nga Irani tregojnë se ky vend nuk ka frikë nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre, dhe se është i aftë të shkatërrojë sistemet e tyre të mbrojtjes balistike", vlerësoi observatori amerikan i ideve, The Soufan Center.

"Irani mund të ketë synuar të përdorë aftësinë e lëshimit në hapësirë ​​për qëllime ushtarake", thuhet në raportin e The Soufan Center, i cili është përmbledhur në rreshtat e mëposhtëm:

"Irani vitet e fundit ka bërë hapa të jashtëzakonshëm në fushën e raketave dhe në sektorin hapësinor, duke e bërë atë një fuqi rajonale në rritje. Potencialet balistike e shtojnë ndjeshëm peshën e Iranit në demonstrimet e forcës në Azinë Perëndimore. Sidoqoftë, sulmet e fundit raketore iraniane tregojnë se ky vend nuk ka frikë nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre dhe se është i aftë të shkatërrojë sistemet e tyre të mbrojtjes balistike. Fatkeqësisht, sot potencialet e Iranit thuhet se kanë arritur në një nivel të tillë, saqë tani do të jetë jashtëzakonisht e vështirë të zvogëlohet ndikimi rajonal i Iranit, duke përdorur sanksione dhe metoda të destinuara për ta drejtuar vendin në izolim politik. Raketat iraniane me rreze të gjatë veprimi janë një faktor i rëndësishëm në planifikimin strategjik të vendit, duke i lejuar forcat e armatosura iraniane që të kryejnë operacione reprezalje nga territori kombëtar, pa pasur nevojë të mbështeten në forcat proxy, të pajisura me sistemet e raketave me rreze të shkurtër. Sipas vlerësimeve të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre rajonalë, përfshirë Izraelin dhe vendet e Gjirit Persik, Irani, falë aftësive të tij të udhëzimit me precizion të lartë, është në gjendje të tejkalojë sistemet e tyre të mbrojtjes raketore dhe t'i bëjë ato joefektive. Përveç kësaj, kontributi i Korpusit të Gardës Revolucionare Islame (IRGC), forca hapësinore e të cilit menaxhon programin balistik iranian, shumë shpejt ngriti mundësinë që Irani të hartonte dhe prodhonte një raketë ndërkontinentale me një rreze 3400 km ose më shumë, duke përdorur teknologjinë e lëshimit të satelitëve në hapësirë". The Soufan Center gjithashtu kujton se lëshimi i satelitit Nur ndodhi vetëm disa muaj pasi Irani gjuajti nga territori i tij rreth njëzet raketa me rreze të mesme drejt bazës amerikane Ain al-Asad në Perëndim të Irakut, në përgjigje të vrasjes, në 3 janar në Bagdad, të gjeneralit Soleimani, komandant i Forcave Kuds të IRGC. "Megjithëse amerikanët fillimisht njoftuan se raketat iraniane nuk kishin shkaktuar dëme, dihet që ky sulm u krye me precizion më të madh se sa pritej, duke pasur parasysh distancën e gjatë të përshkuar nga raketat. Disa ndërtesa u shkatërruan plotësisht në bazën Ain al-Asad dhe më vonë u zbulua se më shumë se 100 anëtarë të personelit ushtarak amerikan vuanin nga një tronditje e rëndë për shkak të shpërthimeve. " Dhe The Soufan Center përfundon:

"Prirja dhe aftësia e Iranit për të kryer sulme balistike nga territori i tij tregon se ky vend ka bërë përparim të madh në fushën e raketave të dirigjuara, dhe zyrtarët e vendit janë të vetëdijshëm për rëndësinë parandaluese të raketave të tyre përballë sulme të mundshme të armikut. Këto aftësi tregojnë gjithashtu se raketat "made in USA" ose "made in Israel" nuk janë aq të forta sa të neutralizojnë raketat e shkrepura nga Irani ose aleatët e tij rajonalë. Dhe është e qartë se politika amerikane e presionit maksimal është provuar joefektive dhe nuk ka arritur të parandalojë Iranin të arrijë një përparim meteorik, i cili e afirmon pozitën e Iranit si një fuqi rajonale. "

 

Tags

Komente